1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria 2013: "Viti i luftës kundër dhunës ndaj gruas"

Ani Ruci3 Janar 2013

Në Shqipëri organizatat e shoqërisë civile për mbrojtjen e të drejtave të grave e kanë shpallur 2013, "vit të luftës kundër dhunës ndaj gruas". Reagimi merr shkas nga rritja e rasteve të dhunës ndaj gruas deri me vrasje

https://p.dw.com/p/17Cua
2. Women organizations by civil society in Tirana, during a protest against the violence towards women. Author: Ani Ruci, shot in Tirana, December 2012. Zulieferung : Ani Ruci DW correspondent Tirana = Albanien Phone: 00 355 6820 26 525 e- mail: ani.ruci@dw.de
Proteste Gewalt gegen Frauen / TiranaFotografi: DW / Ani Ruci

Të dhënat nga gjykata e Tiranës tregojnë se çdo ditë një grua ngre atje padi dhe kërkon urdhër mbrojtjeje kundër bashkëshortit të dhunshëm. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pohon se rreth 1400 gra nga gjithë vendi kanë denoncuar dhunën dhe kanë kërkuar urdhërin e mbrojtjes. Por shifra më alarmante është ajo e 24 grave të vrara në Shqipëri gjatë vitit që sapo lamë pas, 2012 - ës. Autor i tyre ështe bashkëshorti apo i dashuri i tyre. Në çfarë rrethanash dhuna ndaj grave kulmon me vrasjen e tyre?

Mirela Arqimandriti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës “ Aleanca Gjinore për Zhvillim” një nga organizatat jo fitimprurëse të shoqërisë civile për të drejtat e grave me seli në Tiranë shpreh opinionin e saj për shkaqet kryesore të kësaj situate: "Janë në rradhë të parë kushtet tepër të vështira ekonomike e sociale që nxisin vrasjen e grave. Papunësia, skamja, padija i bën bashkëshortët të paqendrueshëm psikologjikisht dhe të dhunshëm deri në ekstrem. Arsyeja më e shpeshtë e vrasjes nga burrat të 24 grave gjatë vitit 2012 është xhelozia, por hetimet zbulojnë se në familjet ku ndodh vrasja ka një varfëri ekstreme, pa asnjë shpresë për punë, borxhe që nuk mund t'i shlyejnë. Por nuk janë vetëm këto rrethana. Atyre u shtohen mentaliteti dhe një kulturë patriarkale, ku burri e konsideron gruan pronë të vetën. Kur të gjitha këto bashkohen dhe ndërveprojnë ndodh dhuna ekstreme, vrasja e grave, që është një nga shkeljet më të rënda të drejtave të njeriut” thotë Znj. Arqimandriti.

1. Mirela Arqimandriti, Executive Director, Gender Alliance Development Center Author: Ani Ruci, shot in Tirana, December 2012. Zulieferung : Ani Ruci DW correspondent Tirana = Albanien Phone: 00 355 6820 26 525 e- mail: ani.ruci@dw.de
Mirela Arqimandriti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës “ Aleanca Gjinore për Zhvillim”Fotografi: DW / Ani Ruci

Kultura e pandëshkueshmërisë

Shqipëria ka një kuadër ligjor të standardeve europiane për të mbrojtur të drejtat e njeriut, dhe ato të gruas, si pjesë e tyre integrale. Ka ligjin përkatës ku dhuna ndaj gruas konsiderohet vepër penale. Ka miratuar konventa ndërkombëtare mes të cilave edhe Konventën e Këshillit të Europës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj gruas në familje. Por rritja e numrit të vrasjeve gjatë vitit 2012 tregon se ky kuadër ligjor ose nuk zbatohet, ose nuk është efikas. "Në Shqipëri po formohet një kulturë pandëshkueshmërie për rastet e grave të vrara nga burrat. Ka dënime qesharake prej 5- 6 vjet dhe jo kapitale, si parashikon ligji. Në këto raste hyjnë në lojë kushte lehtësuese që paraqesin gjykatat: vrasje për motive të dobëta, moskontroll i emocioneve, çekuilibër mendor, që zbusin dënimin që përfundon vetëm me disa vite burg. Autorët e vrasjeve u shpëtojnë me disa vite burg detyrimeve familjare ekonomike, pasi fëmijët e mbetur pa nënë ua rrisin të tjerët. Ata jetojnë për pak vjet në burg, kanë “hequr qafe” njeriun që i bezdiste dhe kanë vënë në vend “nderin e tyre” të nëpërkëmbur. Kur e përmend këtë të fundit kam parasysh se shpesh është komuniteti , burrat e tjerë që hiqen si shokë apo miq që i japin dorën e fundit vrasësit” thotë Mirela Arqimandriti.

Shoqata “ Në dobi të gruas shqiptare” po monitoron që prej 12 vitesh proceset gjyqësore ndaj autorëve të krimit të vrasjes së grave. Drejtuesja e kësaj shoqate, Sevim Arbana thotë që deri më sot dosjet e vrasjeve nuk janë zbardhur dhe gjykatat nuk kanë dhënë asnjë dënim kapital. “Ajo që duam të arrijmë është rritja e presionit të shoqërisë civile ndaj sistemit të drejtësisë dhe sidomos gjykatave që nuk ndëshkojnë autorët e vrasjeve dhe lobimi për masa më të ashpra ligjore”, thotë Arbana.

Nisma e shoqërisë civile për ta ndryshuar situatën

Një nisëm e shoqërtisë civile synon ta ndryshojë këtë situatë duke e shpallur vitin 2013” vit të luftës kundër dhunës ndaj gruas”. Për këtë qëlllim 10 organizata të shoqërisë civile për mbrojtjen e të drejtave të grave do të krijojnë brenda këtij muaji një Task Force. Si hap i parë do të jetë kryerja e një studimi lidhur me hetimin, dënimet dhe masat ndëshkuese ndaj dhunës në familje dhe rasteve ekstreme të vrasjes së grave gjatë vitit 2012. Për Drejtoren Ekzekutve e të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçaj, studimi duhet të mbështetet në një informacion direkt, të dorës së parë. “Mendojmë se duhet të kryejmë një studim lidhur me krimin e vrasjes në familje për të parë se si është hetuar dhe ndëshkuar kur viktimat kanë qenë me përkatësi të ndryshme gjinore, me qëllim që të shohim nëse ka motive gjinore. Për këtë mendojmë të shkojmë në të gjitha rrethet ku ka pasur viktima të dhunës në formën e saj më ekstreme, vrasjes, dhe të marrim informacion shumëplanësh: si po ndiqet penalisht krimi, cili është qëndrim i familjes së viktimës dhe asaj të autorit të krimit, cila është situata e tyre psiko- sociale”

Nisma e 109 organizatave të shoqërisë civile synon që të zbulojë çfarë ka në bazë fenomeni i vrasjes së grave, pse situata është kaq e rënduar. Më pas t'iu drejtohet institucioneve përkatëse për të forcuar dhe rritur masat ndëshkuese kundër këtij krimi për të arritur që autorët e vrasjes së grave të marrin dënimin maksimal dënim të përjetshëm pa të drejtë amnistie.