1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

120511 Schengen EU Innenminister

13 Maj 2011

Danimarka u përpoq në Këshillin e Ministrave të BE që t'i qetësojë partnerët pas shpalljes së kontrolleve të reja në kufi. Pavarësisht nga kjo, tema Schengen, përmban lëndë konflikti brenda Bashkimit Evropian.

https://p.dw.com/p/11F24
Tabela e kontrollit në kufirin mes Danimarkës dhe Gjermanisë
Tabela e kontrollit në kufirin mes Danimarkës dhe GjermanisëFotografi: dapd

Këshilli i ministrave të Brendshëm të BE nisi të enjten (12.5.) diskutimet me emocione të mëdha: pak më parë, qeveria daneze pati deklaruar se do të fusë sërish kontrolle të vazhdueshme kufiri, për të penguar krimin e organizuar dhe emigrimin ilegal. Sapo mbërriti në Bruksel, ministri danez Sören Pind u përpoq t'i qetësonte të pranishmit: qarkullimi i lirë i personave të zonës Shengen mbetet i paprekur, tha ai. "Ne përforcojmë kontrollet doganore. Kurse e gjitha është paraqitur sikur ne do të fillonim sërish kontrollet e pasaportave dhe të personave. Kjo nuk do të ndodhë. Bëhet fjalë për një forcim të kontrolleve doganore."

Se çfarë kihet parasysh me këtë, për këtë ministrat e tjerë duan njëherë të presin, edhe Hans-Peter Friedrich, ministër i Brendshëm i vendit fqinjë, Gjermanisë. Por Friedrichu shpreson tashmë për efektin e presionit thuajse të të gjithë BE: "Që ne nuk u entuziazmuam nga lajmi "Danimarka kërkon të vendosë sërish traversat e kontrollit kufitar", këtë mund ta kuptojnë edhe në Danimarkë. Asnjë vend nuk mund të jetë i interesuar që të izolohet brenda Komunitetit Evropian."

Innenminister Deutschland Hans-Peter Friedrich
Hans-Peter Friedrich, ministër i Brendshëm në GjermaniFotografi: picture alliance/dpa

Danimarka nuk është e izoluar

Por kaq e izoluar Danimarka nuk është. Sepse, sado fort që duan t'i përmbahen shtetet e BE qarkullimit të lirë të personave, po kaq e përhapur është kërkesa që të lejohen në kushte të caktuara kontrollet e kufirit, për shembull në rastin e "presionit të madh nga migracioni". Me këtë kihet parasysh sidomos vala e re e refugjatëve nga Afrika e Veriut. Komisarja e Brendshme e BE, Cecilia Malmström vërtet që e shikon situatën e refugjatëve në Evropë shumë më pak dramatike, se p.sh. Italia. Por parimisht ajo do të ishte e gatshme për përjashtime të tilla: "Vetëm si mjet i fundit dhe në rrethana të përcaktuara shumë qartë mund të ekzistojë një mundësi për të futur përkohësisht kontrollet e kufirit. Por kjo duhet të rregullohet shumë qartë dhe Komisioni natyrisht është i mendimit se kjo duhet të ndodhë në bazë të një vendimi të përbashkët."

Por përsa i përket pikës së fundit ajo has në rezistencë të fortë, edhe te ministri i Brendshëm i Gjermanisë. "Unë nuk e konsideroj fare ide të mirë sinjalin, që këtë detyrë sovrane të shteteve nacionale, mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve ta bëjmë në ndonjë mënyrë të përbashkët. Ky me siguri do të ishte një sinjal i gabuar."

Friedrichu shpalli refuzimin e tij edhe ndaj idesë, që shtetet anëtare të BE të detyrohen për të pranuar refugjatët. Kjo duhet të mbetet vullnetare, tha ai. Para se gjithash shtetet anëtare të BE të zonës së Mesdheut ankohen se u duhet të mbajnë të gjithë barrën e presionit të refugjatëve.

Shtetet e BE përpiqen të arrijnë të bëjnë sparkatën: nga njëra anë nuk duan të heqin dorë në asnjë mënyrë nga Shengeni për qytetarët vendas, por kur bëhet fjala për refugjatë, te shumë shtete dëshira e mirë merr fund.

Autor: Christoph Hasselbach/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi