1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier dhe Kerry nuk bien dakord për aferën e përgjimeve të NSA

Bahri Cani/dpa28 Shkurt 2014

Gjatë vizitës në SHBA ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier hapi edhe çështjen e përgjimeve të shërbimit sekret amerikan NSA. Steinmeier synon sqarimin e aferës deri në fund. Cilat janë qëndrimet amerikane?

https://p.dw.com/p/1BHO4
Frank-Walter Steinmeier in Washington
Fotografi: Reuters

"Kemi pasur një takim mjaft produktiv", deklaroi ministri i Jashtëm amerikan John Kerry pas bisedës dhe drekës së tij të përbashkët në Uashington me homologun e tij gjerman Frank-Walter Steinmeier. Ministrat kanë biseduar edhe për tendosjet e fundit në raportet mes këtyre dy vendeve. "Vendet tona janë mike të vjetra dhe mike shumë të ngushta", theksoi Kerry duke shtuar se "ata flasin shumë hapur mes vete."

Steinmeier shtoi se të dy palët kanë konstatuar dallime në çështjen e përgjimeve të NSA. Qeveria gjermane vazhdon angazhimet për një bashkëpunim më të mirë mes shërbimeve sekrete dhe për ruajtjen e sferës private. Por një dakordim "10%" me palën amerikane nuk do të jetë i mundur.

Rusia duhet të përfshihet në zgjidhjen e problemeve në Ukrainë

Raportet gjermano-amerikane janë të ngarkuara për muaj të tërë, pas bërjes publike të të dhënave për përgjime nga shërbimi sekret amerikan National Security Agency (NSA). Në vjeshtën e kaluar është bërë e ditur se NSA ka mbledhur jo vetëm të dhënat e miliona qytetarëve, por për vite të tëra ka përgjuar edhe telefonin celular të kancelares Angela Merkel. Sipas një raporti të gazetës "Bild am Sonntag", shërbimi sekret amerikan po vazhdon të përgjojë politikanët prominentë në Gjermani. Një ndër ta është edhe ministri i Brendshëm, Thomas de Maizière (CDU).

Përveç përgjimeve dhe krizës financiare në këtë takim është biseduar edhe për krizën e fundit në Ukrainë. Të dy politikanët i kanë bërë thirrje Rusisë për një rol konstruktiv në stabilizimin e gjendjes në Ukrainë. "Ne do ta vështrojmë gjendjen me shumë kujdes dhe shpresojmë shumë që Rusia do të mbështetë përpjekjet tona për qetësimin e situatës", tha Kerry. Steinmeier shpreson që Rusia do të jetë pjesë e projekteve për mbështetjen financiare të Ukrainës. "Stabilizimi politik" duhet të përcillet edhe nga "stabilizimi ekonomik", mendon Steinmeier.

Duke iu refereuar kërkesave për më shumë autonomi të siujdhesës Krime, Steinmeier dhe Kerry theksuan se integriteti territorial i Ukrainës është i paprekshëm dhe duhet të garantohet. Ndryshe do të cënohej stabiliteti i tërë rajonit. Kerryn e ka siguruar në një telefonatë ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov se Rusia do të respektojë integritetin territorial të Ukrainës.