1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spiunët e dyshuar të Moskës në Gjermani para gjyqit

Mikhail Eliana Xhani14 Janar 2013

Në Stuttgart fillon një nga proceset më spektakolare për spiunazh që prej fundit të Luftës së Ftohtë. Një çift akuzohet se për dy dekada ka spinuar për llogari të Rusisë NATO-n dhe BE-në.

https://p.dw.com/p/17JWz
Fotografi: wrangler - Fotolia.com

Duket si një thriller klasik me agjentë. Me kuti postare të rreme, këmbim njoftimesh të koduara mes agjentësh dhe mesazhe të fshehta në internet. Një çift në Gjermani dyshohet se për 20 vjet me radhë ka kryer spiunazh, fillimisht për shërbimin sekret sovjetik e më vonë për atë rus me jashtë, SWR. Që prej ditës së martë (15.01.2013) Andreas Anschlag (54 vjeç) dhe gruaja e tij Heidrun (48 vjeç) ndodhen para gjyqit në Stuttgart. Prokuroria federale i akuzon ata për "veprimtari agjenturore" dhe "falsifikim dokumentesh".

Nëse emrat e bërë publikë janë emrat e vërtetë të të paditurve, nuk dihet. Avokati i tyre mbrojtës Horst-Dieter Pötschke, nuk përgënjeshtroi për DW se "Anschlag" është emri i vërtetë i çiftit të agjentëve. Për akuzat ai u prononcua indirekt. Dënimi i mundshëm prej deri dhjetë vite burg është i tepruar, deklaroi avokati nga Mynihu.

Pötschke është ekspert për raste të tilla. Në vitet 1970 dhe 1980 ai ka mbrojtur edhe agjentë të tjerë të zbuluar të KGB-së sovjektike apo të Stasi-t gjermanolindor. Një prej mandantëve të tij ka qenë Günter Guillaume, bashkëpunëtor i ngushtë i ish-kancelarit gjerman Willy Brandt dhe spiun i RDGJ-së. Pas zbulimit të Guillaume në 1974, Brandt dha dorëheqjen.

Firma "VötschIndustrietechnik" ku ka punuar i dyshuari për spiunazh, Andreas Anschlag deri në vitin 2011
Firma "VötschIndustrietechnik" ku ka punuar i dyshuari për spiunazh, Andreas Anschlag deri në vitin 2011Fotografi: DW/M.Bushuev

Jetë e thjeshtë qytetare

Historia e çiftit të dyshuar të agjentëve filloi në kohën kur ekzistonte ende Bashkimi Sovjetik dhe Lufta e Ftohtë ishte realitet. Sipas akuzës, burri hyri në Republikën Federale në 1988 dhe gruaja në 1990, me pasaporta të falsifikuara austriake. Të dy thonin se kishin lindur në Amerikën e Jugut. Fillimisht kanë jetuar në Aachen ku burri ka studiuar inxhinieri mekanike.

Pas lindjes së vajzës, maskimi ishte i përsosur. Çifti bënte një jetë të thjeshtë dhe u vendos në një lagje borgjeze në Meckenheim, pranë Bonn-it. Fqinjët i përshkruajnë si miqësorë, por të distancuar. "Ata kishin pak kontakt me të tjerët. Burrin nuk e kam parë kurrë megjithëse ishim fqinjë", thotë një grua.

Dokumente të NATO-s për Moskën

Çifti ka arritur të sigurojë si informator një diplomat holandez, mësohet nga prokuroria federale. Ky ka siguruar dhjetëra dokumente të fshehta mbi NATO-n dhe BE-në. Ndër të tjera në dokumente bëhej fjalë për marrëdhëniet me Rusinë.

Dokumentet i janë përcjellë qendrës së shërbimit sekret SWR në Moskë me anë të të ashtuquajturave "kuti postare të vdekura", thuhet në aktpadi. Udhëzimet çifti i merrte me radiomarrëse dhe njoftimet i dërgonte me satelit dhe një platformë interneti.

Në arrestimin e tyre në tetor 2011 gruaja ishte gjetur e ulur para një radiomarrëseje me valë të shkurtra duke marrë shënim mesazhe sekrete, njofton revista Der Spiegel. Në atë kohë çifti jetonte në një shtëpi në Michelbach jo larg Marburgut në landin e Hessenit. Burri u arrestua në të njëjtën ditë. Për ditë me radhë punonjës të kriminalistikës kontrolluan me aparate speciale shtëpinë dhe oborrin e çiftit të dyshuar të agjentëve.

Symbolbild Abhören Spionage investigativjournalismus
Fotografi: Eisenhans - Fotolia.com

Këmbim pas shpalljes së dënimit?

Si ka qenë e mundur që agjentët russë të jetonin dhe punonin për vite me radhë në Gjermani pa u zbuluar? Një fqinjë në Michelbach e kishte dalluar dialektin lindor të çiftit. Edhe historia për origjinën latino-amerikane dhe gjoja austriake i ishte dukur asaj e dyshimtë, ashtu si dhe disa prej sjelljeve të çiftit. "Gruaja dilte shpesh në oborr për të telefonuar, edhe në dimër", thotë një fqinje.

Megjithatë nuk ishin fqinjët ata që u dhanë sinjalet vendimtare hetuesve gjermanë, por shërbimet sekrete amerikane, njoftojnë mediet gjermane. Si ambasada ruse në Berlin ashtu dhe shërbimi sekret SWR në Moskë nuk u janë përgjigjur kërkesave të DW-së për informacion.

Para pak kohësh qeveria gjermane duket se është përpjekur të këmbejë dy agjentët. Ata do të dorëzoheshin në këmbim të agjentëve të një shërbimi informativ mik me Gjermaninë. Por marrëveshja nuk u arrit. Ndërkohë ka spekulime rreth përpjekjeve të reja për këmbim të agjentëve. "Klienti im nuk heq dorë nga shpresa që një këmbim i tillë të kryhet pas shpalljes së vendimit të gjykatës", tha avokati mbrojtës Pötschke për gazetën berlineze Die Welt. Sipas avokatit dy të akuzuarit do të heshtin në seancën e gjyqit në Gjykatën e Lartë të Landit në Stuttgart.