1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpenzimet globale ushtarake rriten - me përjashtim të Perëndimit

Helle Jeppesen / Angelina Verbica14 Prill 2014

Perëndimi kursen, ndërsa vendet e tjera shpenzojnë më shumë për ushtrinë. Ky është konkluzioni i raportit të fundit të Institutit Ndërkombëtar të Studimeve për Paqen në Stokholm, SIPRI.

https://p.dw.com/p/1Bhig
Symbolbild SIPRI Militärausgaben Bericht 2014
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në të gjithë botën shpenzimet ushtarake në vitin 2013 kanë rënë me 1,9 përqind. Kjo në rradhë të parë për arsye se SHBA-ja i ka shkurtuar shpenzimet e tyre, sidomos pas tërheqjes nga Iraku. Po të mos kishin qenë këto shkurtime, shpenzimet globale do të ishin rritur, thuhet në raporti e fundit të Institutit e Studimeve për Paqen në Stokholm, SIPRI.

Meqënëse vetëm SHBA-ja paguan më shumë se një të tretën e totalit të shpenzimeve botërore prej gjithsej 1.747 miliardë dollarësh amerikanë, këto kursime kanë një ndikim të madh në statistikën vjetore të SIPRI-t. Në raport instituti përmbledh të gjithë informacionin mbi shpenzimet ushtarake, që ndodhet në dispozicion të publikut: jo vetëm shpenzimet për armatimin, por edhe për trupat, personelin dhe shpenzimet administrative, ato kërkimore, të mirëmbajtjes dhe për ndërtimet. Në vitin 2013 shumica e vendeve i kanë rritur shpenzimet e tyre për armatimin. Ky është rezultati i raportit.

Prof.Dr. Michael Brzoska, Leiter des Instituts für Friedensforschung und Sicherheitspolitik in Hamburg
Prof.Dr. Michael BrzoskaFotografi: IFSH

Fuqia e NATO-s pavarësisht politikës së kursimeve

Jo vetëm SHBA-ja kursen. Në vendet e NATO-s në Europën Perëndimore shpenzimet ushtarake në vitet e fundit kanë rënë parallelisht me krizën ekonomike, me përjashtim të Polonisë dhe Gjermanisë.

Megjithë kursimet në shumë vende, NATO mbetet konsumatori më i madh në botë, kur është fjala për shpenzime ushtarake: "Nëse dikush i mbledh shifrat e NATO-s, pjesa që ka ajo në shpenzimet ushtarake botërore mbulon ende dy të tretat", konstaton profesor Michael Brzoska. Ai drejton Institutin e Studimeve për Paqen dhe Politikën e Sigurisë në Hamburg, që këshillon Ministrinë e Jashtme në Berlin në çështjet e sigurisë dhe të kontrollit të armatimit.

Planet ruse të armatimit

Kjo mungesë barazpeshe mund të sjellë edhe një shpjegim për planet e armatosjes së Rusisë. Për herë të parë që prej 15 vjetësh, thotë Brzoska, shpenzimet ushtarake ruse në produktin social bruto janë më të larta se sa në SHBA. "Kjo tregon se në Rusi bëhet një përpjekje e veçantë për t'u forcuar sërish ushtarakisht." Megjithatë Rusia ka shumë për të plotësuar, sepse industria ruse e armatimit në vitet 1990 ka qenë praktikisht përtokë.

Brzoska vë në dukje se Rusia ështe ende fuqia e dytë më e madhe bërthamore dhe se trupat ruse janë ndër më të mëdhatë në botë, por vendi mund të quhet më shumë "fuqi e mesme" për shkak të armatosjes së ushtrisë. "Por sigurisht që mund të jesh ushtarakisht superior, në krahasim me shtetet Baltike, Gjeorgjinë dhe Ukrainën", thotë Michael Brzoska.

Në vlerësimin e përgjithshëm të SIPRI Rusia ndodhet në vend të tretë. Vendin e dytë e zë Kina, edhe pse në këtë rast shifrat e SIPRI-t janë të përafërta.

Infografik Die fünf größten Waffenexporteure SIPRI 2013 Englisch
Grafiku i ekxportit global të armatimeve

Kina si superfuqi aziatike

Shifrat nga Kina janë shumë të paqarta, thekson Samuel Perlo-Freeman, që drejton studimin e SIPRI-t. Prandaj është e vështirë të thuhet se ku shkojnë shpenzimet ushtarake kineze. Rritja e shpenzimeve ushtarake të Kinës prej 7.4 për qind do të thotë ndër të tjera më shumë para dhe strehim më të mirë për ushtarët. "Por ata ngrenë padyshim edhe shpenzimet për armë dhe trajnime", thotë Perlo-Freeman.

Rritja e shpenzimeve ushtarake si në Kinë edhe në Rusi duhet të shihet në kontekstin e hegjemonisë së Shteteve të Bashkuara pas Luftës së Ftohtë. "Ato nuk ishin aspak të kënaqur me një botë unipolare, ku SHBA-ja praktikisht mund të diktonte gjithçka vetëm përmes superioritetit ushtarak."

Mungesë transparence në Lindjen e Mesme

Në Lindjen e Mesme shpenzimet ushtarake në vitin 2013 kanë vazhduar të rriten. Kjo tendencë vazhdon prej vitesh dhe nuk ka të bëjë vetëm me situatën e tensionuar të sigurisë, por edhe me të ardhurat ende të larta nga nafta. Kështu Arabia Saudite është në listën e vendeve me shpenzimet më të larta ushtarake në botë, në vendin e katërt.

Megjithatë shpenzimet e larta ushtarake mund të kenë arsye krejtësisht të tjera nga arsyet ushtarake-strategjike, mendon Perlo-Freeman: "Shpenzimet ushtarake janë edhe një mënyrë për të transferuar paratë e naftës në llogaritë private. Kjo mund të çojë në atë, që shpenzimet ushtarake të bëhen më tërheqëse."

Samuel Perlo-Freeman SIPRI
Samuel Perlo-Freeman, SIPRIFotografi: SIPRI

Në përgjithësi të dhënat e shumë vendeve në Lindjen e Mesme janë jo transparente, thotë eksperti i SIPRI-t. Në 2013 nuk ka pasur shifra për Iranin, Katarin, Sirinë, Jemenin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Treg në rritje në Afrikë dhe Amerikën Qendrore

Afrika i ka rritur shpenzimet e përgjithshme ushtarake 8.3 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Në jug të Saharasë, Angola shpenzon më shumë për ushtrinë se sa Afrika e Jugut. Në Afrikën e Veriut, Algjeria vazhdon të japë një pjesë të të ardhurave të naftës dhe gazit për ushtrinë. Në vitin 2013, sipas SIPRI, shpenzoi më shumë se 10 miliardë dollarë amerikanë, më shumë se asnjë vend i Afrikës më parë.

Në Amerikën Qendrore, sidomos Nikaragua, Guatemala dhe Hondurasi rriten gjithashtu shpenzimet për ushtrinë. Kjo sipas ekspertëve të SIPRI-t vjen veçanërisht si rezultat i luftës kundër karteleve të drogës. Në Amerikën Latine në përgjithësi shpenzimet janë rritur mesatarisht.

Pasqyrë e shoqërisë

Në përgjithësi, thotë Perlo-Freeman, shpenzimet e mbrojtjes në mbarë botën shtohen në shifra absolute. Megjithatë për shkak se ekonomitë e shumë vendeve rriten, reduktohet në të njëjtën kohë pjesa e shpenzimeve ushtarake në prodhimin e brendshëm bruto. "Në qoftë se ekonomia është në rritje dhe të gjithë janë më mirë, atëherë edhe ushtarët duhet të jenë më mirë", thotë eksperti i SIPRI-t.

Ushtria është shpesh një pasqyrim i kushteve politike, thotë edhe Michael Brzoska nga Instituti i Hamburgut për Kërkimet e Paqes dhe Politikën e Sigurisë: "Kjo nuk është më e mirë, apo më e keqe se elitat e tjera".

Michael Brzoska pret që tendenca aktuale të vazhdojë në vitet e ardhshme. "Ne shohim edhe në fusha të tjera një ndryshim në politikën botërore", thekson ai, duke vënë në dukje se rëndësia e Perëndimit ndaj vendeve me popullsi të madhe si Kina, Rusia dhe India po bie. "Kjo është një lloj rikuperimi i asaj, që mund të pritet, po të shohësh shifrat e popullsisë."