1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së hënës

DW/PP2 Shkurt 2009
https://p.dw.com/p/Gldx
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në muajin janar, Papa Benediktit i XVI shfuqizoi vendimin për përjashtimin nga kisha të katër peshkopëve të një vëllazërie tradicionaliste, ndër të cilët bënte pjesë edhe peshkopi katolik Richard Williamson. Ky i fundit e përgënjeshtroi disa ditë më pas holokaustin, gjë që çoi në regime të forta në Izrael dhe bashkësitë hebreje. Ministri izraelit për fenë, Jitzhak Kohen, u shpreh madje për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin. Gjatë fundjavës zëdhënësi i Ministrise së Jashtme të Izraelit deklaroi, se deklaratat e ministrit për fenë përfaqësojnë mendimin e tij personal dhe se nuk do të ketë ndërprerje të marrëdhënieve me Vatikanin. Madje sipas tij edhe vizita e Papa Benediktit të XVI në Izrael është e mundshme. Ky kompleks temash trajtohet edhe në shtypin gjerman:

Gazeta Generalanzeiger (Bonn) shkruan:

Rishikimi i vendimit për për përjashtimin nga kisha të katër peshkopëve ishte jo vetëm i mundshëm nga këndvështrimi i së drejtës kishtare por edhe i nevojshëm. Sikurse edhe u vetëjustifikua me këtë vendim Papa nuk kishte synim të merrej me raportin me hebrejtë, por me unitetin e kishës me vëllazërinë e vëllezërve të Piut, që vazhdojnë të ndjekin traditën e ritit të vjetër latin. Kundër një veprimi të tillë nuk ka gjë për të kundërshtuar, sikur anëtarët e kësaj vëllazërie të këmbëngulnin vetëm për këtë rit. Për fat të keq shumë prej drejtuesve të kësaj vëllazërie këmbëngulin edhe për një anti-judaizëm të periudhës së para Këshillit Papal, duke u nisur nga pretendimi dhe lutja ndaj Judës gjoja mosbesues, të cilin Gjoni i XXIII e hoqi nga liturgjia.

Kurse Westfälischer Anzeiger vëren:

Me disa pak vendime të pafata Benedikti i XVI ia arriti që ta dëmtojë rëndë raportin me hebraizmin, ta varrosë kredibilitetin e kishës dhe të ndihmojë që një organizatë obskurantiste brenda kishës të bëhet në një nivel të tillë e njohur, që nuk e meriton as nga numri i anëtarëve dhe as nga rëndësia e deklaratave të tyre. Për momentin duket se Benedikti i XVI dhe këshilltarët e tij në Vatikan e paskan humbur kontaktin me realitetin. Një Papë që godet njëlloj si katolikët edhe jo-katolikët duket se nuk jeton në këtë botë.