1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi mbi ligjin gjerman të shpronësimit të Hypo Real Estate

EXH (vfb)19 Shkurt 2009

Me këtë ligj për herë të parë në historinë gjermane të pasluftës mund të shtetëzohen bankat private.

https://p.dw.com/p/GxHt
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: "Opcioni i shtetëzimit është i vlefshëm vetëm për disa muaj dhe i kushtëzuar nga kritere të rrepta. Për ta shfrytëzuat atë duhet të jenë ezauruar të gjitha mjetet e tjera më të buta. Dhe krahas një zhdëmtimi ai duhet t'u ofrojë pronarëve të shpronësuar pas rimëkëmbjes dhe riprivatizimit, të drejtën për të pasur prioritet në blerjen e aksioneve. Për këtë arsye, akuza e Partisë Liberale gjermane (FDP), se Gjermania me këtë ligj po marshon drejt socializmit nuk qëndron dhe nuk është as konstruktive në situatën e rëndë ekonomike në vend. Mund të mos jesh ndoshta i një mendjeje me vendimin e qeverisë për ligjin e shpronësimit, por duhet pranuar se ajo përpiqet seriozisht të peshojë prioritetet."


Citat nga artikulli i "Münchner Merkur": "A lejohet Gjermania, a lejohet kancelarja gjermane të shtetëzojë një koncern privat dhe të shpronësojë pronarin e tij? Lejojet dhe madje është e domosdoshme kur sistemi financiar dhe stabiliteti i gjithë ekonomisë nuk mund të ruhen në mënyrë tjetër. Ashtu si në rastin e bankës Hypo Real Estate, ku aksioneri i shumicës Flowers me kërkesa tejet të ekzagjeruara zhdëmtimi, përpiqet të fundosë përpjekjet e shtetit për shpëtimin e koncernit. Me Marksin apo ish RDGJ-në ky ligj nuk ka të bëjë aspak. Kancelarja vepron në rolin e administratorit për llogari të taksapaguesve të cilëve fillimisht iu desh të paguanin haraçin e keqadministrimit nga menaxherët. Ndërsa tani u kërkohet që të çlirojnë nga përgjegjësia aksionerët e vjetër, duke iu paguar një çmim të shtrenjtë."