1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpërthimi në Dragash dhe statusi i Kosovës

Bahri Cani2 Janar 2008

Në Bankën komerciale serbe në Dragash ndodhi një shpërthim. Presidenca sllovene e BE pohon se Kosova do të jetë një prej cëshjeve me prioritet gjatë mandatit të saj.

https://p.dw.com/p/CjA0
DragashiFotografi: Refki Alija

Si pasojë e një shpërthimi që ndodhi në Bankën komerciale serbe në Dragash, janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Mirëpo, Shërbimi policor i Kosovës kumtoi se nuk ka pasur viktima në njerëz apo të lënduar.

Sa i përket statusit të Kosovës, ish - presidenti i Finlancës, Marti Ahtisari, mendon se ai do të zgjidhet deri në mars të këtij viti. Mirëpo në një deklaratë për agjencinë Rojters ish - ndërmjetësuesi në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk ishte në gjendje të saktësojë se si do të duket kjo zgjidhje.

Kryeministri i Sllovenisë Janez Jansha, me rastin e marrjes së udhëheqësisë gjashtëmujore të BE, deklaroi se Kosova dhe zgjërimi i këtij organizmi në Ballkanin perëndimor, do të jenë dy prioritetet kryesore të këtij mandati.

"Së bashku do të gjejmë një zgjidhje të përhershme për statusin e Kosovës dhe do të bëjmë hapat drej zgjërimit të BE edhe në pjesët tjera të Ballkanit perëndimor", theksoi Jansha. Ai beson se pas një viti do të futet në fuqi edhe Marrëveshja e Lisbonës, e cila presidencës së radhës i jep kompetenca më të mëdha.

"Ky vit për Slloveninë me siguri që do të jetë një vit evropian", thotë Jansha i cili shpreson se edhe Evropa do ta mbajë mend këtë si vit të Sllovenisë. Ajo ka parashikuar që gjatë mandatit gjashtëmujor të mbajë 160 takime dhe manifestime të ndryshme, ndër të cilat 11 në nivelin ministror. Në qershor në Slloveni do të mbahet samiti mes BE dhe SHBA, me pjesëmarjen edhe të presidentit amerikan Xhorxh Bush. Vlerësohet se këto aktivitete do ta kushtojnë Slloveninë rreth 60 milionë euro.

Për statusin e Kosovës u deklarua edhe ministri i jashtëm slloven, Dimitrij Rupel. Në manifestimin me rastin e marrjes së presidencës, të zhvilluar në Madera të Porugalisë, Rupel u shpreh se Sllovenia pret që statusi i Kosovës të zgjidhet deri në përfundimin e mandatit gjashtëmujor. Ministri i jashtëm tha se Sllovenia do të mbështetë edhe Serbinë për integrim sa më të shpjetë në BE. Mirëpo, nënvizoi se obligimet e saja ndaj Tribunalit të Hagës për kriminelët e luftës janë shumë të qarta, duke shtuar se as Sllovenia nuk do të heqë dorë nga respektimi i të gjitha standardeve për anëtarësim.