1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260710 Afghanistan Wikileaks Karsai

27 Korrik 2010

Më shumë se 90.000 dokumente ushtarake amerikane për misionin në Afganistan, shumë prej tyre dokumente tepër sekrete janë publikuar në platformën e internetit "WikiLeaks".Ekspertët thonë se dokumentet janë të vërteta.

https://p.dw.com/p/OVZd
Wikileaks me titullin e një artikulli për Afganistanin
Wikileaks me titullin e një artikulli për AfganistaninFotografi: picture alliance/dpa

"Po, ne u shokuam", e pranon zëdhënësi i presidentit afgan, Hamid Karzai. Të shokuar për faktin se ishte e mundur që një numër kaq i madh i dokumenteve të dalë në opinon, por jo edhe për përmbajtjen e tyre:

"Përsa i përket përmbajtjes së dokumenteve, reagimi i menjëhershëm i presidentit ishte: shumica e tyre nuk janë të reja, të gjitha ka kohë që ne i kemi diskutuar."

Zëdhënësi i Karzait, Vaheed Omer ka veçuar dy çështje nga dokumentet në të cilat është hedhur më shumë dritë mbi ngjarjet. Së pari: roli i palavdishëm, të cilin e ka luajtur në të kaluarën shërbimi i fshehtë i vendit fqinj Pakistan, për të destabilizuar Afganistanin. Dhe së dyti: faktin që në raportet e fshehta bëhet fjalë për raste deri tani të panjohura për vrasjen e civilëve.

"Qëndrimi ynë në të dy pikat ka qenë shumë i qartë në vitet e fundit: në e kemi diskutuar gjithmonë temën e vrasjes së civilëve. Dhe kemi paralajmëruar se sa e dëmshme është nëse bashkarisht duam që të mposhtim terrorizmin në Afganistan dhe njëkohësisht vdesin njerëz të pafajshëm."

Ajo çfarë është publikuar në platformën e internetit është material bruto, i cili nuk është përpunuar më parë nga zyrat për marrëdhënie me publikun.

Mbledhja e të dhënave është bërë vetëm deri në fund të 2009. Pallati Presidencial i Karzait thekson se që atëherë janë bërë përparime të dukshme për evitimin e viktimave të pafajshme. Aktuale mbetet tema e dytë: shërbimi i fshehtë paistanez ISI dhe marrëdhëniet e tij të veçanta me talebanët.

Eksperti i politikës afgane, Haroun Mir mendon:

"Për ne në Afganistan tema e mbështetjes pakistaneze për kryengritësit nuk është ndonjë befasi e madhe. Ne ka kohë që flasim për këtë çështje, edhe presidenti Karzai ka folur shpesh hapur për këtë me zyrtarët amerikanë dhe pakistanezë. Fatkeqësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kemi pasur asnjëherë reagime pozitive. Është koha që t'i sqarohet popullit dhe kongresit amerikan, përse këto raporte kanë provuar t'i mbajnë të fshehta."

Shtetet e Bashkuara të Amerikës paguajnë shumë para për të luftuar talebanët. Por nëqoftëse pakistanezët mbajnë njërën dorë të shtrirë dhe arkëtojnë parata e amerikanëve dhe me dorën tjetër mbajnë kontakte të mira me ekstremistët, atëherë kjo krijon një situatë të pakëndshme edhe për qeverinë në Uashington.

Nuk mund të mohohet se lidhjet e shërbimit të fshehtë pakistanez me ekstremistët në të kaluarën kanë qenë shpesh të ngushta. Shumë vëzhgues mendojnë: shërbimi i fshehtë ISI përpiqet ende t'i ruajë këto lidhje, sepse në të ardhmen talebanët mund t'i hyjnë në punë për siguruar ndikimin në vendin fqinj, kur Perëndimi të ketë tërhequr trupat e tij nga Afganistani.

Autor: Kai Küstner/Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi