1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140911 China Euro-Krise

15 Shtator 2011

Kina dëshiron të ndihmojë SHBA dhe Evropën në krizën ekonomike, por me koncesione politike. Këtë e bëri të ditur kryeministri Wen Jiabao në Forumin Ekonomik Botëror në Dalian.

https://p.dw.com/p/12Zd3
Pamje simbolike: juani kinez dhe euro.
Shpëtimi i euros me ndihmën kineze?Fotografi: Gina Sanders/Fotolia.com

Publikut në forumin ekonomik në qytetin port Dalian në verilindje të Kinës iu desh të priste deri në fund fjalën e Wen Jiabaos.

Kina ndihmon por me kusht

Pastaj ai foli më në fund për çështjen, që kishin pritur të gjithë: Kina i zgjat dorën Evropës, u shpreh kryeministri dhe është i gatshëm të shtojë investimet e saj në Evropë. Por çek gratis ai nuk lëshoi:

"Qeveritë duhet të marrin seriozisht përsipër përgjegjësitë dhe të vendosin rregull në shtëpinë e tyre."

Kryeministri kinez Wen Jiabao merr medaljen e nderit të parlamentit grek. Tetor 2010
Kryeministri kinez Wen Jiabao merr medaljen e nderit të parlamentit grek. Tetor 2010Fotografi: AP

Se në çfarë forme do të ndihmojë Kina Evropën, këtë Wen e la të hapur. Në të kaluarën Kina ka investuar në mes tjerash në kompanitë greke dhe ka blerë obligacionet shtetërore të vendeve të goditura të Eurozonës si Spanja, por shumë më pak se ç'ishte njoftuar. Ekspertët flasin për blerje të letrave me vlerë nga dhjetë deri në 12 miliardë euro. Por përse Kina tani zgjat dorën e ndihmës drejt Evropës, është e qartë: Bashkimi Evropian është partneri kryesor tregtar i eksportuesit kryesor në botë, Kinës.

Kina me anë të ndihmës, mbron interesat e saj ekonomike

Pekini  ka kështu një interes të madh në marrëdhëniet e qëndrueshme me klientët e saj më të rëndësishëm. Përveç kësaj Wen ka kërkuar edhe kompensim.

"Ndërkohë kryetarët e qeverive të BE dhe qeveritë e vendeve më të rëndësishme evropiane duhet të mendojnë me guxim marrëdhëniet e tyre strategjike me Kinën. Për shembull ato duhet t'i njohë Kinës statusin e plotë të një ekonomie tregu."

Për vite të tëra Pekini insisiton në Bruksel që të njihet si ekonomi tregu. Kjo ka për Kinën një vlerë të lartë simbolike. Nga ana tjetër do të mbrojë vendin nga ankesat për "dumping" nga Brukseli. Për BE do të ishte shumë më e vështirë të vendoste tatime doganore ndëshkuese për importet e lira kineze. Por deri tani evropianët kanë bllokuar.

Pamje simbolike: flamuri i BE-së dhe ai kinez.
Kina dhe BE në marrëdhënie interesi reciprok.Fotografi: picture-alliance / dpa

Kina tani në pozitë të fortë për të kërkuar plotësimin e kushteve të saj

Kancelarja Angela Merkel gjatë vizitës së saj të fundit në Pekin e bëri të qartë se Kina nuk i ka përmbushur akoma të gjitha kushtet për t'u njohur si një ekonomi tregu. Kështu, ka ende probleme për mbrojtjen e pronës intelektuale. 

Por tani Kina me rezervat e saj të mëdha të valutës është në një pozitë të fortë. Wen Jiabao tha se ai shpreson për një përparim në çështjen e ekonomisë së tregut. Ndoshta edhe në samitin BE-Kinë në fund të tetorit në Tianjin

Kryeministri bëri thirrje gjithashtu për dhënien fund të kufizimeve të eksportit. Fjala është kryesisht për eksportin e produkteve të teknologjisë së lartë në Kinë. Republika Popullore ka nevojë për "know-how" dhe për teknologji të lartë, për të modernizuar ekonominë e saj. Udhëheqësit komunistë tani shohin mundësinë për të marrë pikërisht këtë.

Autor: Ruth Kirchner / Angjelina Verbica

Redaktoi: E. Xhani