1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Siria në radarin e Bundeswehr-it

Nina Werkhäuser/P.Pani21 Janar 2014

Që prej fillimit të luftës civile në Siri 300 ushtarë gjermanë janë stacionuar në Turqi për të mbrojtur Turqinë nga sulmet me raketa nga Siria.

https://p.dw.com/p/1AtuT
Türkei Patriot Einsatz der Bundeswehr
Fotografi: picture-alliance/dpa

Trupat e NATO-s në Turqi kanë në shenjestër çdo predhë që lëshohet në Siri. Me radarë dhe satelitë ata ndjekin ngjarjet e luftës në shtetin fqinj të Turqisë. Ata gjenden aty prej një vitidhe për plane tërheqjeje as që mund të bëhet fjalë. Lufta në Siri është sipas fjalëve të ministrit të Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier (SPD) një "fatkeqësi e cila me sulmin monstruoz të armëve kimike ndaj popullsisë civile siriane ka marrë një dimension të ri." Për shkak të këtyre zhvillimeve në Bundestag duket se do të ketë një mbështetje të gjerë për zgjatjen e misionit edhe për një vit. Kabineti ka dhënë tashmë dritën e gjelbër për këtë.

Ndihmë për Turqinë

Kur lufta civile në Siri filloi të përhapej edhe në zonën kufitare me Turqinë, Ankaraja pati frikë se ushtria siriane mund të përdorë edhe raketat tokë-tokë me një rreze prej 700 kilometrash. Meqë ushtria turke nuk mund të mbrohet prej sulmesh të tilla, ajo u kërkoi ndihmë trupave të NATO-s për të vënë në dispozicion sistemin e tyre të vrojtimit dhe të mbrojtjes kundër raketave "Patriot".

Patriot Abwehrstaffel in Kahramanmaras
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania, SHBA dhe Holanda kanë sistemim më modern të mbrojtjes kundër raketave "Patriot" dhe këto tri vende kanë dërguar trupa në kufirin turko-sirian për të vëzhguar kufirin dhe zonën e ndalim fluturimit mbi territorin e Sirisë.

Gardh parandalues

"Active Fence" e la pagëzuar NATO-ja misionin e saj. Pikat e vrojtimit të ushtrisë gjermane Bundeswehr gjenden rreth 100 km larg kufirit me Sirinë, në qytetin turk Kahramanmaras. Në anën tjetër të kufirit gjendet qyteti sirian Alepo, ku zhvillohen luftime.

Türkei Patriot Einsatz der Bundeswehr
Fotografi: picture-alliance/dpa

Deri tani trupat gjermane kanë arritur ta mbrojnë me sukses popullsinë civile turke prej sulmeve të mundshme me raketa nga Siria, tha ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen (CDU). Por gjendja është kritike, sepse në zonën kufitare janë vrarë 70 civilë turq dhe aty kanë gjetur strehim rreth 770.000 refugjatë nga Siria.

Partia E Majta kundër

E vetmja parti e përfaqësuar në Bundestag që mendon se angazhimi gjerman në zonën kufitare turko-siriane është i tepërt është partia E Majta. Të gjitha partitë e tjera janë dakord për vazhdimin e këtij misoni, gjë që e ka kërkuar edhe Turqia.

Pas tre vjetësh luftë civile, ministri i Jashtëm Steinmeier shpreson se konferenca për Sirinë më 22 janar në Montreux, do t'i zbusë frontet. "Ndoshta këto ditë mund të hapet për herë të parë dera për një zgjidhje politike," tha Steinmeier. Kjo do të ndikojë edhe tek Bundeswehr-i, sepse fundi i luftës në Siri do ta bëjë të tepërt misionin në Turqi.