1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria ashpërson dënimet për krimin e vrasjes

Ani Ruci6 Prill 2013

Shifrat zyrtare tregojnë se në Shqipëri ka një rritje të ndjeshme të kriminalitetit. Kjo situatë ka rritur zërat e publikut për rikthim të dënimit me vdekje, denim që Shqipëria e ka hequr, si vend anëtar i KE.

https://p.dw.com/p/18AtW
Eduard Halimi, Ministër i DrejtësisëFotografi: DW/A. Ruci

Kronikat e zeza në gazeta dhe në ekranet televizive të Shqipërisë publikojnë pothuajse çdo ditë vrasje burrash, grash, të moshuar. Autorët e vrasjeve nuk kursejnë as fëmijët. Nuk mungojnë vrasjet makabre. Nuk mungojnë vrasjet e policëve, të komisarëve të policisë. Shifrat zyrtare tregojnë se në Shqipëri ka një rritje të ndjeshme të kriminalitetit lidhur me krimin urban: vrasje për gjakmarrje, rritje të vrasjes së grave si pasojë e rritjes së dhunës në familje dhe mbi të gjitha rritje të rasteve të ngritjes së dorës ndaj policisësë shtetit. Kjo situatë alarmante ka rritur zërat e publikut për rikthim të dënimit me vdekje, denim që Shqipëria e ka hequr, si vend anëtar i Këshillit të Europës. Për t’ iu përgjigjur kësaj situate dhe shqetesimit nerritje te publikut është ndjekur një rrugë tjetër: jo rikthimit të dënimit me vdekje por reformimit të Kodit Penal përmes një pakete të re ligjore, që këto ditë do t’ i paraqitet Parlamentit për miratim. Paketa është hartuart nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me ekspertë të EURALIUS-it – misioni i BE për reformimin e Drejtësisë në Shqipëri si edhe me ekspertë nga Franca dhe Italia.

Paketë e re ligjore për dënimin e autorëvetë vrasjeve - 40 vjet burg dënimi më i ulët

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi thotë për DW se hartimi i kësaj pakete ligjore është pjesë e reformimit të Drejtësisë sipas standarteve që kërkon BE për progres të Shqipërisë në procesin e integrimit Europian. Ajo synon një drejtësi penale efektive, përmes ashpërimit të dënimeve dhe parandalimit të vrasjeve. Çfarë dënimesh parashikon kjo paketë?

“Për vrasjen e policëve dënimi shkon nga maksimumi prej 25 vitesh që është tani, në minimum 38 vjet. Ndërsa mksimumi shkon nga 40 deri në burgim të përjetshëm. Me fjalë të tjera tavanin e parashikuar për dënimin e autorëve të vrasjeve, kjo paketë e kthen në dysheme ose maksimumi i tanishëm i viteve të burgimit kthehet në minimum. Për vrasje të tjera dënimet variojnë nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm në vartësi të rrethanave rënduese në të cilat kryhen," thotë Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi

Paketa përfshin ashpërsimin e dënimeve për rastet e vrasjes për hakmarrje, akteve seksuale me dhunë me të mitur, mbajtjen e armëve pa leje, që deri tani konsiderohet kundravajtyje penale dhe dënohet vetëm me gjobë. Në realitetin e përditshëm në Shqipëri rezulton që 90% e personave që kapen me armë zjarri, lirohen nga gjykatat , pasi Kodi Penal parashikon gjobë. Në paketën e re ligjore, gjithkush që kapet me armë zjarri do të dënohet jo më pak se 10 vjet burg ndërsa denimin maksimal do ta vlerësojë gjykata. Në paketë konsiderohet krim edhe homophobia dhe vrasjet e shkaktuara prej saj, kërkesë kjo e ardhur nga Avokatit i Popullit.

Reformimi i Drejtësisë sipas Road- Map të integrimit në BE

Reformimi i Drejtësisë mbetet një nga kushtet kryesore të BE për Shqipërinë per progres në procesin e integrimit europian. Në këtë procures në disa drejtime Shqipëria ka arritje te dukshme. “Është kryer dixhitalizimi i të gjitha gjykatave, vendosja e sistemeve elektronike për zhvilimin e të gjitha seancave gjyqësore, pra sistemi audio visual dhe jo procesverbalet me shkrim dore, ku Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka arritur të realizojë deri tani. Ky system është edhe në shërbim të transparencës, si element kryesor për të luftuar korrupsionin në gjykata. Është bërë dixhitalizimi i sistemit noterial, mbështetur në eksperiencën gjermane dhe austriake, reformimi i sistemit të avokatisë, ku tani duhet arësimim për t’ u bërë avokat, reformimi i regjistrimit të pronave. Të hënën, m 8 Prill, pritet që Banka Botërore në Uashington të dalë me një deklaratë zyrtare ku sistemi i regjistrimit të pronave do të cilësohet më solidi dhe transparenti në gjithë rajonin e Ballkanit”, thotë thotë Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi

Paketa e re ligjore për ashpërsimin e dënimeve për autorët e vrasjeve shoqërohet me ndryshime në Kodin Penal dhe Civil. Ajo ka një efekt të sigurtë: parandalimin e vrasjeve. “Por nuk ështe recetë me efekte çudibërëse, nuk do të zhdukë krimin e vrasjes por do ta sprapsë dukshëm atë. Efekti parandalues është i garantuar,” thotë Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.