1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si të menaxhohen dy procese

Bekim Shehu30 Tetor 2007

Analistët kosovarë janë të mendimit se çështja e zgjidhjes së statusit dhe zgjedhjet në Kosovë janë dy procese mjaft të vështira për t'u menaxhuar

https://p.dw.com/p/Bz9r
Prishtina
PrishtinaFotografi: DW/Sand

Që nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve në 17 nëntor, në opinionin kosovar janë përcjellë shqetësime se a mund Kosova të përballojë dy procese njëkohësisht, atë të statusit dhe zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale. Anëtarët e grupit negociator, tre nga të cilët janë edhe liderë të forcave më të mëdha politike në vend, thonë se fushata zgjedhore, e cila tashmë në Kosovë është në vlugun e saj, nuk e ka zhvendosur vëmendjen nga procesi i statusit.

Analistët kosovarë thonë se procesi i statusit dhe ai i zgjedhjeve ushtrojnë ndikim të pashmangshëm tek njëri tjetri. Sipas analistit, Ilir Dugolli fushata tani nuk duket se po ndikon shumë në procesin e statusit. Por sapo të afrojë data e zgjedhjeve, politikanët kosovarë padyshim që do t'i përqëndrojnë energjitë në mbledhjen e votave, është i mendimit ai. Ndërkohë që ka mbetur më pak se një muaj e gjysmë kur treshja ndërmjetësuese në bisedimet shtesë Prishtinë-Beograd do të përfundojë misionin. Kjo periudhë e mbetur sipas analistit Dugolli, do të përcillet me paqartësi të mëdha që me vete mbart edhe rreziqe.

Fushata zgjedhore në Kosovë do të zgjasë tri javë deri më 15 nëntor, ndërsa edhe takimet ndërmjet palëve negociuese asaj shqiptare dhe serbe për çështjen e statusit parashihet të përfundojnë në fund të muajit nëntor. Sipas ndërmjetësueve të grupit të kontaktit, takimi i fundit Prishtinë-Beograd në këtë fazë të bisedave shtesë do të zhvillohet në 26 nëntor.

Bazuar në këto zhvillime të pritshme, analistët thonë se udhëheqësit kosovarë do të ndodhen në një situatë të vështirë për të menaxhuar dy procese njëkohësisht, konstituimin e institucioneve të reja pas datës 17 nëntor dhe veprimet që duhet të ndërmarrin ata karshi zhvillimeve për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.