1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sllobodan Petroviq: Asociacioni nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv

Bahri Cani30 Mars 2013

Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të krijojë edhe një nivel tjetër pushteti dhe nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv apo legjislativ, thotë për DW zëvendëskryeministri i Kosovës Sllobodan Petroviq.

https://p.dw.com/p/186yv
Fotografi: DW/B.Cani

Deutsche Welle: Për dallim prej përfaqësuesve të serbëve të veriut, Ju keni vendosur që të merrni pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe të futeni në institucionet kosovare. Në qeveri Ju keni edhe pozicionin e dytë, atë të zëvendëskryeministrit. A jeni penduar për futjen tuaj në institucione dhe a mendomi se keni mundur t'i realizoni synimet, për të cilat jeni futur në qeveri?

Sllobodan Petroviq: Vendimi për pjesëmarrje në zgjedhje dhe futje në qeveri me siguri që nuk ka qenë krejt i lehtë. Vendimi nuk është marrë mbi bazat e emocioneve, por nga dëshira për të marrë përgjegjësinë për zgjidhjen e problemeve të mëdha në këto hapësira. Nga distanca e sotme kohore, mund të them me plot përgjegjësi se ky hap ishte i drejtë dhe i mirë. Këtë e dëshmojnë edhe rezultatet e shumta, që kemi arritur. Në këtë periudhë ne kemi ndërtuar me dhjetëra kilometra infrastruktura të ndryshme, kemi hapur qindra vende të reja pune, kemi ndërtuar shumë shtëpi dhe banesa për të zhvendosurit dhe të cënuarit nga gjendja e rëndë sociale. Rezultatet tona kanë bërë që në zgjedhjet e fundit të marrë pjesë numri më i madh i zgjedhësve serbë deri tani. Por meritat natyrisht që i kanë edhe institucionet kosovare dhe bashkësia ndërkomëtare, të cilët i falënderoj shumë për mbështetje. Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, por rrugën për të cilën besojmë se është në interesin e qytetarëve tanë. Rezultatet dëshmojnë se kemi zgjedhur rrugën e drejtë.

DW: Ju jeni edhe pjesë e delegacionit të Kosovës në dialogun me Beogradin. Si e vlerësoni Ju këtë dialog dhe çfarë prisni prej tij?

Sllobodan Petroviq: Ne e mbështesim fuqishëm këtë dialog, sepse angazhohemi për zgjidhjen e problemeve. Duam të jemi pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe jo pjesë e problemeve. Ne duam që të arrihen zgjidhjet më të mira. Ne kemi pasur shumë presione dhe dëme prej atyre, që mendojnë ndryshe. Por tani po dëshmohet se kemi qenë dhe jemi në pozicionet e duhura. Këtë e dëshmon edhe dialogu dhe pjesëmarrja e Beogradit në këtë dialog. Unë jam pjesë e delegacionit të Kosovës, me ftesën e kryeministrit Thaçi. Ne jemi të vetëdijshëm për rreziqet, por duam të marrin përgjegjësinë, që na takon. Dua të shpreh respektin tim për kryeminstrat Thaçi dhe Daçiq për përgjegjësinë, që kanë marrë mbi vete me futjen në këtë dialog. Dialogu është një ngjarje historike dhe një shans shumë i madh, që nuk duhet të lëshohet. Këtë proces po e mbështet edhe bashkësia ndërkombëtare, me qëllim që të zgjidhen problemet, të cilat këtu po zgjatin me dekada të tëra.

DW: Zoti Petroviq, unë këto ditë kam vizituar edhe Mitrovicën, ku mbi lumin Ibër edhe më tej gjenden barrikadat, që e ndajnë këtë qytet dhe në një farë mënyre edhe Kosovën. Si e shihni Ju ardhmërinë e veriut? Në integrimin në institucionet e Kosovës, apo mendoni se do të ketë ndarje të Kosovës?

Sllobodan Petroviq: Unë edhe një herë dua ta theksoj se politika ime dhe e partisë sime bazohet mbi përgjegjësi dhe jo mbi ndarje. Situata në veri është plotësisht e paqëndrueshme. Dëmet më të mëdha po i përjetojnë qytetarët atje. Në Mitrovicë duhet të krijohet komuna e veriut. Ne kemi hapur në veri një Zyrë Administrative, e cila ka për synim normalizimin e gjendjes dhe decentralizimin e pushtetit. Mbi 1000 njerëz kanë aplikuar për punë në këtë Zyrë. Tani kemi një lloj komunikimi direkt me qytetarët atje dhe kjo na ndihmon që t'i zgjidhim problemet më lehtë. Pjesa më e madhe e dialogut po i kushtohet pikërisht integrimit të kësaj pjese në sistemin e Kosovës dhe këtu nuk ka kurfarë kontestimesh nga palët. Tani po kërkohet vetëm rruga për zgjidhjen e problemeve.

DW: Nëse flasim për rrugën e zgjidhjes, Beogradi ka kërkuar krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, gjë që e ka pranuar edhe pala kosovare. Por deri tani nuk ka ndonjë marrëveshje rreth kompetencave, që duhet të ketë ky asociacion. Cili është mendimi Juaj, çfarë të drejtash duhet të ketë ky asociacion?

Sllobodan Petroviq: Asociacioni i komunave nuk është i kontestueshëm, sepse këtë e parashikon edhe Kushtetuta e Kosovës. Tani duhet gjetur zgjidhje vetëm për detyrat dhe përgjegjësitë e tij. Deri tani është e qartë se nuk do të ketë një pushtet të nivelit të dytë, apo të tretë, siç kërkohet. Do të kemi pushtetin qendror dhe lokal. Disa obligime duhet të ketë edhe ky asociacion, por kurrsesi jo edhe të drejtat ekzekutive dhe legjislative. Esenca në fakt është që komunat e Kosovës kanë fituar shumë të drejta me procesin e decentralizimit. Ekzistojnë shumë segmente, të cilat i kanë komunat në Kosovë dhe nuk i kanë komunat në vendet e tjera të rajonit.

DW: Mendoni se këto kompetenca mjaftojnë për realizimin e interesave të serbëve në komunat, ku ata janë shumicë, apo duhet krijuar edhe ndonjë nivel tjetër pushteti?

Sllobodan Petroviq: Një fjalë e urtë e popullit thotë se "nuk është mirë që ta thyesh derën me këmbë, para se të trokasësh, sepse dera ndoshta është e hapur". Ka shumë gjëra të panjohura për qytetarët tanë, të cilët nuk e dinë se cilat janë mundësitë, që ofrohen. Kjo nuk varet vetëm nga ligjet dhe rregullat, por nga njerëzit, që duhet t'i realizojnë. Në jug ka shumë gjëra pozitive, por ka edhe gjëra, të cilat ende nuk janë bërë. Për shembull, ende nuk është bërë kalimi i plotë i kompetencave.

DW: Zoti ministër, më konkretisht: a mendoni se mund t'i realizoni interesat e serbëve, a ka hapësirë të mjaftueshme në institucione për realizimin e këtyre interesave?

Sllobodan Petroviq: Gjithmonë mund të ketë më shumë mundësi dhe gjërat mund të zhvillohen më mirë. Ka gjëra, të cilat ende nuk i kemi realizuar...

DW: Cilat, për shembull?

Sllobodan Petroviq: Mendoj se ende nuk janë kaluar të gjitha kompetencat në duart e komunave të reja. Kjo me siguri që do të ndikojë që edhe më mirë të realizohen interesat e komunave. Ka shumë gjëra në administratë dhe polici, që mund të realizohen. Shumë prej këtyre gjërave ende nuk janë realizuar, ndërkohë që kërkohen gjëra të reja. Mendoj se duhet bërë decentralizimi dhe jo centralizimi i pushtetit. Në jug kemi formuar katër komuna të reja dhe kemi komunën e zgjeruar të Novo Bërdos, ku jo të gjitha punët kanë ecur si duhet. Këtu luan një rol shumë të rëndësishëm faktori njeri.

DW: Çfarë rapotesh duhet të kenë serbët e Kosovës me Serbinë?

Sllobodan Petroviq: Natyrisht që këto raporte duhet të jenë në nivelin më të mirë të mundshëm. Për fat të keq raportet nuk janë në nivelin, që do të dëshironim ne. Njerëzit që kanë marrë përgjegjësinë për gjendjen, nuk trajtohen në mënyrë të barabartë prej Beogradit. Shpresoj se gjendja do të ndryshojë dhe se neve do të na trajtojnë si përfaqësues legjitim.

DW: Zoti ministër, si duhet të zgjidhet gjendja në veri të Kosovës?

Sllobodan Petroviq: Të jem shumë i sinqertë, asnjë zgjidhje, që do të arrihet në Bruksel nuk do të jetë e pranueshme për serbët në veri. Ata do të kenë kërkesa të tjera. Por duhet theksuar se dy të tretat e serbëve jetojnë në jug të lumit Ibër dhe kushtet e tyre janë shumë më të rënda se të atyre në veri. Ndaj këtu duhet të angazhohemi edhe më shumë. Shpresoj se në Bruksel do të arrihet një marrëveshje e pranueshme. Më pas në veri duhet të mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike. Shpresoj se atje do të kenë më shumë mundësi për mbështetje partitë, që angazhohem për të ardhmen dhe për perspektivën e jo për të kaluarën dhe ndarjet.

DW: Ju do të merrni pjesë në zgjedhjet e veriut?

Sllobodan Petroviq: Unë jam i gatshëm që të marrim përgjegjësitë për qytetarët atje, në mënyrë që ata të jetojnë sa më mirë. Kur jemi futur në zgjedhje dhe institucione nuk ka qenë qëllimi ynë të fitojmë pushtetin dhe të përfitojmë, por t'i realizojmë interesat e qytetarëve tanë. Demokracia nënkupton vullnetin e lirë të qytetarëve dhe nëse qytetarët na votojnë, ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë për një të mirë të përgjithshme.

DW: Nëse po ju kuptoj mirë, Ju besoni se e ardhmja e veriut është në procesin e integrimeve dhe jo ndarjeve?

Sllobodan Petroviq: Po e përsëris edhe një herë: asnjë marrëveshje nuk do të jetë e lehtë të realizohet. Vetë nënshkrimi nuk do të thotë se janë zgjidhur problemet. Më i rëndësishëm se nënshkrimi është realizimi i marrëveshjes. Do të ketë sfida, por nuk pres trazira të mëdha. Marrëveshja, për të cilën shpresoj se do të arrihet në Bruksel, do të jetë në interesin e qytetarëve dhe jo të individëve.

DW: A besoni në normalizimin e plotë të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, sepse ky është kushti kryesor për afrimin e këtyre vendeve me Bashkimin Evropian?

Sllobodan Petroviq: Besoj se në Beograd dhe në Prishtinë kemi njerëz të përgjegjshëm dhe se do ta njohin këtë shans të ofruar. Shpresoj se do ta kuptojnë këtë. Jam i bindur se raprotet mes Serbisë dhe Kosovës do të jenë gjithnjë e më të mria dhe se një ditë do të jenë ndoshta më të mirat në rajon. Situata nuk është e lehtë, sepse kemi një krizë të madhe ekonomike, papunësinë më të lartë në Evropë etj. Por vetë afrimi me BE-në është shansi ynë i vetëm. Rruga drejt BE-së do të jetë më e shkurtër, në qoftë se raportet mes Beograit dhe Prishtinës janë më të mira. Jam shumë i bindur se elitat e dinë këtë dhe shpresoj se këtë gjë do ta kuptojnë gjithnjë e më shumë qytetarë. Të gjithë ne duhet të marrim pjesën e përgjegjësisë, që na takon: politikanët, shoqëria civile dhe në veçanti mediat, me qëllim që të arrihet një jetë më e mirë jo vetëm në Kosovë dhe Serbi, por edhe në mbarë rajonin. Çdo lloj ndarjeje dhe kufizimi, në veçanti mbi linjat etnike, është e papranueshme. Kjo po kuptohet gjithnjë e më shumë prej të gjitha strukturave relevante. Dua të besoj se do ta shfrytëzojmë këtë shans, që na kanë ofruar Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja. Ka ardhur koha t'i kthehemi ardhmërisë dhe t'i lëmë pas vete të këqija, që na kanë ndodhur. Me siguri që nuk është e lehtë, por kjo është rruga më e mirë.