1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shumë pikëpyetje - Çfarë pritet nga samiti i G-20 në Uashington?

Henrik Böhme 14 Nëntor 2008

Me ftesën e presidentit të SHBA Xhorxh Bush të premten (14.11) nis në Uashington samiti i 20 shteteve më të industriale dhe atyre me zhvillim të vrullshëm. Tema kryesore: kriza financiare dhe mundësitë e kapërcimit.

https://p.dw.com/p/Fup2

Në grupin e G-20 përveç shteteve të G-8-ës (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Kandaja, Japonia dhe Rusia) bëjnë pjesë edhe Kina, India dhe Brazili.


Ua kam lakmi të gjithë atyre që këtë fundjavë do të jenë në Uashington, sepse atje do të shkruhet një faqe e historisë. Pa marrë parasysh se çfarë do të vendoset në këtë samit, ai do të ndikojë në botën e viteve, madje edhe dekadave të ardhëshme. Kjo vlen edhe nëse zotërinjtë nuk bien dakord.

Nuk është e domosdoshme që menjëherë të shpallet fundi i kapitalizmit, sepse kjo nuk do të ndodhë. Por do të doja që të hartohet një lloj ekonomie që ne gjermanët e quajmë ekonomi e tregut. Duhet të thuhet shumë qartë se kështu nuk shkon më. Tregu i financave nuk guxon të mbetet si një kazino. Tregu duhet të rregullohet dhe kjo vlen për të gjithë. Këtë duhet ta kuptojnë edhe britanikët dhe amerikanët, që deri tani vetëm kanë buzëqeshur ëmbël kur është kërkuar më shumë transparencë.


Në Uashington duhet të vihen themelet për ndërtimin e një shtëpie të re, e cila do të duhej të ishte sa më moderne. Ajo duhet të jetë e qëndrueshme për t´u bërë ballë të gjitha rënojave të deritanishme. Por duhet të ketë edhe shumë dritare, dhe dyer për të parë se çfarë po ndodhë. Kollonat duhet të jenë solide, për të kësisoj një mbështetje. Në katin e parë duhet të shkruhen rregullat në të gjitha gjuhët: nuk duhet të jesh lakmiqar; nuk duhet të gënjesh; shiti vetëm gjërat që mund t'i shpjegosh; ndërsa blerësit duhet të blejnë vetëm atë që kuptojnë.

Ne i dimë shkaqet e krizës. Tani kemi nevojë për më shumë kontroll, për respektimin e standardeve, shterrimin e të gjitha oazeve të tatimeve. Ata që nuk pajtohen, duhet të tregohen me gisht, në mbarë botën.


Natyrisht që pa banka nuk është e mundur as në të ardhmen, sepse ato janë hallka më e rëndësishme në këtë sistem, por do të ishte mirë që të kemi bankierë të sinqertë, që i shërbejnë sistemit dhe jo vetëm nga ata që premtojnë rendite. Për të gjitha këto nevojiten edhe institucionet e duhura. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar duhet të vendosen mbi baza të reja. Ato duhet të jenë arkitektë dhe zjarrëfikës.


Lista e dëshirave është tepër e gjatë, por nuk ka rrugë tjetër. Në gjuhën politike kjo do të thotë se duhet përcaktuar një proces i qartë bisedimesh me orar dhe qëllime të caktuara. Askush nuk duhet të kënaqet me rezultate minimale. Unë do të shikoj me vëmendje, besoj edhe e gjithë bota.