1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Snowden: dua të kthehem në shtëpinë time

Sabine Muscat / exh29 Maj 2014

Zbuluesi i skandalit të NSA jep intervistën e tij të parë në televizionin amerikan. Ai i justifikon veprimet e tij me detyrimin moral. Avokatët e tij po përpiqen të arrijnë një marrëveshje me qeverinë e SHBA.

https://p.dw.com/p/1C8tu
Russland USA NBC Nightly News Interview mit Edward Snowden in Moskau
Fotografi: Reuters

Edward Snowden po përpiqet të rikthehet në SHBA. Në intervistën e tij të parë në televizionin amerikan, ai e cilësoi zbulimin e programeve të spiunazhit të NSA-së për publikun, si një shërbim që i ka bërë vendit të tij dhe i bëri thirrje bashkëkombasve të tij dhe qeverisë Obama, të mos e trajtojnë si një kriminel.

"Që ditën e parë kam thënë se këtë e bëj për t'i shërbyer vendit tim", tha Snowden në intervistën që kanali NBC regjistroi javën e kaluar në Moskë. "Nëse do të vijë një amnisti apo zbutje e kushteve, këtë nuk e vendos unë. Këtë duhet ta vendosin opinioni publik dhe qeveria. Por nëse ka një vend në botë ku do të dëshiroja të shkoja, kjo është shtëpia ime."

Rusia nuk ishte destinacioni fillestar

Specialisti 30-vjeçar i kompjuterave është në arrati, pasi verën e kaluar bëri publikë programet me të cilët shërbimi i fshehtë NSA mund të ndërhyjë në përmasa të papara më parë, në të dhënat globale të internetit dhe telefonisë. Nga vendi i parë ku u strehua fillimisht, Hongkong, ai fluturoi më pas për në Moskë. Kur vazhdimi i udhëtimit për në Amerikën Latine dështoi pasi SHBA bllokoi pasaportën e tij të udhëtimit, Presidenti Vladimir Putin i dha atij azil në Rusi. Në rast rikthimi në atdhe, Snowdenin e kërcënojnë një proces për tradhëti sekreti dhe burg i përjetshëm.

Qeveria amerikane i përmbahet edhe më tej qëndrimit të saj, sipas të cilit Snowden duhet të dalë para gjyqit. Ministri i Jashtëm i SHBA, John Kerry e refuzoi ashpër lutjen për kushte të buta, që përpara se intervista të transmetohej. "Këtu është fjala për një njeri, i cili ka tradhëtuar vendin e tij dhe ka kërkuar strehë në Rusi, një vend autoritar", tha Kerry për kanalin CBS. "Ai duhet të sillet si burrë dhe të rikthehet në SHBA. Nëse kërkon të paraqesë ankesa për sistemin amerikan të survejimit, atëherë duhet të vijë këtu dhe të përgjigjet përpara sistemit tonë të drejtësisë."

John Kerry 24.04.2014
Fotografi: Reuters/Yuri Gripas

Avokati Wizner: Edhe vetë Obama e vlerëson pozitivisht debatin për përgjimet

Avokatët e Snowdenit bëjnë megjithatë të ditur se ka disa kontakte të para me qeverinë amerikane, për të parë mundësinë e një marrëveshjeje. Klienti i tij ka hapur një debat jashtëzakonisht të rëndësishëm, tha Ben Wizner, avokat pranë grupit për të drejtat civile "American Civil Liberties Union", i cili i ofron asistencë juridike Snowdenit. Tema se deri ku mund të shkojë shteti në mbledhjen e të dhënave për qytetarët diskutohet në parlamente në të gjithë botën. Sipërmarrje të teknologjisë kanë përmirësuar mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve dhe madje edhe qeveria Obama ka njoftuar reforma.

"Për fat të keq Snowden mund të marrë pjesë në këtë debat global vetëm duke qenë në arrati jashtë SHBA", tha Wizner për Deutsche Welle. "Nëse SHBA do të njohë vlerën e asaj që ka bërë Snowden - dhe madje edhe Presidenti Obama ka deklaruar se ky debat na ka bërë më të fortë - atëherë vendi duhet të mendojë për oferta që do të mundësonin një rikthim dinjitoz të tij, dhe jo të përdorë gjuhën e adoleshentëve që duan të duken të fortë, siç bëri sot ministri i Jashtëm."

Snowden: kritika ndaj Rusisë së Putinit

Në intervistë me NBC Snowden i hedh poshtë akuzat se ai është pajtuar me Rusinë e Putinit. Ai theksoi se të gjitha dokumentet që dispononte i ka shuar nga kompjuteri portabël përpara hyrjes në Rusi. Shërbimet sekrete ruse nuk kanë pasur në asnjë moment qasje në informacione që mund të dëmtonin SHBA. Presidentin Putin ai e kritikon me fjalë të ashpra: "Është vërtet e vështirë për dikë që ka luftuar aq fort për të drejtat dhe sferën tonë private, të mbetet i bllokuar në një vend ku këto të drejta kufizohen aq shumë sa e konsideroj thellësisht të padrejtë."

Snowden gjatë intervistës qendronte i ulur në një karrige, i qetë dhe i formulonte përgjigjet e tij i përqendruar dhe me saktësi. Pyetjeve për jetën e tij private dhe ndjenjat iu përgjigj me formulime abstrakte. Ajo që vihej re gjatë gjithë intervistës ishte krenaria për aftësitë e veta. Ai e akuzoi qeverinë amerikane se nënvleftësonte përvojën e tij në fushën e shërbimit sekret. "Unë jam formuar si spiun, në kuptimin klasik të fjalës. Kam jetuar dhe punuar jashtë vendit me emër të rremë dhe të dhëna të rreme për profesionin." Është "dezinformuese" që ai të paraqitet si një administrator i thjesht i sistemit të IT, i cili nuk e di se për çfarë flet.

Edward Snowden Ehrenurkunde Whistleblower-Preis 2013 BILDAUSSCHNITT
Fotografi: picture-alliance/dpa

Snowden tha se është i ndërgjegjshëm që ka shkelur ligjet amerikane. Por është i bindur se në plan moral ka vepruar drejt. "Ndoshta kam humbur të drejtën për të udhëtuar. Por kam fituar aftësinë të mund të fle natën dhe ta mbështes kokën në jastëk me bindjen se kam bërë gjënë e duhur, edhe pse ka qënë gjëja më e vështirë. Dhe jam i kënaqur më këtë."