1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sllovenia vendos taksë të re për autostradat

Goran Goic21 Maj 2008

Nga 1 korriku i këtij viti Sllovenia aplikon një taksë të re për autostradat dhe rrugët e saj nacionale. Por vendimi i për aplikimin vetëm të taksave afatgjate 6 dhe 12 mujore nuk është pritur mirë

https://p.dw.com/p/E3dd
Ljubljana
LjubljanaFotografi: picture-alliance/dpa

E lindur në Zagreb, Canka Jadranka Shirola me familje prej vitesh jeton në afërsi të Bonn-it. Në Kroaci ajo shkon rrallë, kryesisht gjatë pushimeve verore dhe këtë rrugë e bën me makinë. Për autostradën ende të papërfunduar sllovene përmes Mariborit, deri tani ajo ka paguar më pak se një euro. Për futjen në përdorim të taksave afatgjate për autostradën nga pala sllovene si shumë udhëtarë të tjerë ajo nuk ka mirëkuptim:

"Sikur të ndërtohej ajo autostradë dhe të ishte autostradë me nivel atëherë në rregull. Prapëseprapë mendoj se do të duhej të ofrohej ndonjë vinjetë njëditore apo njëjavore, por të paguajmë gjysëm viti për një udhëtim përmes Sllovenisë më duket se është si tepër".

ADAC propozon edhe taksa afatshkurtra

Sipas përllogaritjeve të bëra në Shoqatën më të madhe automobilistike në Evropë, ADAC, konkretisht bëhet fjalë për një ngritje prej 300 përqind të taksave për autostradën. Zëdhënësi Otto Zalman sqaron se:

"Në bisedimet me klubin automobilistik, partnerin tonë në Slloveni kemi propozuar që në përdorim të vihen edhe taksa afatshkurtra. Shumica e mysafirëve gjermanë në Kroaci kalojnë dy javë për pushime, kështu që mendoj se një vinjetë 14-ditore nuk do të ishte zgjidhje e keqe".

Të prekur nga ngritja e kësaj takse janë edhe shumë kosovarë të cilët jetojnë në vendet perëndimore dhe pushimet do t'i kalojnë në vendlindje. Shumë prej tyre këtë rrugë do ta bëjnë përmes Sllovenisë.

Austria përshembull për udhëtarët tranzit ofron një vinjetë dhjetëditore. Për këtë ajo obligohet edhe nga Komisioni Evropian. Por në rastin e Sllovenisë Brukseli është i përmbajtur me arsyetimin se bëhet fjalë për një zgjidhje të përkohshme, deri sa të kalohet në sistemin satelitor për llogaritjen e taksave të autostradës, më e vonta deri në fund të vitit 2010.