1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si e percepton rinia shqiptare të kaluarën diktatoriale?

Arben Muka24 Tetor 2015

Rreth 200 të rinj nga krahina të ndryshme të Shqipërisë përmes krijimeve letrare, në artet figurative e multimedia konkuruan me perceptimin e tyre për të kaluarën diktatoriale dhe perspektivën e vendit.

https://p.dw.com/p/1GtKL
Albanien Veranstaltung "Born in the '90" in der Deutschen Botschaft in Tirana
Pamje nga aktiviteti në ambasadën gjermane në TiranëFotografi: DW/A. Muka

Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen, kjo ishte ftesa për të rinjtë që kanë lindur në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar. Ata u nxitën të tregojnë atë që nuk e kanë përjetuar, apo atë që nuk ka ndodhur ende përmes pjesmarrjes në një konkurs me gjuhën e kodeve kreative e fantazisë. Një konkurs unik në llojin e vet, ku aplikuan rreth 200 të rinj që pranuan të rëfejnë të shkuarën dhe të ardhmen, pa tabu e steriotipe. Organizatorja Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media e Kulturë kujton se një vit më parë kur gjjthçka ishte thjesht një ide, kishte ngurrim dhe skepticizën nëse do afroheshin të rinjtë, me mendimin se ata janë indiferentë e të mënjanuar për tema të tilla.

“Kjo vjen dhe ngaqë ata nuk ftohen të flasin e të debatojnë në orët e mësimit për këto. Por edhe pse kur bëhet fjalë për trajtimin e së shkuarës në Shqipëri ka politizim të çështjes. Fakt është që jemi të befasuar nga gadishmëria e tyre për të marrë pjesë në konkurs, për t'u shprehur.”

Ide e pikëpamje reflektive, të strukturuara lirshëm

Duke trajtuar probleme nga më të ndryshmet, afër dhe larg vendbanimit të tyre, konkurentët prezantuan ide e pikëpamje reflektive, të strukturuara lirshëm në vlerësim dhe ballafaqim me botën e tyre, duke formuluar mesazhe të drejtëpërdrejta për bashkëmoshatarët, prindërit, mësuesit, autoritetet.

Diana Marku nga Puka ishte një prej fituesve të konkursit. Ajo kishte në qendër të esesë integrimin në hapësirat urbane të familjeve nga zonat rurale dhe të parapambetura. Vetë familja e saj u zhvendos nga Puka për në kryeqytet në vitin 1993 dhe vetë ajo lindi një vit më vonë. Veç vështirësive social kulturore familjet e ardhura në kryeqytet hasën dhe në paragjykime të shumta, thotë Diana për Deutsche Welle-n.

“Babai shpesh përsërit historinë e shpërnguljes dramatike në Tiranë. Kur shoferi i automjetit e pyeste atë se ku do të ndalonte, ai nuk dinte të përgjigjej. Ishte një lëvizje e kushtëzuar nga mjerimi dhe mungesa e shpresës. Por dhe mjaft halle dhe mundime të tjera na prisnin. Mesazhi im është për mosparagjykimin mbi baza krahinore, fetare, gjinore, sociale etj. Kështu e shoh unë të ardhmen, kjo është e mirë për njerëzimin brenda dhe jashtë Shqipërisë”.

Ermelinda Lupi nga Vlora prezantoi një krijim të sajin si reflektim për evolimin e pozitës së gruas në shoqërinë shqiptare. Rrugëtimi i saj fillon para vitit 1990 e deri në ditët e sotme, në evidentimin e metamorfozës së femrës, roli dhe ndikimi i saj në familje dhe komunitet. “Ka ndryshime të mëdha, ashtu si ka vend për ndërgjegjësim për njerëzit, se të drejtat dhe liritë e tyre nëpërkëmben ose injorohen. Mesazhi im është në favor të thyerjes së tabuve dhe mospranimit të sjelljeve patriarkale për femrën.” Thotë Lupi për Deutsche Welle-n.

Albanien Veranstaltung "Born in the '90" in der Deutschen Botschaft in Tirana
Aktiviteti "Born in the '90" zhvilluar në mjediset e Ambasadës së RFGJ në TitranëFotografi: DW/A. Muka

Të vëmendshëm që negativitetet të mos përsëriten në të ardhmen

Klajdi Marku nga Lezha është fitues i vendit të dytë në kategorinë e multimedias. Ai thotë se pjesmarrja në një konkurs me tematikë e tillë e intrigoi që në momentet e para. Doja tu tregoja prindërve të mi por dhe shokëve e miqve të mi mbi komunizmin. Kam bërë një asociacion të tillë, se si do të ishte jeta në atë kohë po të kishte rrjete sociale, shprehet Marku për Deutsche Welle-n.

“Nga ky këndvështrim ne krijuam një realitet tjetër me diktaturë dhe me rrjete sociale, një qasje që na ka zbavitur. Një fantazi që e përshkruan regjimin komunist, ashtu si nuk ishte. Përmes kësaj mënyre mua dhe miqve të mi, që kemi lindur pas vitit 1990 na janë ngulitur mjaft nga skenat më absurde dhe të pabesueshme që na kanë treguar prindërit. E treguar me art, me krijim, e kaluara është më mbresëlënëse, që ndergjëgjëson njerëzit të jenë të vëmendshëm që negativitetet të mos përsëriten më në të ardhmen”.

Por nëse në të shprehur të rinjtë gëlojnë me një fluks të paparë dhe original propozimesh, kur vjen pun ate veprimi dhe reagimi qytetar në terren ata janë ende apatikë, mendon publicisti dhe shkrimtari i njohur Fatos Lubonja, i cili ishte kryetar i jurisë së konkursit. Sipas tij, aksioni i të rinjve në terren për dukuri dhe fenomene negative nuk është në shkallën e duhur.

“Kjo është një sfidë e shoqërisë, e vetë të rinjve për të qenë aktivë në përballjen me problemet më të mprehta të vendit, si një zë i fuqishëm për drejtësinë, demokracinë, transparencën”.

Ky event u organizua nga Instituti për Demokraci, Media e Kulturë, në kuadër të kalendarit Tetori Gjerman 2015, mbështetur nga Ambasada Gjemane në Tiranë, Ministria e Mirëqënies Sociale e Rinisë, si dhe Telekom Albania.