1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sjellja e partive me listat e deputetëve - tregues i mungesës së demokracisë brenda tyre

21 Maj 2009

Aktiviteti elektoral i partive kryesore në Shqipëri u fokusua së fundi tek hartimi i listave të kandidatëve për deputetë. Analistë të zhvillimeve politike e konsiderojnë jo transparent procesin e hartimit të listave.

https://p.dw.com/p/HuoP
Tirana ParlamentFotografi: AP

Dy partitë kryesore PD dhe PS shfrytëzuan çdo limit kohor për prezantimin zyrtar të listave për kandidatët e tyre për deputet. Hartimi i listave ka qënë një prej çështjeve më të përfolura por dhe të kritikuara në mediat shqiptare.

Për drejtorin e gazetës "Albania", Ylli Rakipi, ky proces nuk ka lënë shije të mirë tek publiku apo tek çdo i interesuar që listat të jenë sa më cilësore.

"Duket një proces jo transparent, një proces i mbyllur, që duket si detyrim i kryetarit të partisë. Ashtu siç është bërë dhe ligji përkatës. Pra dy partitë kryesore po i përgjigjen këtij kriteri, duke bërë një rreth të mbyllur për të realizuar objektivat që ata kanë. Duke mos qenë një proces transparent, nuk mund të na sjellë një rezultat normal të pritshëm, pas afër 20 vjet demokraci në Shqipëri".

Drejtori i Gazetës Albania, Ylli Rakipi duke folur për DW
Drejtori i Gazetës Albania, Ylli Rakipi duke folur për DWFotografi: DW / Arben Muka

Edhe kryeredaktori i të përditshmes "Standard", Sami Neza, e vlerëson si jo transparent për publikun procesin e përzgjedhjes së kandidatëve nga dy partitë kryesore. Duke folur për DW, ai vë re se brenda forumeve çdo gjë ka qënë e hapur dhe debatuese, por kjo nuk ka ndodhur me median dhe me publikun.

"Arsyet se pse funksionon kështu janë të ndryshme, por mendoj se dy janë më kryesoret. Së pari mungesa e transparencës për publikun dhe median ka ardhur për të shmangur, siç thonë përfaqësuesit e politikës, sa më shumë ndërhyrjet dhe aplikimin e konfliktit të interesave, në përzgjedhjen e kandidatëve. Së dyti, ndoshta për t'i krijuar vetes zyrtarët e lartë të partive një lloj komoditeti, për të seleksionuar ata njerëz me të cilët ata mendojnë se do të sigurojnë fitoren gjatë kësaj fushate elektorale".

Sami Neza thotë se nuk ka pritur surpriza nga listat e dy partive kryesore politike, pasi pjesë përbërëse e tyre janë "ata protagonistë që kanë zhvilluar fushatën paraelektorale. Ata janë anëtarët e kryesisë qëndrore si dhe elementë të spikatur që kanë afruar dy drejtuesit e partive Berisha e Rama". Kryeredaktori i të përditshmes "Standard" parashikon një kualitet më të lartë të parlamentit të ardhëm, në raport me të këtij mandati që po mbyllet.

Sami Neza, kryeredaktor i gazetës "Standard" duke folur për DW
Sami Neza, kryeredaktor i gazetës "Standard" duke folur për DWFotografi: DW / Arben Muka

Por Ylli Rakipi, drejtori i gazetës Albania, shprehet për DW me skepticizëm për cilësinë e parlamentit që do të formohet pas 28 qershorit të këtij viti.

"Nuk e besoj që ky do të jetë një parlament më cilësor. Të ashtuquajturit "të fortë" në këtë vend, pritet që të mos i mungojnë listave të dy partive kryesore, PD e PS. Po kështu dhe në partitë dytësore kjo kategori do të jetë prezente. Do të kemi të njëjtën pamje me parlamentin e dikurshëm, për të mos thënë dhe më të përkeqësuar. Ligjëvënsësit do të jenë përgjithësisht kualitete të dobta".

Sa i takon funksionimit të demokracisë së brendshme në dy partitë kryesore, Sami Neza i gazetës "Standard" shprehet hapur se ky element lë për të dëshiruar.

"Tek PD ne jemi mësuar të shikojmë modelin e partisë së liderit, që është normale jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende me demokraci të zhvilluar. Ndërsa tek PS sapo ka filluar të shikohet modeli i partisë liderit. Më përpara në këtë formacion nuk ka ekzistuar një gjë e tillë. Ishte deri diku një parti që ka ekzekutuar demokraci brenda vetes, por nuk e ka ekzukutuar këtë demokraci në qeverisje ose në publik".

Edhe për analistin Ylli Rakipi demokracia brenda formacioneve kryesore politike vazhdon të ketë probleme, pavarësisht siç thotë ai, që shitet ideja sikur tashmë ka më shumë demokraci brenda radhëve të tyre. "Një argument për këtë është dhe procesi që ato po zhvillojnë për përcaktimin e listave të kandidatëve për parlamentin e ardhshëm", thotë për DW, Ylli Rakipi, drejtor i gazetës Albania.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi