1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si reagoi Bashkimi Evropian ndaj shpërbërjes së Jugosllavisë dhe roli i Gjermanisë

20 Gusht 2010

Bashkësia e atëhershme Evropiane (BE) reagoi në mënyrë konfuze ndaj shkatërrimit të Jugosllavisë. Gjermania ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e ish - republikave jugosllave.

https://p.dw.com/p/OoVC
Kancelari gjerman Helmut Kohl, ministri i Jashtëm Hans-Dietrich Genscher, 10 nëntor 1991
Kancelari gjerman Helmut Kohl, ministri i Jashtëm Hans-Dietrich Genscher, 10 nëntor 1991Fotografi: AP

Bashkësia ndërkombëtare nuk kishte ndonjë koncept politik apo ushtarak për parandalimin me kohë të konflikteve në territorin e ish - Jugosllavisë. Për një kohë të gjatë nuk e kishte të qartë relevancën e shpërbërjes së shtetit të dikurshëm shumëetnik. Konfliktet trajtoheshin si rajonale, që nuk i prekin interesat e evroperëndimorëve. Pas përfundimit të konfliktit mes Lindjes dhe Perëndimit, shteti shumëetnik jugosllav u largua edhe më shumë nga vëmendja e Perëndimit, i cili në atë kohë merrej më shumë me luftën e Gjirit dhe procesin e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Gjermania ende ishte nën impresionet e ribashkimit.

Kur në verën e vitit 1991 në Kroaci u shkallëzua konflikti mes forcave serbe dhe atyre kroate u bë e qartë se në ish- Jugosllavi nuk po shkeleshin vetëm të drejtat e njeriut por ishte duke u vënë në lojë paqja dhe stabiliteti i mbarë Evropës. Por, anëtarët e Bashkësisë së atëhershme Evropiane nuk mundën të binin dakord për veprime të përbashkëta. Për shkak të pozicionimeve të ndryshme nuk u arrit një koncept dhe një qëndrim i përbashkët ndaj shteteve pasuese të ish - Jugosllavisë.

Flamuri i Kroacisë
Flamuri i KroacisëFotografi: AP

Gjermania ishte ndër vendet e para që njohu shtetet e reja

Sidomos njohja e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë përçau vendet anëtare të Bashkësisë Evropiane. Ndërkohë që disa vende që konfrontohen edhe vetë me lëvizje të brendshme rajonale, si përshembull Franca, Britania e Madhe apo Spanja mbështesnin ruajtjen e status quo-së, Gjermania angazhohej pa rezarva për njohjen e vendeve të reja.

Ministri i atëhershëm i Jashtëm Hans-Dietrich Genscher e shikonte njohjen si mjetin e vetëm për të ushtruar presion politik kundër politikës së Sllobodan Millosheviqit, meqenëse sanksionet nuk mund të vendoseshin për shkak të rezistencës së vendeve të tjera anëtare të Bashkësisë Evropiane. Qëllimi i tij ishte dhënia fund e veprimeve ushtarake në territorin e Kroacisë, që kishte si kusht kryesor largimin nga ky vend të Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ). Në një Kroaci sovrane forcat e APJ-së nuk kishin ndonjë legjitimitet.

Njohja e shpejtë e Sllovenisë dhe e Kroacisë bëri që politika e jashtme gjermane të kritikohet për nxitjen e shpërbërjes së Jugosllavisë. Kritikët thonë se në këtë mënyrë është përshpjetuar shpërbërja e Jugosllavisë, por shkatërrimi i vendit është bërë prej vet aktorëve kryesorë në rajon. Me sy kritik duhet parë fakti që Gjermania e njohu pavarësinë e Sllovenisë dhe të Kroacisë ende pa mbërritur rezultatet e Komisionit të Badenterit, i cili ishte krijuar me iniciativën e BE-së, çka lëkundì edhe vetë besimin ndaj BE-së.

Joshka Fisher dhe Zoran Xhinxhiç
Joshka Fisher dhe Zoran XhinxhiçFotografi: AP

Sjellja e politikës së jashtme gjermane ndaj Kroacisë i solli Gjermanisë simpati të mëdha, ndërsa në mediat serbe Gjermania u prezantua si udhëheqësja e frontit kundër Serbisë. Brenda BE-së, politika e njohjes së shpejtë zgjoi dyshimet se pas ribashkimit të vendit Gjermania po përpiqej që përmes politikës ndaj Jugosllavisë të rimerrte një nga pozicionet ´drejtuese në radhën e fuqive evropiane.

Se sa pak e ndieshme ishte politika e BE-së ndaj ish - Jugosllavisë, e dëshmon edhe fakti që pavarësia e Bosnjë-Hercegovinës u njoh më 6 prill. Pikërisht në përvjetorin e bombardimit të Beogradit gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjë që shkaktoi edhe shkatërrimin e shtetit të atëhershëm.

Pjesëmarrja e parë ushtarake e Gjermanisë në ndonjë aksion pas Luftës së Dytë Botërore

Kur pak ditë më vonë, në maj të vitit 1992, shpërtheu lufta edhe në Bosnjë-Hercegovinë, një politikë dhe veprim i përbashkët i BE-së ndaj këtij konflikti nuk dukej ende në horizont. Ndihmat humanitare ishin alternativa e vetme e veprimit politik apo ushtarak, që BE-ja kishte në dorë. OKB-ja nuk ishte në gjendje të bënte asgjë. Vetëm ndërhyrja diplomatike dhe ushtarake e SHBA-së bëri që konflikti të ndërprietet pas tri vjet e gjysmë luftimesh.

Por konflikti në provincën e dikurshme serbe të banuar me shumicë shqiptare në Kosovë, e cila po ashtu kërkonte pavarësi, nuk kishte shpërthyer ende. Qeveria serbe e Sllobodan Millosheviqit përpiqej që t'i evitonte me të gjitha mjetet përpjekjet për pavarësi dhe reagoi me dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova. Në vitin 1999, NATO -ja vendosi që të ndërhyjë ushtarakisht në konflikt. Pjesëmarrja e Gjermanisë në këtë ndërhyrje ishte thyerja më e madhe në politikën e jashtme gjermane që prej themelimit të Republikës federale. Ishte kjo hera e parë që nga viti 1949 që Gjermania merrte pjesë në një mision lufte, e qeverisur nga një qeveri e qendrës së majtë nën drejtimin e kancelarit Gerhard Schröder.

Korniza kushtetuese e një ndërhyjeje të armatosur mundësohej vetëm me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 1994, me të ashtuquajturin vendimi AWACS. Parakusht ishte që ndërhyrja të miratohej nga parlamenti. Ndërhyrja e NATO-s kundër Serbisë në aspektin e së drejtës ndërkombëtare ishte problematike: me të dretjën ndërkombëtare nuk kishte asnjë legjitimitet për ndërhyje humanitare në territorin e një shteti sovran. Prandaj edhe valët e reagimeve në opinionin gjerman ishin të mëdha. Mbështetësit e ndërhyrjes pohonin se ajo ishte pasojë logjike e një peshe më të madhe politike, që Gjermania fitoi në Evropë pas ribashkimit të vendit. Ndërsa në Serbi pjesëmarrja e Gjermanisë në këtë ndërhyrje të NATO-s shikohej si gjoja vazhdimësi e mërisë antiserbe.

Vlerësimi i Gjermanisë si një motor i integrimeve evropiane

Gjermania edhe sot gëzon simpati të mëdha në vendet që i ka mbështetur në procesin e pavarësimit. Roli i Gjermanisë si fuqia më e madhe ekonomike brenda Bashkimit Evropian (BE) dhe motori kryesor i integrimeve evropiane respektohet dhe njihet nga të gjitha vendet pasardhëse të ish - Jugosllavisë. Janë dobësuar tonet antigjermane madje edhe në vetë mediat serbe. Meqenëse të gjitha vendet dëshirojnë një anëtarësim sa më të shpejtë në BE, roli i Gjermanisë vlerësohet në të gjitha shtetet pasardhëse, të cilat duan ta mbajnë të hapur perspektivën evropiane.

Autor: Verica Spasovska/ Bahri Cani

Redaktoi: Vilma- Filaj Ballvora