1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perspektivat për Greqinë

Jannis Papadimitriou / Pandeli Pani11 Maj 2012

Pas dështimit të përpjekjeve të konservatorit Antonis Samaras dhe Aleksis Cipras të Partisë së Majtë për të krijuar një qeveri tani këtë po e provon Evangelos Venizelos.

https://p.dw.com/p/14tZK
Kryetari i PASOK-ut, Evangelos Venizelos
Kryetari i PASOK-ut, Evangelos VenizelosFotografi: dapd

Pokeri për pushtet në Greqi po kalon në kohën shtesë: Pas dështimit të dy fituesve në zgjedhje konservatorit Antonis Samaras dhe Aleksis Cipras  të Partisë Majtë për të krijuar një qeveri tani  ka vendosur të provojë fatin e tij Evangelos Venizelos. Lideri socialist dhe ish-ministër i Financave ka një interes të veçantë që bisedimet e tij për krijimin e qeverisë të jenë të suksesshme, sepse në rast se do të zhvillohen zgjedhje të reja ai pritet të humbasë thellë. 

Për këtë arsye, Venizelos po mendon gjithnjë e më qartë për krijimin e një qeverie gjithëpartiake me një kryeministër të krahut të majtë, i cili do të tolerohej edhe nga njëra apo tjetra parti konservatore. Një qeveri e tillë do të jetë shumë më e dobët sesa qeveria e mëparshme nën drejtimin e ekspertit financiar pa parti Lukas Papademos. Sipas informacioneve të së përditshmes së Athinës "Ethnos", e cila është e afërt me socialistët, për postin e kryeministrit vijnë në konsideratë politikani i majtë dhe mjaft pro-evropian Fotis Kuvelis dhe komisionerja e BE-së Maria Damanak. Kuvelis i ka kundërshtuar këto thashetheme duke deklaruar se emri i tij nuk duhet të shpërdoret për qëllime të partive politike.

Presidenti grek Karolos Papulias
Presidenti grek Karolos PapuliasFotografi: picture-alliance/dpa

Mëngjes me presidentin?

Nëse tre fituesit e vendeve të para në zgjedhjeve nuk do të kenë sukses me përpjekjet e tyre, i mbetet presidenti për të shqyrtuar personalisht mundësitë e një koalicioni gjithëpartiak. Për këtë qëllim, ai në bazë të Kushtetutës duhet të thërrasë këtë fundjavë ose më së voni të hënën (14.05.2012) për konsultime "kryetarët e partive". Dhe këtu del problemi tjetër: Kushtetuta greke nuk jep përgjigje të qartë për pyetjen se cilët politikanë vijnë në konsideratë për këtë qëllim. Nëse rregulli përkatës i kushtetutës interpretohet me dorë të lirë, atëherë duhet të ftohen të gjithë liderët partiakë, të cilët kanë arritur të hyjnë në parlament.

Kjo do të thotë se duhet të ftohet edhe neonazisti Nikolaos Mihaloliakos, gjë që do të ishte një skandal. Pikërisht presidentit Karolos Papulias, i cili luftoi 15 vjet në Luftën e Dytë Botërore kundër nazistëve, do t'i duhet të ulet në tryezë me një nacionalist të deklaruar, i cili i befason bashkëbiseduesit e tij me përshëndetjen e Hitlerit.

Juristi i së Drejtës Kushtetuese Jorgos Sotirellis mendon se një skandal i tillë politik të mund të shmanget. "Arsyeja e vetme pse Kushtetuta nuk përmban një formulim konkret për këtë çështje është që kreut të shtetit t'i lihet liria më e gjerë e mundshme për të vepruar. Ai nuk është i detyruar të ftojë ose të mos ftojë politikanë të caktuar," thotë Sotirellis për të përditshmen "Ta Nea".

Nëse as ndërmjetësimi i presidentit nuk jep fryte, atëherë manovrat partiake politike të ditëve të fundit do të çojë në mënyrë të pashmangshme në zgjedhje të reja.