1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aleanca e Aksionit: Stop ekstradimit të refugjatëve

1 Prill 2012

Kush kërkon azil në Evropë, duhet t'u përmbahet në mënyrë rigoroze regullave të vendosura nga BE-ja. Gjithashtu kërkesën për azil personi duhet ta parashtrojë në vendin e BE-së, ku ka hyrë fillimisht.

https://p.dw.com/p/14W1n
Fotografi: dapd

Hassan Nour Ali vjen nga Somalia. Ndërkohë ai është strehuar në një kamp refugjatësh në periferi të Berlinit. Hassan Nour Ali, në moshën fundi i të dyzetave me flokë të rëna dhe trupmadh, ka kaluar një odise të vërtetë: Nga Somalia përmes Sudanit ka shkuar në Libi dhe që andej bashkë me 29 somalezë të tjerë me një anije ka kaluar Mesdheun. Dy ditë rresht ka zgjatur lundrimi torturues me anije, derisa ata arritën në destinacion: shteti ishull i BE-së, Malta. Por në vend që më në fund të shijonte lirinë Hassan Nour Ali fillimisht futën në burg. „Më 15 qershor 2008 unë isha në Maltë. Një vit e gjysmë i kalova në burg, por unë nuk jam kriminel. Në vendin tim në Somali gjendja është tmerrësisht e keqe, gruaja ime ka vdekur, tre fëmijët e mi kanë vdekur,  para dhe shtëpi s'kam. Unë jam vetëm.“

Nga Malta ai shkoi në Holandë dhe së fundi donte të kërkonte të drejtën e azilit në Gjermani. Por këtu tani atë e kanë pranuar përkohësisht dhe në çdo kohë mund ta kthejnë në Maltë. "Në janar erdhi një polic për herë të parë në dhomën time, dhe më tha, sonte në mbrëmje do të fluturoni për në Maltë. Unë e pyeta përse. Ai nuk u përgjigj. Unë i thashë, se nuk shkoj në Maltë më mirë vras veten, se sa të më çoni atje."

Hassan Nour Ali
Hassan Nour AliFotografi: Aktionsbündnis gegen Dublin II/Lothar Steiner

Çfarë parashikon Dublin II ?

Hassan Nour Ali në fakt do të jetojë në Gjermani: Por kjo është në kundërshtim me rregullat e Dublin II.  Në kryeqytetin irlandez përpara nëntë vjetësh shtetet e BE-së ranë dakord për një marrëveshje të përbashkët për azilimin. Në bazë të saj një i përndjekur mund të aplikojë për të drejtë azili në çdo vend të BE-së, ku ai hyn. Në rastin e Hassan Nour Alis vendi i hyrjes është Malta. Por qëndrimi atje ishte si ferr për somalezin: "Policia më futi në burg. Unë nuk isha mirë nga ana shëndetësore. Kisha dhimbje të tmerrshme, nuk kisha medikamente dhe asgjë për t'u trajtuar. Ushqimi ishte i keq dhe nuk kisha as rroba për t'u ndërruar. Kur ua tregoja këtë në polici, polici mi mori rrobat dhe më nxorri jashtë në të frohtë, gjatë gjithë ditës."

Vazhdimisht azilkërkuesit tregojnë për keqtrajtime ndaj tyre në vendet, ku ata zbarkojnë. Këto janë kushte të papranueshme dhe antihumane, thotë Lothar Steiner nga Aleanca e Aksionit kundër Dublin II.„Rregullorja Dublin-II përbën për ne një tjetër komponente të politikës evropiane të izolimit, përmes së cilës synohet zhvleftësimi i cilësisë së jetesës për refugjatët në Evropë, veçanërisht në qendër të saj, pra në Francë dhe në Gjermani.“

Schwere Zeiten für Flüchtlinge in Italien auf Lampedusa
Refugjatë në ishullin jugor të Italisë, LampeduzaFotografi: picture-alliance/dpa

Liria e lëvizjes duhet të vlejë për të gjithë

Aleanca e Aksionit kundër Dublin II kërkon të ndalohet menjëherë kjo rregullore, në bazë të së cilës kryesisht kërekesat për azilimin duhet të shqyrtohen në vendet që përcaktojnë kufijtë e jashtëm të BE-së si Polonia, Spanja, Italia, Greqia dhe Malta. Shtete këto, në të cilat autoritetet janë të mbingarkuara në mënyrë të shumëfishtë dhe ku kushtet e strehimit për refugjtët janë pjesërisht katastrofale. „Ne jemi të mendimit, se njerëzit që kërkojnë azilim në Gjermani apo në Evropë, nuk duhet të trajtohen ndryshe nga qytetarët e tjerë që jetojnë këtu. Ashtu siç kanë gëzuar të drejtat emigrantët gjermanë në vitet 30 dhe 40 në SHBA, edhe ne këtu duam, që njerëzit të mund të lëvizin të lirë e ta zgjedhin vet vendibanimin e tyre dhe që liria e lëvizjes në Gjermani dhe në BE të vlejë për të gjithë njëlloj.“

Me Aleancën e Aksionit Hassan Nour Ali do të luftojë për të drejtën e tij të azilimit në Gjermani dhe kundër politikës së ekstradimeve brenda BE-së: "Unë nuk mund të fle më natën, qysh nga qëndrimi në Maltë përjetoj ëndrra të këqia. Nëse kthehem në Maltë unë jam i vdekur. Kjo është historia ime, një problem shumë i madh."

Autor: Richard Fuchs / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Aida Cama