1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së hënës

AUD14 Prill 2008

Në fokus: zgjedhjet në Itali dhe ngritja e përbotshme e çmimeve të ushqimeve

https://p.dw.com/p/Dh5u
Një grua para listave të zgjedhësve në Romë
Një grua para listave të zgjedhësve në RomëFotografi: AP

Për zgjedhjet në Itali, në gazetën NORDKURIER që botohet në Neubrandenburg ndër të tjera lexojmë:

"Edhe nëse prej italianëve kërkohet më dendur se prej popujve të tjerë që të shkojnë të votojnë, atyre duhet t'u ketë mbetur në mendje se edhe njeriu i pushtetit, Berluskoni nuk ka qenë në gjendje t'u japë përgjigje problemeve sociale dhe ekonomike të çizmes italiane. Përkundrazi, nën qeverisjen e tij korrupsioni lulëzoi si kurrë më parë, ndërsa mafia ishte e sigurtë se nuk do të dilte veçanërisht në shenjëstrën e kryeministrit të atëhershëm. Meqenëse nga djaj në ëngjëj nuk janë në gjendje të shndërrohen të gjithë, edhe premtimi i Berluskonit për të eleminuar taksën për automjetet nuk duhet të jetë gjë tjetër veç një patericë ndihmëse për t'u ngjitur në pushtet."


Me ngritjen e përbotshme të çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve të para merret gazeta EXPRESS e Këlnit:

"Ngritja e jashtëzakonshme e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve të para merr përmasa gjithnjë e më kërcënuese. Në Gjermani, qytetarët përjetojnë se çdo ngritje rroge ose pensioni gëlltitet nga shpenzimet shtesë për ushqimin, ngrohjen dhe transportin. Në vendet e varfra pasojat janë shumë më dramatike: qindra mijëra vetë kërcënohen nga vdekja prej urisë. Politika ndërkombëtare duhet të veprojë menjëherë, për të mënjanuar një katastrofë. Kështu për shembull duhet të eleminohet kuota absurde e qumështit në BE. Ajo i përcakton çdo fshatari në BE, se sa lejohet të prodhojë dhe kujdeset kështu për një pakësim artifical të ofertës. Edhe karburanti biologjik i festuar si shpëtimtar i klimës duhet të kalojë në bankën e provës. Nuk mund të bëhet që Perëndimi i pasur t'u marrë të varfërve ushqimin, për t'i dhënë me të veturës. Ushqimi duhet të mbetet i pagueshëm për të gjithë."

Ja së fundi edhe LEIPZIGER VOLKSZEITUNG po për të njëjtën temë:

" Tregu nuk ka ndërgjegje. Për fat të keq kjo vlen edhe për disa politikanë agrarë, përndryshe ata do t'i kishin eleminuar me kohë subvencionet. Ka ardhur koha që të liberalizohet me të vërtetë tregtia e ushqimeve. Veç kësaj, e nevojshme është ndërhyrja e Bankës Botërore dhe e FMN, në koordinim me Kombet e Bashkuara. Në plan afatshkurtër ndihmojnë paratë për të shuar urinë e më të varfërve. Në plan afatgjatë duhen ndihma për zhvillimin, në mënyrë që shtetet e varfra të mbjellin më shumë drithëra dhe të ndërhyjnë në mënyrë rregulluese në çmimet e ushqimeve."