1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180509 Piraterie Somalia

18 Maj 2009

Numri i sulmeve të piratëve në brigjet e Somalisë po shtohet. OKB-ja, BE-ja dhe NATO si dhe po dërgojnë në Gjirin e Adenit njësi të flotave luftarake.zgjidhja politike për shtetin e rrënuar të Somalisë duket e largët

https://p.dw.com/p/Hsfr
Piratë somalezë në Basaso: megjithë ndërhyrjen ndërkombëtare, tregtia me pengjet lulëzon
Piratë somalezë në Basaso: megjithë ndërhyrjen ndërkombëtare, tregtia me pengjet lulëzonFotografi: AP

Piratët kanë burimet e tyre në shoqëritë e lundrimit. Rol luan nacionaliteti i pengjeve: kur merr peng marinarë rusë nuk nxjerr dot thuajse asnjë shpërblim

Prej kohësh piratët somalezë nuk i përgjigjen më klishesë së njerëzve të veshur me pantofla plazhi dhe të armatosur me pushkë të ndryshkura të modelit AK-47. Një raport i shërbimeve sekrete për misionin e BE-së kundër piraterisë që mban emrin Atalanta, i cili iu transmetua së fundi mediave spanjolle, dëshmon se piratët e kësaj zone po bëhen gjithnjë e më të sofistikuar. Sipas këtyre njoftimeve piratët kanë burimet e tyre në shoqëritë e lundrimit, dhe marrin informacione në lidhje me ngarkesën e anijeve dhe pozicionin e anijeve. Shpesh piratët kanë madje edhe informacione në lidhje me nacionalitetin e marinarëve, një kriter i rëndësishëm ky, sepse p.sh. kur merr peng marinarë rusë nuk nxjerr dot thuajse asnjë shpërblim. Sipas të dhënave të shoqërisë turke të lundrimit, në bisedimet për lirimin e anijes së saj tregtare Karagël piratët ishin në kontakt të përditshëm me krerët e tyre në Londër prej nga ku merrnin edhe urdhëra.

Aty ku ka qeveri efektive, aty piratët e anijeve e kanë të vështirë

Ahmedu Abdallah Ould, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Somalinë sqaron:

"Në Afrikë la shumë rajone ku pirateria mund të shndërrohet në problem. Por aty ku ka qeveri efektive, aty piratët e anijeve e kanë të vështirë. Pirateria që shohim aktualisht në Somali është një veprimtari kriminale, e cila mbështetet prej biznesmenësh. Këta duhen nxjerrë përpara përgjegjësisë. Por mënyra më e mirë për të luftuar piraterinë është forcimi i qeverisë.“

N.Simonsen, Piratët në bordin e anijes së tyre, 1836.
N.Simonsen, Piratët në bordin e anijes së tyre, 1836.Fotografi: picture-alliance / aka-images

Zgjidhja e problemit të piraterisë nuk është në det, por në tokë

Zgjidhja e problemit të piraterisë, për këtë janë të një mendjeje shumica e vëzhguesve në Somali, nuk është në det, por në tokë: në kryeqytetin anarkist Mogadishu, ku qeveria e re e instaluar e presidentit Sheik Sharif lufton për të mbijetuar ndaj milicëve Al Shabaab, që po afrohen gjithnjë e më tepër. Dhe në fshat, ku popullsia jeton jashtë çdo strukture shtetërore dhe ku nuk afrohen dot as organizatat humanitare.

Prof. Günther Maihold, i cili merret me studime për problemin e piraterisë pranë fondacionit Shkencë dhe Politikë, ka vërtetuar se pirateria në rrugën detare të Malakës përpara brigjeve të Indonezisë shënoi rënie të menjëhershme, sapo rojet bregetare indoneziane u armatosën në sajë të marrëveshjeve me vendet fqinjë, dhe në vitin 2006 u nënshkrua marrëveshja e paqes në Aceh.

Bashkësia ndërkombëtare ka pësuar edhe dështime në përpjekjet për ta ndaluar piraterinë përmes ndërhyrjes së jashtme

"Për sa kohë nuk sigurohet gjendja ekonomike për banorët e fshatrave, për sa kohë nuk ringrihen strukturat themelore shtetërore edhe në fshat, do të jetë e vështirë të luftohen edhe simptomat e piraterisë. Nga ana tjetër bashkësia ndërkombëtare ka pësuar edhe dështime në përpjekjet e saj për ta ndaluar një gjë të tillë përmes ndërhyrjes së jashtme. Për këtë aktualisht jemi në një gjendje ku nuk mund të themi nëse kjo situatë mund të vihet nën kontrroll."

Qëkurse në brigjet e Afrikës janë marrë peng edhe anije gjermane, kjo çështje është në rend të ditës edhe në politikën gjermane. Diskutimet kanë të bëjnë ndër të tjera me kompetencat për angazhimin e njësive gjermane dhe instrumentat për luftimin e piratëve dhe qëndrimin ndaj tyre. Pra cilat prej çështjeve janë kompetenca të Minstrisë së Brendshme, të Mbrojtjes apo të Drejtësisë.

Javën e kaluar në Mogadishu u zhvilluan përleshjet më të rënda që prej disa muajsh

Sipas prof. Günther Maihold:

"Unë mendoj se ne në gjendjen aktuale kemi nevojë për më pak diskutim në lidhje me instrumentat ligjorë, se sa për një koordinim efektiv të shumë aktorëve që janë aktivë në këtë zonë. Kemi mandatin e OKB-së, misionin e BE Atalanta, Indinë, Kinën, Malajzinë, që kanë dërguar anijet e tyre në rajon. Dhe deri tani nuk është arritur që të gjithë ata të bëhen bashkë.“

Sipas korrespondëve të DW-së, javën e kaluar në Mogadishu u zhvilluan përleshjet më të rënda që prej disa muajsh. Pati rreth 115 të vrarë, shumica civilë dhe shumë njerëz kanë marrë arratinë.

Ajo që i bën shumë të rinj që të rekrutohen prej bosëve të piraterisë janë mungesa e shpresës dhe gjendja ekonomike. Për sa kohë problemet politike të Somalisë do të mbetet pa zgjidhur, për aq kohë prej rrezikut të piraterisë do të vazhdojnë të jenë të prekura edhe anijet gjermane. Kujto shembullin e Indonezisë.

Autor: Ludger Schadomsky/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi