1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Negociatat me BE, reforma në drejtësi dhe opozita

19 Janar 2018

Shqipëria trefishon eksportet me BE, ngre një mekanizëm monitorimi për Zonën Ekonomike Rajonale.

https://p.dw.com/p/2rAvK
Gebäude der EU-Kommission in Brüssel!
Fotografi: picture alliance / Arco Images GmbH

Burime zyrtare nga Delegacioni i BE-së në Tiranë bënë me dije të premten (19.01) se Shqipëria ka rritur 3 herë më shumë eksportet me BE-në dhe 2 herë vëllimin e përgjithshëm tregtar që nga viti 2006, kur hyri në fuqi marrëveshja e Stabilizim Asocimit me BE. Të dhënat publikohen pas një takimi të zhvilluar një ditë më parë në Bruksel, mes Komisionit Europian dhe autoriteteve të Tiranës lidhur me Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar të Shqipërisë me acquis communautaire  përkatës të BE-së në këto fusha.

Komisioni Europian ka përshëndetur progresin në përafrimin e legjislacionit sidomos paketën  ligjore në fushën e turizmit dhe ka inkurajuar autoritetet e Tiranës që të miratojnë Strategjinë  e Turizmit.

Procesi i Berlinit - Monitorim për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale

Një zhvillim shumë i mirëpritur nga Komisioni Europian ështe ngritja nga qeveria e Tiranës e një mekanizmi për monitorimin e Zonës Ekonomike Rajonale (REA - Regional Economic Area). Krijimi i kësaj zone është projekti madhor rajonal  i Procesit të Berlinit, për të cilin u ra dakord mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Triestes, i katërti në serinë e samiteve të procesit në fjalë.

Johannes Hahn, Komisioneri i BE pëe Politikat e Zgjerimit dhe të Fqinjësisë së Mirë e ka vlerësuar krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale  "prioritet kyç për të nxitur rritjen ekonomike dhe punësimin ne Ballkanin Perëndimor pasi ekonomia është e para për të sjellë progres në procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.”

Krijimi i Zonës Ekonomike Rajonale konsiderohet si një bazë për hyrjen e rajonit në BE dhe heqjen e të gjitha pengesave për vendosjen e një hapësire të vetme ekonomike  me synimin e integrimit në tregun e brendshëm të BE për një periuudhë afatgjatë.

Negociatat e anëtarësimit, reforma në drejësi dhe opozita

Shqipëria shpreson të hapë negociatat e anëtarësimit me BE në 6 mujorin e parë të këtij viti. Përveҫ përafrimit të legjislacionit në të gjitha fushat me acquis communautaire hapja  e tyre kushtëzohet nga rezultatet konkrete  dhe të qëndrushme të zbatimit të reformës në drejtësi. Opozita e djathtë, e kryesuar nga PD, kundërshton emërimin e prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku dhe e kponsideron atë antikushtetuese, kurse maxhoranca qeverisëse e quan të ligjshme dhe në linjë me ecurinë e reformës në drejtësi. Opozita ka paralajmëruar një valë protestash në të gjithë vendin që hapen javës që vjen, më  27 janar, me protestën përballë godinës së kryeministrisë kundër asaj që opozita e quan” paligjshmëri të qeverisë”.

Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një nga strukturat e Refomës në Drejtësi, e parashikuar në Kushtetutë por e vonuar një vit për shkak të mosmarrveshjeve maxhorancë –opozitë, pritet të emërojë edhe Prokurorin e Përgjithshëm me një mandat 7 vjeçar.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana