1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Smog mbi Athinë

Clemens Verenkotte / E. Xhani28 Dhjetor 2013

Qeveria greke ka shtuar ndihmën për ngrohje për familjet në nevojë për shkak të rritjes së çmimit të vajit për ngrohje. Por kjo nuk mjafton.

https://p.dw.com/p/1Ahta
Smog mbi Athinë
Fotografi: dapd

Në shumë apartamente me qera, kaloriferët mbeten të ftohtë nëse një familje nuk paguan për depozitën e përbashkët të vajit. Shumë familje për pasojë kanë nisur të ngrohin me soba të sajuara. Zjarret në banesa dhe rritja e ndotjes së ajrit janë pasojat.

"Kjo është natyrisht shqetësuese, për të gjithë. Nuk është e drejtë. Ata duhet të bëjnë diçka që njerëzit të kenë vaj për ngrohje."

Poppy Pasaki, një athinase në mes të të dyzetave thotë me fjalë atë që banorët e kryeqytetit grek nuhasin, shohin dhe thuajse shijojnë çdo ditë: erën e drurit të djegur, që digjet në një numër të madh banesash në pallatet e mëdha me qera, shtrënguar nga nevoja. Tymi ndër të tjera nxirret jashtë me anë tubash të sajuar në mënyrë aventureske. Në shumë lagje të Athinës shitet dru zjarri në tezga të improvizuara. Ministria greke e Shëndetësisë u detyrua të bënte një thirrje me ngulm: ndotja e ajrit ka arritur ndërkohë një nivel aq të lartë sa njërëzit duhet të heqin dorë në çdo rrethanë nga përdorimi i vatrave të zjarrit në banesa.

Ndotja e ajrit në Athinë - Smog mbi Akropol
Fotografi: Imago

Varfëria më shqetësuese se smogu

Smogu, thotë një kalimtar në Athinë, është ende shqetësimi më i vogël: "Natyrisht jam i shqetësuar, por më shumë më shqetësojnë grekët që jetojnë në varfëri. Kjo është një tragjedi pasi qeveria nuk kujdeset për gjëra që janë më të rëndësishme si uria dhe varfëria e njerëzve. Kur mendoj se ka njerëz pa kulm mbi kokë, që janë të uritur dhe vuajnë të ftohtin, familje që jetojnë pa elektricitet dhe ngrohje atëherë nuk shqetësohem për smogun."

Çmimet për vajin për ngrohje vitet e kaluara janë rritur me shpejtësi, nga 40 cent për litër para krizës në aktualisht 1 euro e 36 cent, një nga pasojat e rritjes disa herë të taksave. Akuzën se qeveria po i lë në baltë familjet në nevojë, ministri i Financave Stournaras e hedh poshtë: për këtë rreth personash ka një ndihmë për ngrohje dhe ajo është rritur në 35 cent për litër. Rreth gjysmë milioni grekë kanë paraqitur ndërkohë kërkesa për këto ndihma, pjesa më e madhe është miratuar. Por ndërkohë është bërë e zakontë që pallatet më qera nuk porosisin më vaj ngrohje për dimër sapo një prej familjeve nuk është në gjendje të paguajë pjesën e vet, konstaton organizata më e madhe për mbrojtjen e konsumatorit në Greqi, INKA.

Lypës në një rrugë të Athinës
Akuza: qeveria greke lë në baltë të varfërit!Fotografi: picture alliance/Robert Geiss

Çifi Gounousepetzis jeton me shtatë fëmijët në një periferi të Pireut në një pallat të papërfunduar plotësisht. Qeranë ka një vit që nuk e paguan më, po kështu edhe faturat e rrymës dhe ujit, thotë kryefamiljari Jorgos. Dyqanin e perimeve iu desh ta mbyllin në 2012. Kaloriferët janë të ftohtë, rrymën për rezistencën e ngrohjes në banesë e marrin nga një tel i fqinjit. Situatën e familjes Jorgos e përmbledh me fjalët: "Nga mëngjesi kur zgjohen, në rast se kam arritur të mbyll sy natën, mendoj vetëm se si mund të mbijetojmë edhe një ditë."