1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresa të vakëta për dialogun: Cooper në Prishtinë

Lindita Arapi11 Tetor 2011

I ngarkuari i Catherine Ashton për dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper vizitoi të hënën në mbrëmje Prishtinën. Kjo vizitë erdhi pak ditë pas vizitës së Copperit në Beograd.

https://p.dw.com/p/12ps8
Robert CooperFotografi: CC-BY-EU

Autoritetet e Prishtinës i bënë të qartë ndërmjetësit të BE-së në bisedat Kosovë-Serbi, Robert Cooper, se Kosova është e gatshme të dialogojë me të gjithë fqinjët lidhur me zgjidhjen e problemeve praktike ndërshtetërore, në këtë kuadër edhe me Serbinë, por jo edhe për pikat doganore në Jarinje dhe Bërnjak, ashtu siç kërkon pala serbe.

Robert Cooper, të hënën në mbrëmje në Prishtinë, takoi kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryesuesen e delegacionit të Kosovës në dialogun teknik, Edita Tahiri. Takimi ishte me dyer të mbyllura dhe i vetmi njoftim nga ky takim ishte, një komunikatë e shkruar nga kabineti i kryeministrit Hashim Thaçi.

Verhandlungen zwischen Serbien und dem Kosovo NO FLASH
Edita TahiriFotografi: DW

Thaçi: Dialogu - rrugë për zgjidhjen e problemeve ndërfqinjësore

Kryeministri Thaçi theksoi se “Kosova ka treguar përgjegjshmëri të lartë në procesin e dialogut, të cilin vlerësim e ndajnë edhe Brukseli dhe Uashingtoni. Kosova e ka platformën e qartë me vijat e kuqe të cilat janë pavarësia, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i Kosovës. “Dialogu për çështje teknike me Serbinë është rrugë përmes së cilës të dy shtetet do të mund të zgjidhin çështjet e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe të interesit të ndërsjellë të qytetarëve të të dyjave vendeve”, thuhet në njoftimin e kryeministrit Thaçi.

Qëndrimi serb për dialogun

Robert Cooper, ishte në Prishtinë pas vizitës në Beograd dhe takimit me kryesuesin e delegacionit serb në bisedat Kosovë-Serbi, Borisllav Stefanoviq. Ky i fundit sipas mediave lokale serbe, i ka bërë të qartë ndërmjetësit të BE-së, Robert Cooper, se, “Serbia ulet në tavolinën e bisedave me Prishtinën, vetëm nëse pjesë e këtyre bisedave do të jetë edhe veriu i Kosovës dhe dy pikat kufitare, në Jarinje dhe Bërnjak”, citohet të ketë thënë Borisllav Stefanoviq.

Barrikada serbe. Dialogu u ndërpre pas eskalimit të situatës në veri
Barrikada serbe. Dialogu u ndërpre pas eskalimit të situatës në veriFotografi: DW

Ndërkohë analistët politikë në Prishtinë, bazuar në qëndrimet diametralisht të kundërta në këtë fazë të Prishtinës dhe Beogradit për dialogun teknik, parashohin edhe fundin e tij, pa ndonjë rezultat. Megjithatë, se çfarë rruge do të marrë dialogu teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit,  kjo pritet të sqarohet në ditët në vijim nga zyra e Baroneshës Ashton.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi