1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjermanofon për Serbinë

2 Mars 2012

Statusi i kandidatit për anëtarësim për Serbinë ka rëndësi të madhe politike, por domethënie shumë të vogël praktike, vlerësohet në shtypin gjermanofon

https://p.dw.com/p/14DHf
Pamje simbolike e gazetave gjermane
Fotografi: picture-alliance/dpa

Fillimisht në gazetën 'Der Tagesspiegel' lidhur me këtë temë lexojmë:

"Serbia tashmë ka vite që po troket në derën e Bashkimin Evropian. Me arrestimin e të dyshuarit për krime të luftës Ratko Mlladiç, majin e kaluar vendi bëri një hap të madh drejt BE-së. Në samitin e BE-së dhjetorin e kaluar, krerët e shteteve dhe të qeverive u shprehën për mundësinë e dhënies së statusit të kandidatit për Serbinë. Megjithatë, ata vendosën ta kushtëzojnë Serbinë, që së pari të normalizojë marrëdhëniet e saj me Kosovën. Beogradi ndërkohë e ka bërë një gjë të tillë: në bazë të një marrëveshje të arritur javën e kaluar Serbia nuk e njeh edhe më tej pavarësinë e Kosovës, por ajo nuk kundërshton pjesëmarrjen e ish-krahinës në konferencat ballkanike. Por edhe pse Serbia është tani një vend kandidat, rruga e saj për në BE është ende e gjatë - deri në fillimin e bisedimeve për pranimin formal mund të kalojë shumë kohë. Vëzhguesit presin që Serbia të bëhet anëtare e BE-së nga fundi i kësaj dekade", theksohet në 'Der Tagesspiegel'.

Ndërsa në 'Die Presse' të Vjenës po për këtë çështje lexojmë:

"Se kur mund të fillojë Serbia negociatat konkrete për anëtarësim me BE-në mbetet ende çështje e hapur. Mbetet ende 'shumë punë për të filluar negociatat për anëtarësim', tha presidenti serb Boris Tadiç. Qytetarët e Serbisë do të duhet të mbajnë tërë barrën e politikës së reformës, e cila duhet të krijojë një shoqëri demokratike, që respekton të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve në vend. 'Kjo është një arritje e jashtëzakonshme', tha Van Rompuy për statusin e ri të Serbisë. Ky ishte rezultati i marrëveshjeve të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Ai shpreson që statusi do ta inkurajojë Serbinë për të përmbushur kriteret për pranimin në BE, tha presidenti i Këshillit të BE-së. Ndërkaq presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso foli për një "vendim të mirë". Ai tregon se Bashkimi Evropian vazhdon të mbetet ende tërheqës."

Kalojmë në gazetën 'Financial Times Deutschland', nga e cila shkëpusim:

"...Për vite me radhë pengesa kryesore për afrimin e Serbisë me BE-në kanë qenë mungesa e sundimit të ligjit, mungesa e vullnetit për të ekstraduar të kërkuarit për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe lulëzimi i korrupsionit. Komisioni i BE-së e arsyetoi propozimin e tij për të njohur Serbinë si vend kandidat me përparimet e konsiderueshme në të gjitha çështjet kritike. Diplomatët evropianë jozyrtarisht u referohen edhe zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, që sivjet pritet të zhvillohen në Serbi. Për të konkuruar më mirë forcat nacionaliste në vend, presidentit Tadiç i duhen rezultate konkrete të politikës së tij proevropiane. Kështu statusi i kandidatit ka rëndësi të madhe politike, por domethënie shumë të vogël praktike. Nuk ka ende asnjë datë për hapjen e negociatave të pranimit. Diplomatët llogarisin që kjo të ndodhë atëherë kur Serbia të ketë zgjidhur mosmarëveshjet me Kosovën: Kosova e shkëputur në vitin 2008 nga Serbia dëshiron po ashtu të bëhet anëtare e BE-së", nënvizon 'Financial Times Deutschland'.

Autorë: Agjencitë e lajmeve / E. Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi