1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman rreth proceseve gjyqësore kundër demonstruesve në Iran dhe sfidave të NATO-s

3 Gusht 2009

Shtypi: Proceset në Iran të kujtojnë proceset farsë të Moskës

https://p.dw.com/p/J2Ie
Fotomontazh, Ahmadinexhadi perpara gazetave gjermane
Shtypi gjerman për IraninFotografi: Picture-Alliance /dpa/AP/DW

Në qendër të shtypit gjerman janë sot proceset gjyqësore që kanë nisur në Iran kundër kritikëve për procesin e rizgjedhjes së presidentit Ahmadinexhad si dhe sfidat që e presin NATO-n.

Gazeta TAGESZEITUNG që botohet në Berlin i komenton kështu proceset gjyqësore që kanë nisur në Iran kundër kritikëve për procesin e rizgjedhjes së presidentit Ahmadinexhad:

"Gjithçka të kujton proceset farsë të Moskës: të burgosurit e munduar, të poshtëruar dhe me shenja torturash, pranimet e imponuara dhe teoritë e komploteve, të cilat vihen në tryezë prej pushtetmbajtësve. Që regjimi e sheh veten të detyruar të përdorë mjete të tilla, që ai vret demonstrues në rrugë të hapur ose i masakron në burgje me tortura, tregon sa thellë kanë zënë vend frika dhe pasiguria te pushtetmbajtësit."

Më tej në TAGESANZEIGER lexojmë:

"Është e habitshme, se sa shpejt vihet në vështirësi një regjim, i cili deri pak javë më parë besonte se qendronte pa u lëkundur mbi kalë, sa të hedhë poshtë jo vetëm parime të predikuara për dekada me radhë. Të ndaluara shpallen madje edhe ritualet apo zakonet islamike, me të cilat regjimi synonte t'i bënte për vete masat. Mijëra vetë që donin të merrnin pjesë të shtunën në një ceremoni mortore për demonstruesit e vrarë, u ndaluan me shkopinj dhe armë të merrnin pjesë. Në Iran mjafton sot që të thërasësh: "Allah o Akbar" (Zoti është i gjithëfuqishëm) që të konsiderohesh i dyshimtë."

COBURGER TAGEBLATT, merr shkas nga zgjedhja e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmusen, dhe kujton sfidat që e presin NATO-n:

"Sfida tjetër është e natyrës strategjike: NATO-ja rritet e rritet, ajo është tërheqëse për gjithnjë e më shumë anëtarë, para së gjithash për ata nga masa e falimentimit të Bashkimit Sovjetik të shuar. Por çfarë kërkon Aleanca në fakt? Ku janë kufijtë e një "Aleance të Atlantikut Verior"? A kërkon NATO-ja të bëhet një lloj OKB-je ndihmëse, vetëm që godet pak më fort se helmetkaltërtit e OKB-së? Kemi të drejtë t'i presim me interes përgjigjet e Sekretarit të ri të Përgjithshëm".

Autor: dpa/taz/Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani