1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për notin dhe industrinë

Auron Dodi29 Korrik 2009
https://p.dw.com/p/IzQU
Shtypi gjerman për notin dhe industrinë. Faqe te para te gazetave gjermane
Shtypi gjerman për notin dhe industrinëFotografi: picture-alliance/dpa

Ndër temat e të përditshmeve gjermane veçojmë sot disa artikuj që lidhen me Kampionatin Botëror të Notit që zhvillohet në Romë. Përveç lajmeve të gëzuara për rekordet në këtë kampionat, gazetat merren me kostumet e reja të notit, të prodhuara me teknologji të lartë, që nuk kanë më asgjë të përbashkët me veshjet tradicionale të notit.

"Westdeutsche Zeitung" shkruan:

"Asgjë s'është më si dikur. Në Romë rekordet botërore po shndërrohen në farsë. Ajo që të bie në sy në të gjithë këtë marrëzi është se sporti ka kohë që i është përulur diktatit të ekonomisë dhe të industrisë. Eshtë e drejtë që përparimi nuk mund të ndalet, por në Romë duket se spiralja është përdredhur aq tepër, sa kthimi tek rrënjët e dikurshme duket mjaft i këndshëm."

Gazeta "Nürnberger Nachrichten" boton një intervistë me Norbert Warnatzsch, trainerin e notares dhe kampiones së dyfishtë olimpike gjermane, Britta Steffen, i cili e sheh në mënyrë kritike rëndësinë gjithnjë e më të madhe që po u jepet kostumeve të notit të teknologjisë së lartë në garat e notit.

"Unë do të kthehesha te rrënjët e dikurshme, rroba banje për meshkujt dhe kostum banje për femrat. Gjetja e tregjeve të reja nga industria e prodhimit të artikujve sportivë është edhe çështje fitimi. Por në garat sportive vendin e parë duhet ta zënë aftësitë e sportistëve, dijet, taktika dhe motivimi i tyre," thotë 62-vjeçari, që nuk e fsheh pakënaqësinë për ofertat për kostume noti të teknologjisë së lartë edhe për sportistët e rinj. "Ne duhet të punojmë për bazat, për teknikën, rezistencën. Eshtë marrëzi t'u ofrosh sportistëve të rinj kostume të tilla, ata duhet mësohen me ndjenjën në ujë që të gjejnë mundësi të reja për të përmirësuar kohën e tyre dhe rekordet."

Autor: dpa/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi