1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria - nga vendi i shqiponjave në vendin e ullinjve

Ani Ruci13 Nëntor 2008

Një nismë e saposhpallur nga Kryeministri Berisha synon të katërfishojë sasinë e rrënjëve të ullirit në Shqipëri. Pritet mbjellja e 20 milionë fidanëve të ullirit.

https://p.dw.com/p/FthQ
Konsumatorët e vajit të ullirit në Shqipëri ende të pandërgjegjësuar për vlerën vajit të ullirit që prodhohet në vendFotografi: Aida Cama

Pozicioni gjeografik i Shqipërisë e rendit atë në vendet mesdhetare, të njohura në të gjithë botën për kultivimin e ullirit, shijen dhe cilësinë e vajit. Shifrat zyrtarte flasin për rreth 5 milion rrënjë ullinj në shkallë vendi, kryesisht në rrethin e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Mallakastrës deri në ato të Elbasanit dhe Tiranës. Nga kjo shifër, vetëm 3 milion 500 mijë rrënjë janë në prodhim, me një prodhim mesatar në vit prej 40 mijë ton.

Berisha.jpg
Sali BerishaFotografi: AP

Por një nismë e saposhpallur nga Kryemnistri Berisha synon ta katërfishojë sasinë e rrënjëve të ullirit në Shqipëri. Nisma merret ne kuadër të programit për zhvillimin e bujqësisë. Berisha: " Do të hartojmë me shpejtësi një program, që do të bëjë të mundur mbjelljen e 20 milion fidanëve të ullirit. Të gjithë ata që duan të krijojnë plantacione t´u ofrohet sipërfaqja me një euro në djerrina. Krahas kësaj çertifikimi i vajit të ullirit do të marrë përparësi të madhe." tha dje kryeministri Berisha, në mbledhjen e qeverisë.

Olivenbaum Olea europaea Oleaceae Oliven Olive tree
Fotografi: Illuscope

Synohet kthimi në vend eksportues të vajit të ullirit

Nisma për të mbjellë 20 milionë fidanë do të konkretizohet hap pas hapi duke filluar nga identifikimi i sipërfaqjeve të përshtatshme për të kultivuar këtë kulturë dhe deri tek tërheqja e fermerëve vendas apo investitorëve të huaj me çmimin e nismës" Shqipëria një euro".

Me 25 milionë ullinj Shqiperia synon të kthehet nga një vend importues i vajit të ullirit në një vend eksportues. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave Shqipëria eksporton në vit 20.873 ton vaj ulliri dhe importon 363 314 ton. Por konsumatorët e vajit të ullirit në Shqipëri nuk janë të ndërgjegjësuar ende për një gjë të rëndësishme: ata nuk e dinë që produkti vendas është më i mirë, më i pastër, më i sigurt sesa se i importuari.

Për realizimin e nismës së mbjelljes së 20 milion fidanëve të ullirit qeveria e Tiranës do të kërkojë edhe mbështetjen e vendeve mesdhetare të njohura për traditat e pasura në kultivimin e kësaj kulture.

Një Shqipëri me 25 milion rrënjë ullinj, në raport me sipërfaqjen e saj të vogël, do të bënte që ne vitet e ardhme, ajo të njihej jo vetëm si deri më sot, si "vendi i shqiponjave", por ka të ngjarë edhe si " vendi i ullinjve".