1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresa për ndalimin e dhunës e mjerimit në Kenia

Vim Dorenbush30 Janar 2008

Falë përpjekjeve të ndërmjetësuesit të OKB-së, Kofi Anan, kanë filluar të dëgjohen edhe disa fraza pajtuese. Palët kundërshtare janë të gatshme për dialog.

https://p.dw.com/p/CzmA
Kofi Anan me dy politikanët kenianë, Kibaki dhe OdingaFotografi: AP

Qeveria dhe opozita keniane kanë pranuar të negociojnë. Të martën në mbrëmje (29.1.), presidenti, Mvai Kibaki, dhe kreu opozitar Raila Odinga, ranë dakord në parim për procesin ndërmjetësues. Në prani të ish-sekretarit të OKB-së, Kofi Anan, të dy politikanët dënuan dhunën: "Çfarëdo indinjate, qoftë edhe për zgjedhjet e manipuluara, nuk e justifikon vdekjen e njerëzve të pafajshëm. Nuk ka asnjë shkak për hakmarrje të vetëorganizuar."

Procesi i negociatave në prag

Edhe Kibaki theksoi pacenueshmërinë e jetës së kenianëve dhe u shpreh për të gjetur së bashku një rrugëdalje nga kriza: "Duam të vëmë në vijë procesin e negociatave, për të përballuar sfidat politike në vend."

Ekipet negociatore të të dyja palëve do të flasin edhe për numërimin e votave të zgjedhjeve presidenciale të 27 dhjetorit. Por përpjekjet për kapërcimin e krizës në Kenia ranë në hijen e vrasjes së një politikani të opozitës. Menjëherë mbas mesnate, deputeti Mugabe Were ishte vrarë para portës së shtëpisë së tij nga dy persona të panjohur. Polizia nuk përjashton mundësinë që dorasit të kenë pasur motive kriminale, ndërsa opozita e cilëson aktin si atentat politik.

Reagime nga SHBA

Ndërkohë, edhe kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Barak Obama, i jati i të cilit është nga Kenia, ka apeluar tek palët kundërshtare në një intervistë në radio: "Presidenti Kibaki, Raila Odinga dhe përfaqësuesit e tjerë të politikës, ekonomisë, shoqërisë civile dhe kishave mbajnë përgjegjësinë për të qetësuar situatën sa më shpejt. Të gjitha grupet etnike duhet të gjejnë një rrugëdalje nga kriza, në mënyrë që dhuna të marrë fund."