1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Siguria si trillim - Përse kontrolle 'politikisht korrekte' në aeroporte nuk shmangin dot atentatet terroriste

27 Dhjetor 2009

Një 23-vjeçar nigerian donte të hidhte veten në erë gjatë uljes së avionit të linjës Amsterdam-Detroit. Me gjithë kontrollet e sigurisë nga më të rreptat ai ia doli të fuste lëndë plasëse në avion. Si është e mundur?

https://p.dw.com/p/LENW
Personel sigurie në shkallët e avionit të Northwest Airlines pas mbërritjes në aeroportin e Detroitit nga Amsterdami.Fotografi: AP

Siguria është trillim, të cilin do të donim ta besonim, por ajo nuk do të ekzistojë kurrë. Nuk ka mbrojtje të përsosur ndaj terroristëve dhe anëtarëve të vetëshpallur të Al-Kaidas. Këtë e tregon sërish fluturimi i shoqërisë Delta-Northwest-Airlines 253 nga Amsterdami për në Detroit. Një student 23-vjeçar i inxhinierisë mekanike arrin fillimisht të hipë qetësisht në Lagos të Nigerisë me një përzierje lëndësh ndoshta shpërthyese, por me siguri të djegshme, në bordin e një avioni të shoqërisë KLM. Deri këtu nuk ka ndonjë gjë për t'u habitur, sepse kush i njeh aeroportet ndërkombëtare të Afrikës e di që ata nuk bëjnë pjesë ndër më të kontrolluarit në botë. Dhe ky është një formulimin shumë i përmbajtur.

Shoqëritë ajrore evropiane dhe amerikane e njohin këtë dështim të plotë dhe vendosin shpesh para daljeve të aeroporteve afrikane personel sigurie shtesë të vetin; qoftë në Kenia, ku Al-Kaida hodhi në erë ambasadën amerikane në vitin 1998, qoftë në Nigeri, ku Al-Kaida sa vjen e gjen më shumë përkrahës në radhët e popullsisë myslimane. Por rasti i atentatorit nigerian AbdulMutallab tregon, se në rast rreziku të gjitha këto masa shtesë nuk bëjnë efekt.

Dhe kjo jo vetëm në Afrikë, por as në SHBA dhe Evropë. Faruk Abdulmutallab mundi të ndërronte i pashqetësuar avionin në Amsterdam, nga KLM-ja tek Delta, dhe të merrte kurs për Detroit. Askush nuk e pengoi, askush nuk e kontrolloi si duhet.

Me sa duket, me gjithë apokalipsin e 11 shtatorit kompjuterat e shërbimeve të fshehta nuk janë ende të ndërlidhur mirë. Përndryshe doganierëve holandezë duhet t'u kishte pulsuar "Kujdes!" në ekranin e kompjuterit të tyre, sepse studenti nigerian i inxhinierisë mekanike ishte regjistruar me sa duket si potencialisht me rrezik terrorizmi në skedat e shërbimeve amerikane të sigurisë. Kjo megjithëse emri i tij nuk gjendet në listën e zezë të njohur të Shteteve të Bashkuara, e cila përjashton të dyshuarit për terrorizëm nga fluturime me shoqëri ajrore amerikane.

Abdulmutallab është përsëri një rast që tregon se njëra agjenci sigurie i bie gozhdës dhe tjetra patkoit. Për këtë arsye arrin nigeriani me pluhurat dhe lëngjet e fiksuara në trup të zërë vend në një avion Airbus me afro 300 vetë. Rasti i tij tregon që të gjitha kontrollet me imtësi të këpucëve, çantave dhe kompjuterave portativë, të gjithë diktuesit e metaleve dhe e gjithë zhurma e kotë në aeroporte në fund të fundit nuk kanë vlerë kundër pluhurave dhe lëngjeve shpërthyese. Së paku jo kur këto substanca terrori mbahen ngjitur në trup. Asnjë diktues metalesh nuk jep alarm, sepse nuk ka gjë metalike.

Por një kontroll i tillë trupor do ta paralizonte qarkullimin ajror ndërkombëtar. Ose shërbimet e sigurimit në aeroporte lejohet të veprojnë ashtu siç do të donin shumë vetë. Në vend që të kontrollojnë të gjithë pasagjerët nga pak, puna mund të kufizohej tek ata pasagjerë, vendet e prejardhjes dhe profili i të cilëve bëjnë që të gjykohet me vend një kontroll më intensiv. Por kjo kërkon guxim politik. Ky nuk ekziston as në SHBA as në Evropë. Prandaj edhe vetë siguria e mundshme për njeriun kundrejt atentateve terroriste në dhe nga ajri do të mbetet një trillim.

Autor: Ralph Sina

Redaktoi: Elert Ajazaj