1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpallja e pavarësisë do i jepte fund ndikimeve nga Beogradi

Bekim Shehu / Prishtinë7 Shkurt 2008

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, thonë se shpallja e pavarësisë së Kosovës do t'i jepte fund çdo lloj ndikimi të Serbisë në Kosovë.

https://p.dw.com/p/D3tP
Ushtarë belg të KFOR-it në Mitrovicë, 3 shkurt, 2008
Ushtarë belg të KFOR-it në Mitrovicë, 3 shkurt, 2008Fotografi: AP

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, thonë se zhvillimet e fundit në Serbi, kriza politike e atjeshme pas zgjedhjeve presidenciale, nuk do të ndikojnë në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ky reagim bëhet bëhet pas përplasjeve të fuqishme politike në Beograd dhe mungesës së gatishmërisë së autoriteteve serbe për të nënshkruar një marrëveshje politike me BE-në, e cila do t'ia lehtësonte rrugën Serbisë drejt integrimit evropian.

Për analistët kosovarë zhvillimet në Serbi janë shqetësuese, sepse mund të ndikojnë edhe në zhvillimet rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës. Mirëpo, presidenca në Kosovë nuk dëshiron që zhvillimet në Serbi t'i ndërthurë me statusin e Kosovës. Sipas zëdhënësit të presidencës Xhavit Beqiri, ato janë zhvillime të një vendi fqinjë të Kosovës. "Zhvillimet e fundit në Serbi janë zhvillime të një shteti tjetër dhe institucionet e Kosovës nuk kanë pse t'i lidhin ato me çështjen e statusit. Udhëheqësit politik kosovarë, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj e kanë agjendën e vet për pavarësinë e Kosovës, të kordinuar mirë me Uashingtonin dhe Brukselin dhe të bazuar në planin e statusit të ndërmjetësit, Marti Ahtisari", thotë zëdhënësi Beqiri.

Nga ana tjetër, përfaqësues të qeverisë së Kosovës, thonë se shpallja e pavarësisë së Kosovës do t'i jepte fund çdo lloj ndikimi të Serbisë në Kosovë. Enver Hoxhaj, është ministër në qeverinë e Hashim Thaçit: "Mendoj se pas rezultatit zgjedhor në Serbi, por edhe para shpalljes së tij, Kosova ka pasur një qartësi politike, e cila është përcaktuar nga qytetarët e saj dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërsa Serbia do të vazhdojë edhe më tutje dualizmin e saj politik, i cili do të përcillet edhe më tutje me një frymë radikale dhe properëndimore. Kjo duket se do të jenë një realitet i jetës në Serbi për një kohë të gjatë," shprehet ministri Hoxhaj.

Sidoqoftë autoritetet këtu, thonë se Kosova ka rrugën e saj të ndarë nga Serbia dhe Kosova sipas tyre po numëron ditët e fundit para shpalljes së pavarësisë. Kryeministri Hashim Thaçi, është shprehur se Washingtoni, Brukseli dhe institucionet e Kosovës tashmë e dinë datën e pavarësisë, mirëpo ai akoma refuzon ta bëjë publike atë. Ai thotë se kjo ditë do të jetë shumë shpejtë dhe sipas tij janë duke u kryer vetëm edhe disa çështje procedurale.