1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për automjetin e punës të Ministres së Shëndetësisë të Gjermanisë

27 Korrik 2009
https://p.dw.com/p/IxxO
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në qendër të shtypit të sotëm gjerman është shfrytëzimi me sa duket i pazakonshëm i automjetit të punës nga një ministër. Shkak për zbulimin u bë një ngjarje e rëndomtë, vjedhja në Spanjë e limuzinës zyrtare të ministres federale të Shëndetësisë Ulla Schmidt, e cila gjendet atje për pushime. Zonja Schmidt thotë se në Spanjë kishte edhe disa takime pune dhe për këtë i duhej makina zyrtare. Dhe për sa kohë ajo mund të dëshmojë se nuk e ka përdorur limuzinën për qëllime private, të paktën juridikisht, punët janë në rregull.

"Veprimi i ministres", shkruan "Rheinische Post", "lë një shije e pakëndshme. Si ministre, Ulla Schmidt i urdhëron mjekët, shoqëritë e sigurimeve shëndetësore dhe spitalet të ndjekin një regjim të fortë kursimi. Si anëtare e qeverisë ajo përbetohet se i përdor me kursim burimet tona financiare. Dhe pavarësisht prej faktit nëse ajo e bën apo jo llogarinë e shpenzimeve konform ligjit, pra duke ndarë shpenzimet private nga ato për arsye pune, urdhëri që limuzina zyrtare të bëjë mijëra kilometra kryq e tërthor Evropës është arrogancë dhe paturpësi."

Gazeta "Südwestpresse" (Ulm) shkruan:

"Politikanët tanë, ka diçka që nuk ia lejojnë vetes? Ministrja e Shëndetësisë Ulla Schmidt ka nevojë që t'i vijë nga Berlini, pra nga 2.400 km larg, limuzina e saj shtetërore që të vizitojë disa azile pleqsh në Alikante të Spanjës, ku po kalon pushimet. Automjetet e ambasadës gjermane në Spanjë, makinat me qera apo thjesht një taksi nuk i përgjigjen vallë sërës së saj. Edhe në rast se ministrja do të kishte të drejtë sipas ligjit, kjo nuk justifikohet. Sepse jo gjithçka që i përgjigjet ligjit, është e drejtë. Ekzistojnë edhe vlerat dhe vlerësimet morale. Në kohë krize, si tani, prej të gjithëve kërkohet të kursejnë. Dhe politikanët duhet të japin në këtë pikë shembullin e tyre. Po si duket përdorimi i kujdesshëm i të ardhurave të mbeldhura nga taksapaguesit është për politikanët diçka e huaj."


Autor: dpa/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi