1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria mes "demokracicë defektoze dhe autoritarizmit"

Aida Cama9 Mars 2012

Në raportin e fundit të Economist Intelligence Unit për indeksin e demokracisë në vendet e BE dhe ato që aspirojnë antarësimin, Shqipëria është cilësuar si vend hibrid mes “demokracisë defektoze dhe autoritarizmit”.

https://p.dw.com/p/14I9M
Tirana
TiranaFotografi: DW / Aida Cama

Blerta Hoxha, analiste politike në Lëvizjen Europiane në Shqipëri ( European Movevement Albania ) thotë për DW se procesi i kalimitt nga demokracia defektoze në demokraci të shëndetshmë në Shqipëri pritet të arrihet përmes integrimit në BE, kur duhet të ishte e kundërta: një demokraci e shëndoshë e afron Shqipërinë me BE.

Skaneri i Economist Intelligence Unit e ka renditur Shqipërinë në të njëjtin grup me Turqinë dhe Bosnjë- Hercegovinën si ”vende me regjime hibride, ku ka një demokraci defektoze të shartuar me autoritarizëm". Vende të tjera fqinjë me Shqipërinë si Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Kroacia përcaktohen vetëm si demokraci difektoze. Të tilla klasifikime janë arritur në bazë të treguesve si proceset elektorale dhe pluralizmi politik, respektimi dhe garantimi i lirive civile, funksionimi i një qeverisjeje demokratike dhe kultura politike.

Blerta Hoxha, analiste politike në Lëvizjen Europiane në Shqipëri ( European Movement Albania ) thotë për DW se në Shqipëri këto aspekte ka probleme të shumta. “Vit pas viti, Progres Raportet e Komisionit Europian kanë vënë në pah jo pak probleme të funksionimit të administratës publike në Shqipëri. Ato kanë të bëjnë kryesisht me instrumentalizimin e saj nga politika, lëvizjet e shpeshta dhe të motivuara politikisht që cënojnë qëndrueshmërinë, mungesën e transparencës dhe meritokracisë në rekrutim, përdorimin e tepërt të kontratave të përkohshme, zbatimin e dobët të legjislacionit në fuqi,” thotë Blerta Hoxha.

Blerta Hoxha, analiste politike në Lëvizjen Europiane në Shqipëri
Blerta Hoxha, analiste politike në Lëvizjen Europiane në ShqipëriFotografi: DW

A garanton automatikisht procesi i integrimit europian demokratizimin?

Por në debatin politik në Shqipëri zë pak vend shqetësimi për funksionimin e një administrate publike të politizuar dhe të paftë. Pak vend zë edhe shqetësimi për tregues të tjerë që e bëjnë Shqipërinë një vend hibrid ku ”demokracia defektoze është shartuar me autoritarizmin”. Më shqetësim në rrethet politike ka për fatin e aplikimit të rradhës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, aplikim i refuzuar dy herë rradhazi për shkak të krizës politike dhe mosplotësimit të 12 prioriteteve të vendosura nga KE. Pse ndodh kështu?

“Shqipëria ia ka besuar procesit të integrimit europian garantimin e standardeve demokratike, pa reflektuar për gjendjen e demokracisë në vend dhe ku po shkon ajo. Kjo vërehet dhe nga përdorimi i tepruar i klisheve të tilla si “modeli, standardi” europian. Por të besosh që procesi i integrimit evropian do të kujdeset vetvetiu që demokracia shqiptare të gëzojë shëndet të mirë, është naive. Tashmë është provuar më së miri, si nga pikëpamja empirike ashtu dhe ajo akademike që ky proces nuk mund të garantojë automatikisht demokratizimin e një vendi. Por ai mund të ofrojë një kornizë parimesh bazë të demokratizimit. Që ndodh kështu dhe jo ndryshe e tregon regresi i rrezikshëm i muajve të fundit me demokracinë në Hungari,” thotë Blerta Hoxha.

Sytë tek Brukseli – apo përvetësim i kulturës demokratike nga klasa politike?

Tranzicioni i gjatë dhe i vështirë, zgjedhjet e kontestuara, administrata e politizuar, kultura politike e konfliktit dhe jo e kompromisit, korrupsioni kanë ushqyer idenë se integrimi europian është mundësia e vetme për demokratizimin e vendit.

“Shoqëria shqiptare duhet të mos i mbajë sytë vetëm tek Brukseli, por të forcojë vizionin për demokracinë dhe të punojë për ndërtimin e saj. Klasa politike lypset të emancipohet dhe të përvetësojë një kulturë politike më demokratike. Brukseli nuk mund ta zëvendësojë as klasën politike as shoqërinë e Shqipërisë. Në fund të fundit, detyrat dhe përgjegjësitë, ashtu sikurse përfitimet janë mbi të gjitha për shqiptarët, jo për Brukselin,” thotë Blerta Hoxha..

Në samitin e radhës Këshilli Europian me rekomandimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, vendosi ditët e fundit t'i japë Serbisë statusin e vendit kandidat. Shqipëria ka shansin e radhës në tetor të këtij viti, pas publikimit të Progres Raportit për vitin 2012.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama