1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtohet radioaktiviteti nga shpërthimet

15 Mars 2011

Përsëri lajme shqetësuese nga Japonia. Të martën në mëngjes ndodhi një shpërthim tjetër në centralin bërthamor Fukushima 1. Rrezatimi ka arritur vlera, që rrezikojnë jetën e qytetarëve.

https://p.dw.com/p/10ZIr
Skuadra shpëtimi me veshje antiradioaktive në FukushimaFotografi: picture-alliance/dpa

Gjendja në centralin bërthamor japonez Fukushima 1 po del gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit. Të martën në mëngjes pati edhe një shpërthim tjetër. Kësaj radhe shpërthimi ka ndodhur në bllokun 2. Si pasojë e shpërthimit të tretë brenda katër ditësh, sipas të dhënave të firmës menaxhuese, është dëmtuar edhe mbështjellësi i reaktorit.

Një shkrirje bërthamore nuk mund të përjashtohet më

Japan / Fukushima / Atomkraftwerk
Centrali atomik FukushimaFotografi: AP

Rrezatimi radioaktiv përreth Fukushimës 1 ka kaluar vlerat normale duke arritur vlerat, me të cilat rrezikohet jeta e qytetarëve. Zona e sigurisë është zgjeruar në një perimetër prej 30 kilometrash përreth Fukushimës. Kryeministri Naoto Kan kërkoi nga njerëzit në rajon, që të kalojnë në vende më të sigurta. „Ka pasur shpërthime të hidrogjenit në reaktorët 1 dhe 3, si dhe një zjarr në reaktorin 4. Shkalla e rrezatimit në këtë zonë është tani është shumë e lartë. Ekziston shqetësimi se mund ketë rrjedhje të tjera, kështu që bëj thirrje, që të gjithë njerëzit përreth centralit Fukushima të largohen nga rajoni, madje edhe jashtë zonës prej 20 kilometrash, të përcaktuar më parë “, tha kryeministri Naoto Kan.

Nga gërmadhat janë nxjerrë deri tani 2400 viktima

Japan nach dem Erdbeben und Tsunami
Miyako, në prefekturën Iwate, 14 mars 2011Fotografi: AP

Në bregdetin verlilindor japonez të shkatërruar nga tërmeti dhe cunami shumë njerëz e kanë kaluar natën e katërt pa ujë të pijshëm, pa ushqime dhe ngrohje. Përmasat e katastrofës natyrore të së premtes po bëhen gjithnjë e më të qarta. Në provincën e goditur rëndë Miyagi çdo orë gjenden kufoma të tjera. Sipas policisë deri tani nga gërmadhat janë nxjerrë mbi 2400 viktima, disa mijëra banorë konsiderohen ende të zhdukur. Po ashtu edhe jashtë rajoneve të prekura nga tërmeti ka filuar të ndjehet mungesa e ushqimeve, energjisë elektrike dhe derivateve të naftës. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara janë 1.4 milionë njerëz, që duhet të furnizohen me ujë të pijshëm. Grupi prej 40 ndihmësve i Shoqatës gjermane për Ndihmë Teknike (THW) ndërkohë ka përfunduar misionin e tij. Katër ditë pas tërmetit dhe cunamit praktikisht nuk ka më gjasa për të gjetur të mbijetuar, sqaroi një përfaqësues i THW-së.

Rënie e indeksit të aksioneve japoneze

Japan Börse Nikkei
Bie indeksi i Nikeit 15 mars 2011 në TokioFotografi: AP

Për shkak të ngjarjeve dramatike në centralin bërthamor Fukushima vazhdon të bjerë edhe indeksi i aksioneve japoneze. Indeksi Nikkei shënoi një rënie prej 13 për qind dhe ndodhet nën 8400 pikë, pra nën nivelin e rëndësishëm psikologjik prej 10 mijë pikëve. Për të qetësuar tregjet financiare Banka Qendrore japoneze vuri në qarkullim edhe 44 miliardë euro. Të hënën Banka Qendrore japoneze kishte vënë në qarkullim 130 miliardë euro. Nga shkatërrimet dhe reduktimet e paralajmëruara të energjisë elektrike janë prekur shumë sipërmarje industriale në mesin e tyre edhe prodhuesi i automobilëve Toyota.

Autor: DW, DPA / Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica