1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spanja meriton respekt dhe besim

Lindita Arapi6 Shtator 2012

Kancelarja gjermane, Angela Merkel viziton ditën e Enjte Spanjën. Ekonomia gjermane para vizitës së saj vlerësoi reformat e ndërmarra nga Spanja.

https://p.dw.com/p/164L8
Merkel dhe Rajoy
Merkel dhe RajoyFotografi: dapd

Spanja, vendi i bumit të dikurshëm ekonomik dhe ekonomia e katërt në eurozonë, sot është përfshirë nga kriza e rëndë e borxheve dhe papunësia e lartë. Të Enjten, kancelarja gjermane, Angela Merkel viziton Spanjën. Në qendër - sigurisht kapërcimi i krizës së borxheve. Para vizitës, ministri i Jashtëm i spanjës, Jose Manuel Garcia Margallo theksoi se vetëm Banka Qendrore Europiane mund ta zgjidhë problemin e borxheve të Spanjës për të diskutuar për krizën e euros.

Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Garcia-Margallo
Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Garcia-MargalloFotografi: Reuters

Spanja i ka përmbushur detyrimet e saj dhe ka shkurtuar shpenzimet buxhetore, por tregjet e kapitalit nuk i shpërblejnë këto hapa, i tha Margallo, radios spanjolle Onde Cero, të Enjten në mëngjes. Ajo që Spanja kursen nga njëra anë, shpenzohet në anën tjetër për normat e larta të interesit. Me mosbesim shprehet ministri i Jashtëm spanjoll edhe ndaj vizitës së Merkelit. "Kancelarja do të thotë se po punojmë shumë mirë, që jemi të guximshëm, dhe se reformat tona po shkojnë në drejtimin e duhur. Dhe ne do të përgjigjemi: Bukur dhe mirë është kjo, po na ndihmon vetëm në plan afatmesëm dhe afatgjatë, ndërsa neve na duhen paratë që nesër."

Gjermania respekton reformat spanjolle

Kancelarja Merkel të Enjten takohet në Madrid me kryeministrin Rajoy. Ky i fundit kërkoi para takimit me kancelaren masa energjike për përballimin e krizës së huave. Rajoy i tha gazetës "Frankfurter Allgemeine Zeitung", tani ka rëndësi para së gjithash që të zgjidhen pasiguritë rreth euros dhe të garantohet që shtetet e dobësuara të mund të sigurojnë sërish para kundrejt normave të interesit të arsyeshme.

Presidenti i Shoqatës Gjermane të Industrisë, Hans-Peter Keitel
Presidenti i Shoqatës Gjermane të Industrisë, Hans-Peter KeitelFotografi: dapd

Kancelarja Merkel do të ndjekë gjatë së Enjtes takimin ekonomik gjermano-spanjoll. Por kur kancelarja Merkel të takohet me kolegun e saj, Rajoy, ka filluar ndërkohë takimi i nivelit të lartë ekonomik gjermano-spanjoll. Potenciali i marrëdhënieve gjermano-spanjolle është në qendër të takimit të organizuar nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë. Presidenti i Shoqatës Gjermane të Industrisë, Hans-Peter Keitel është shprehur se "industria gjermane i vlerëson reformat e nisura nga qeveria e Rajoyt. Madje është në interesin e Spanjës dhe Europës që këto reforma të vazhdojnë. Ndërsa presidenti i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, Hans-Heinrich Dittmann theksoi se me vizitën në Madrid ne "si ekonomi gjermane duam të theksojmë se Spanja meriton respekt dhe besim për reformat e saj".

Pala gjermane ka bërë të qartë se takimi do të nxjerrë në pah mbështetjen e fuqishme të ekonomisë gjermane për Spanjën. Kontaktet e mira mes dy ekonomive kanë krijuar ndërkohë bazën për një dialog, nga i cili do të përfitojnë të dyja vendet, njoftojnë Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë. Më shumë se 1.100 firma gjermane janë të përfaqësuara ndërkohë në Spanjë.