1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situatë e tensionuar në Sofje

Eliana Xhani (dpa)13 Maj 2013

Atmosfera është e ndezur, raportet e pushtetit nuk janë ende të qarta: fituese e zgjedhjeve në Bullgari është partia konservatore qeverisëse GERB, por asaj i nevojiten aleatë.

https://p.dw.com/p/18WeC
Fotografi: reuters

Fundi i tensioneve politike dhe paqendrueshmërisë ekonomike në vendin anëtar të BE-së nuk duket në horizont as pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës (12.5.). Fituese e zgjedhjeve të parakohshme sipas rezultateve të para zyrtare është partia e kryeministrit të dorëhequr Bojko Borisov, por ajo nuk arriti një shumicë të qartë në parlament. Konservatorët e Borisovit (GERB) morën 31,4 për qind të votave, socialistët në opozitë 27,3 për qind.

Zgjedhjet u shoqëruan nga akuza për manipulime, në mbrëmje në kryeqytetin bullgar Sofje pati trazira. Përkrahës të inatosur të opozitës protestuan pranë pallatit të kulturës kundër Borisovit, hodhën shishe dhe gurë kundër policë dhe u përpoqën të çanin bllokimet e sigurisë. "Korrupsion" dhe "mafie" thërrisnin demonstruesit. 

Të paktën dy parti të tjera kapërcyen kufirin e nevojshëm prej 4 për qind për të hyrë në parlament: forca e tretë më e fuqishme me 9,2 për qind rezultoi partia MLD, një grupim i pakicës myslimane dhe turqve etnikë, e pasuar nga partia e ekstremit të djathtë, raciste Ataka me 7,6 për qind. Të dielën në mbrëmje ishte krejt e paqartë se si mund të krijohet një qeveri e qendrueshme me këto rezultate. Ka të ngjarë që Borisov megjithë fitoren të mos udhëheqë qeverinë e re, mendojnë vëzhguesit.

Bullgaria, shtëpia e varfër e Evropës

Politikani konservator në shkurt vetëm pak muaj para përfundimit të rregullt të mandatit të tij, dha dorëheqjen pas mitingjeve masive, të cilat drejtoheshin në radhë të parë kundër rritjes drastike të çmimeve të energjisë. Kursi strikt i kursimeve i Borisovit rimëkëmbi financat publike, por i mori frymën ekonomisë në vendin më të varfër të BE-së, duke nxjerrë vazhdimisht në rrugë për protesta dhjetëra mijëra vetë.

Zgjedhjet parlamentare u shoqëruan nga akuza masive për manipulime. Të shtunën hetuesit sekuestruan në një shtypshkronjë private jo larg Sofjes 350.000 fletë votimi të fallsifikuara. Sipas të dhënave të agjencisë së lajmeve BGNES, pronari i shtypshkronjës ka lidhje të ngushta me Borisovin. Opozita e akuzoi më pas GERB-in për manipulim të zgjedhjeve. Pesë parti opozitare ngarkuan një institut të pavarur austriak me numërimin e pavarur të fletëvotimeve, OSBE-ja dërgoi një numër të madh vëzhguesish.