1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PSD para bisedimeve të vështira

Marcel Fürstenau/Vilma Filaj-Ballvora21 Tetor 2013

Gjermania gjithnjë e më pranë qeverisjes nga një koalicion me bazë të gjerë. Konventa e socialdemokratëve jep dritën e gjelbër për bisedimet e koalicionit me unionin konservator.

https://p.dw.com/p/1A2xN
Fotografi: picture-alliance/dpa

Më në fund një shumicë dominuese prej rreth 85% e të deleguarve në konventën e Partisë Socialdemokrate në Berlin u shprehën pro hapjes së negociatave për një koalicion me bazë të gjerë me Unionin konservator. Nga 229 të deleguarit pati dy abstenime dhe 31 vota kundër, tha kryetari i Partisë Socialdemokrate SPD, Sigmar Gabriel, pas konsultimeve, që zgjatën gati katër orë në selinë qendrore të partisë në Berlin. SPD-ja do të hyjë me një plan dhjetë pikësh në bisedimet, që nisin të mërkurën (23.10.2013) në Berlin me kancelaren kristiandemokrate Angela Merkel (CDU) dhe me Partinë Kristiansociale, që qeveris në Bavari, CSU.

Në krye të listës së prioriteteve të socialdemokratëve vazhdon të jetë aplikimi i një page minimale të garantuar me ligj në mbarë federatën me vlerën e 8,50 eurove për orë pune. Partitë e unionit konservator CDU/CSU qysh në bisedimet e sondazhit mbi mundësinë e krijimit të koalicionit i patën sinjalizuar lëshime SPD-së në këtë drejtim. Por një pagë minimale nuk duhet të bëhet shkas për humbjen „masive të vendeve të punës“, kështu i formulojnë me një gjuhë unike palët deklarimet e tyre. Në këmbim të lëshimeve lidhur me pagën minimale SPD-ja do të heqë dorë prej kërkesës për rritjen e kuotës maksimale të tatimit nga 45 në 49%. Unioni CDU/CSU gjatë fushatës elektorale e ka përjashtuar kategorikisht rritjen e taksave.

Deri në Krishtlindje duhet të jetë krijuar qeveria e re

Sidoqoftë prej konservatorëve vijnë sinjale pozitive. Sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Hermann Gröhe, i tha agjencisë së lajmeve DPA: "SPD-ja në konventën e saj i ka ritheksuar parimet themelore të socialdemokracisë. Unë jam i sigurtë që ne do të konceptojmë kompromise korrekte." Shtylla për një program të përbashkët qeverisës duhet të jenë fuqizimi i ekonomisë dhe garantimi i shanseve për punësimin. Edhe kryetari i SPD-së Gabriel është i bindur, që bisedimet e koalicionit do të ecin me sukses. Nëse bisedimet nisin, „duhet t'i vemë qëllim vetes, që ato të mbyllen me sukses“. Por sidoqoftë një dështim është i mundshëm, në rast se gjatë bisedimeve me unionin konservator rezultojnë „diferenca të pakapërcyeshme“, shtoi Gabriel.

Merkel dhe Gabriel. Do të jenë vallë së shpejti në një qeveri?
Merkel dhe Gabriel. Së shpejti në një qeveri?Fotografi: picture-alliance/dpa

Tema të tjera në bisedimet e koalicionit do të jenë një sërë çështjesh social-politike. Ndryshe nga konservatorët SPD-ja preferon barazinë e pakufizuar të çifteve homoseksuale, është për aplikimin e nënshtetësisë së dyfishtë dhe është kundër mbështetjes financiare për edukimin e fëmijëve, për ata prindër, që e marrin vetë përsipër edukimin e fëmijëve. Në rast se SPD dhe CDU/CSU gjejnë kompromise për të gjitha pikat e diskutueshme, atëherë për të tretën herë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë do të krijohet një koalicion me bazë të gjerë. Premiera e një koalicioni të tillë ka qenë në vitin 1969 deri në vitin 1969. Për herë të dytë socialdemokratët dhe konservatorët qeverisën së bashku në legjislaturën 2005 - 2009 nën drejtimin e kancelares Angela Merkel.

Fjalën e fundit për koalicionin e ka baza e SPD-së

Rreth 470.000 anëtarët e SPD-së duhet të votojnë në fund për marrëveshjen e koalicionit. Vota e tyre do të jetë „e detyrueshme“, theksoi Gabriel. "Ne në këtë mënyrë ne vendosim një standard të ri", që sipas Gabriel „shërben si model“ edhe për partitë e tjera. Deri për Krishtlindje duhet të jetë krijuar qeveria e re, sipas dëshirës së kreut të SPD-së. Në mes të nëntorit në Lajpcig është planifikuar kongresi i ardhshëm i partisë. Gabriel llogarit, se do t'i përmbahet këtij afati, edhe në qoftëse deri atëherë nuk do të kenë përfunduar bisedimet e koalicionit.