1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Daniel Godelli vullnet i hekurt për të arritur sukses

Andreas Meyer-Feist / Elert Ajazaj8 Korrik 2012

Peshëngritësit shqiptarë shkojnë me shpresa të mëdha në Lojërat Olimpike në Londër. Me interes pritet paraqitja e Kampionit të Evropës për të rinj, Daniel Godelli.

https://p.dw.com/p/15TYc
Fotografi: picture-alliance/dpa

Me brohoritje plot entuziazëm përshëndetet në Shqipëri Daniel Godelli - 20 vjeç, flokë të qethura shkurt, i vogël, trup komplet i stërvitur, dhe së shpejti ndoshta edhe në Londër me shanse të mira për fitore. Që ai u bë peshëngritës, kjo është pothuajse rastësi. Godelli: "Qyteti im, Peqini, është shumë i vogël. Atje mund të bëje vetëm dy gjëra: futboll ose peshëngritje. Dhe futbolli s'më pëlqen."

Vullneti për të arritur sukses

Pra mbeten vetëm peshat dhe një vullnet i hekurt: Daniel Godelli donte të dilte nga qyteza shqiptare. Këtë e ka arritur. "Kur isha 9 vjeç fillova. Si 14-vjeçar kisha fituar medaljen e parë. Me 16 vjeç isha Kampion Evrope për të rinj. Dhe kështu ka vazhduar", thotë ai. 2011-a ishte pika kulmore. Daniel Godelli ka sukses në skenën ndërkombëtare absolute. "Deri tani 2011 ishte viti më i mirë për mua. Kampion Evrope për të rinj dhe dy herë medalje bronzi me të rriturit. Dhe tani vijnë Lojërat Olimpike. Një pikë kulmore absolute për mua. Të shohim njëherë si do eci."

Gjendja e Shqipërisë i pengon sukseset sportive

Problemi: Shqipëria nuk është vendi më i mirë për sportistë të rinj ambiciozë. Sponsorë gati nuk ka fare. Dhe shteti dështon te nxitja financiare. "Shqipëria është e vështirë. Kushtet e stërvitjes nuk janë aq optimale. Më së shumti më mbështet familja. Shteti nuk ka para." As Daniel Godelli vetë s'ka para: "Po ta bëj llogari: del më tepër një rrogë punëtori, jo të ardhura milionëshe të një profesionisti." Ai shpreson për një jetë më të mirë pas Lojërave Olimpike. Trajneri i tij Sokol Bishanaku beson në fitimin e një medaljeje. "Përgatitjet janë në ecje e sipër, por mungojnë paratë. Për stërvitje vërtet të mirë ushqimi duhet të ishte më i mirë. Ministria e Sporteve ka premtuar ndihma financiare, mirëpo te ne nuk ka mbërritur kurrë asgjë. Domethënë: pagat tona nuk paguhen dhe mungojnë paratë për ushqim special për stërvitje."

Daniel Godellit (djathtas) i akorodhet medalja e bronztë në kampionatin e zhvilluar në Kazan të Rusisë më 13 prill 2011
Fotografi: picture-alliance/dpa

Outsider në Londër

Peshëngritësit shqiptarë: një ekip me shanse të pakta fitoreje, por edhe me vullnet absolut për fitore, thotë Sokol Bishanaku. "Ekipi është i ri, midis 20 dhe 22 vjetëve, dhe është në pjesën më të madhe për të parën herë në Lojërat Olimpike. Në përgjithësi është hera e parë prej 20 vjetësh që ne marrim pjesë me 4 peshëngritës. Edhe vetëm kjo është sukses. Nuk do të jetë e lehtë. Konkurrenca është e madhe."

Në shkëputje Romela Begaj do të përpiqet të mundë kinezet tepër të fuqishme. Ajo ka qenë e gjashta në Lojërat Olimpike të Pekinit, njëra nga favoritet kryesore për medalje në Londër. Në Kampionatin Evropian në Antalja pati një përjetim të pakëndshëm për arsye të një gabimi siç pretendohet në ngritje. Kjo gjë bëri që ajo të humbasë titullin e dëshiruar me afsh të Kampiones Evropiane. "Më dhemb shumë. Në shpirt jam Kampione Evrope, nuk kam bërë gjë gabim", thotë Begaj.

Ngritja e flamurit moment prekës

Peshëngritësi më i mirë shqiptar, Erkand Qerimaj, do gjithashtu të fitojë me çdo kusht një medalje: "Është një ndjenjë e veçantë kur ngrihet flamuri shqiptar. Unë e kam flamurin tonë gjithnjë në xhep, kjo më jep forcë. Vetëm momenti i ngjitjes njëherë në podium është jashtëzakonisht madhështor."

Problemi: Dopingu. Erkand Querimaj e humbi titullin e tij të Kampionit Evropian. Ajo që i mbeti është titulli "Hero i punës", i akorduar prej presidentit të shtetit të Shqipërisë. Me gjasa këtë titull do ta fitojë së afërmi edhe Daniel Godelli, shpresa e madhe shqiptare për Lojërat Olimpike në Londër.