1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

141011 Fox Rücktritt

15 Tetor 2011

Ministri britanik i Mbrojtjes, Liam Fox dha të premten dorëheqjen. Ai u dorëzua para presionit parlamentar. Foxin e patën akuzuar për favorizim të jashtëligjshëm.

https://p.dw.com/p/12sOU
Liam Fox, ish-Ministri britanik i Mbrojtjes
Liam Fox, ish-Ministri britanik i MbrojtjesFotografi: picture-alliance/ dpa

"Gjah dhelprash" u quajtën së fundi në shtypin britanik rrëfimet e përditshme për Ministrin britanik të Mbrojtjes, Liam Fox. Asnjë ditë nuk kaloi që prej fundjavës së kaluar (08./09.10), ku tituj të rinj gazetash të mos nxirrnin në dritë përzierjen e çuditshme të veprimtarisë lobiiste, miqësisë private, interesave të biznesit dhe politikës së djathtë konservatore në zemër të ministrisë.

Person pa funksion në rrethin më të brendshëm

Liam Foxi kishte futur në rrethin më të brendshëm të Ministrisë së tij një njeri, i cili nuk kishte aty asnjë funksion, që nuk ishte as ekspert i njohur mbrojtjeje, as ish-ushtarak, por vetëm thjesht një mik privat - dëshmitar në martesën e Fox-it para disa vjetëve. Dhe para së gjithash ky Adam Werrity nuk kishte asnjë lloj funksioni - as në parlament, as në qeveri dhe as vetë në ministri. Por ai shpërndante kartëvizita si këshilltar i Ministrit. Ai ishte misteriozi i madh, i cili e shoqëronte Fox-in kudo që prej ardhjes së tij në pushtet një vit e gjysmë më parë- në Dubai, në bisedime me përfaqësues të qeverisë, në Sri Lanka, në Iran, në SHBA, në takime me gjeneralë të lartë; aty ku ishte Fox-i, aty ishte edhe Werrity.

Kjo lidhje e çuditshme është një shkelje e rregullave në bazë të të cilave duhet të funksionojnë ministritë, këtu një person privat pa post pati akses në informacionet me sekrete dhe ushtronte një ndikim të pakontrolluar, kështu kritikoi opozita këtë javë në parlament dhe Fox-i shqiptoi një kërkim faljeje me gjysmë zemre:

"Duke hedhur vështrimin pas unë pranoj që duhet të isha kujdesur për një ndarje më transparente të veprimtarisë qeveritare, të politikës partiake dhe të interesave private, unë e marr mbi vete përgjegjësinë personale."

Dorëheqje e parevokueshme
Dorëheqje e parevokueshmeFotografi: dapd

Mbështetja nuk e shpëtoi

Nga bankat e pasme në Dhomën e Parlamentit, Foxi mori mbështetje të fuqishme, nga krahu i djathtë i konservatorëve, edhe kryeministri David Cameron e mbrojti kolegun e partisë së tij.

"Liam Fox ka bërë një punë shumë të mirë në Ministrinë e Mbrojtjes, ka stabilizuar buxhetin, ka arritur sukses në Libi".

Dhe kryeministri i hodhi poshtë të gjitha kërkesat për dorëheqje, ai tha se do të pritej raporti i përfaqësuesit kompetent të lartë të qeverisë për këtë çështje. Në fund, kjo nuk qe më e nevojshme, siç shpjegon Fraser Nelson nga revista konservatore The Spectator - sepse revista Times pati ndjekur të premten gjurmën e parasë dhe i pati dhënë përgjigje pyetjes, se kush e kishte paguar shokun e ministrit:

"Ne besuam se A. Werrity-n e patën paguar donatorët e mëdhenj konservatorë, tani doli në pah se atë e ka paguar të paktën pjesërisht një sipërmarrje armatimi, kjo ishte e papranueshme."

Veç kësaj, paratë për këshilltarin sekret vinin edhe nga një person kontakti me spektrin neokonservator në SHBA dhe me një përfaqësues të lobit pro-izraelit. Ishte koha më e përshtatshme për një dorëheqje, thotë partia opozitare laburiste. Kevin Jones:

"Qeveritë kanë rregulla dhe për ministrat ka standarde. Foxi nuk iu përmbajt direktivave dhe i thyeu rregullat."

Kryeministri David Cameron ndërkohë deklaroi se atij i vjen keq për dorëheqjen e ministrit. Kjo është një deklaratë e zakonshme. Në fakt, ai duhet të jetë i gëzuar që nuk iu desh vetë të vepronte për ta shkarkuar ministrin e skandalit.

Autor: Barbara Wessel/ Auron Dodi

Redaktoi: E. Xhani