1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situata e të drejtave të njeriut në Shqipëri - mbetet problematike

Ani Ruci / Tiranë10 Dhjetor 2008

Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara për këto të drejta- një premtim i pambajtur i qeverive të Tiranës.

https://p.dw.com/p/GDHT
Fotografi: DW / Cama

Perceptimi i Kombeve te Bashkuara

"Ku fillojnë, në fund të fundit, të drejtat Universale të Njeriut? Në mjedise të vogla, pranë shtepise, kaq të vogla dhe kaq pranë sa nuk mund t´i shohësh në asnjë hartë të botës. Megjithatë, këto mjedise përbëjnë botën e një individi: shkolla që ndjek, zyra, ndërmarja apo ferma ku punon. Ketë janë vendet ku çdo burre, grua apo fëmijë kërkon drejtësi të barabartë, mundësira të barabarta, dinjitet të barabartë pa asnjë diskriminim. "

Me këtë episod nga fjalimi drejtuar Asamblese së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nga Eleonor Roosevelt, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, në vitet e para të krijimit të tij, Koordinatorja e Përhershme e Agjensive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Gylden Tyrkuz Koslet, i bëri apel autoriteteve të Tiranës të konsiderojnë prioritet plotësimin e legjislacionit që garanton të drejtat e njeriut. Në një konferencë zhvilluar sot, më 10 dhjetor, në Tiranë, me rastin e 60 vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ajo vuri ne dukje progresin që është arritur në Shqipëri për garantimin e tyre. Por, mbetet ende pmjaft për të arritur lidhur me të drejtat e gruas, të fëmijëve dhe të mbrojtjes së familjes, theksoi ajo.

Perceptimi i qeverisë

Edhe për kreun e qeverisë së Tiranës, situata lidhur me të drejta e njeriut në Shqipëri nuk është e përkryer. Ajo paraqitet me mjaft mangësi. "Ka qytetarë të Shqipërisë që përfaqësues të shtetit i keqtrajtojnë në paraburgime apo burgje. Standartet në institucionet e vuajtjes së dënimit nuk janë ato që duhet të jenë. Ka qytetarë që nuk gëzojnë trajtim të barabartë përpara ligjit. Ka pronarë gazetash që dhunojnë lirinë e fjalës së gazetarëve," tha kryeministri Berisha, në një konferencë shtypi zhvilluar me rastin e përvjetorit të 60-të të Deklaratës.

Perceptimi i opozitës

Ai është kritik për qeverinë, që nuk garanton të drejtën e punës për të gjithë ata që janë në gjendje të punojnë, që lejon punën e zezë edhe nga të miturit. "Shqipëria mbetet një vend ku pabarazia para ligjit dhe abuzimi i pushtetit me ligjin bën që të cënohet përditë e drejta e qytetarëve të thjeshtë. Shqipëria mbetet një vend, ku të drejtat e grave dhe të vajzave shkelen përditë dhe trafiku njerëzor për shfrytëzimin e vazhdon të jetë një plagë e madhe. Shqipëria mbetet një vend, ku e drejta e pronës njihet me Kushtetutë me ligj dhe me fjalë dhe shkelet me bekimin e qeverisë," tha lideri i opozitës, Edi Rama.

Ne perceptimin e opozitës por edhe të shoqërise civile këto të drejta të sanksionuara në deklaratën universale të Kombeve të Bashkuara, të nënshkruar edhe ngsa Shqipëria, mbeten ende nje premtim i paplotësuar.