1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stonestreet: "Çelësi për ndryshimin e situatës qëndron në zbatimin e ligjit.."

18 Prill 2011

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it në raportin e tij të parë paraprak për procesin zgjedhor konstaton tensione politike dhe sulme të ashpra personale gjatë fushatës së deritanishme elektorale.

https://p.dw.com/p/10vSc
Jonathan Stonestreet, Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, për zgjedhjet lokale të 8 majit në Shqipëri
Jonathan StonestreetFotografi: DW

Ajo që tregon skaneri i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarëe të OSBE/ODHIR-it për procesin zgjedhor, që po zhvillohet në Shqipëri për zgjedhjet lokale të 8 Majit, është shqetësuese. Në raportin e parë paraprak të këtij misioni, të publikuar ditët e fundit, konstatohen incidente të dhunës, që shkojnë deri në hapje zjarr ndaj kandidatëve. Raporti ndalet ne dy goditje me armë të kandiatëve për organet e pushtetit lokal, më 1 prill në Tiranë dhe më 2 prill në Lezhë, që për fat, theksohet në raport , ”nuk qenë vdekjeprurëse".

Si e karakterizon misioni ndërkombëtar i vëzhguesve të OSBE/ ODIHR-it në këtë raport mjedisin, ku po zhvillohet fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 8 Majit? Kreu i këtij misioni, Jonathan Stonestreet thotë për programim shqip të DW: “Kemi identifikuar një mjedis tepër të politizuar për zgjedhjet, shoqëruar nga disa përpjekje të komunitetit ndërkombëtar, që ka bërë thirrje për qetësim të tensioneve dhe për çuarje para të procesit elektoral. Periudha parazgjedhore u karakterizua nga tensione politike dhe kjo po vazhdon në një farë mase edhe tani, gjatë fushatës elektorale. Kemi vënë re sulme të ashpra personale, që kanë karakteruzuar deri tani fushatën, me akuza të ndërsjellta për korrupsion mes PD dhe PS dhe përdorimin e një gjuhe të ashpër”, thotë Z. Stonestreet.

Kodi elektoral dhe standartet ndërkombëtare të procesit elektoral

Logo ODIHR - Office for Democratic Institutions and Human Rights, OSZE
Logo ODIHR

Tensionet politike dhe incidentet e dhunës, të konstatuara në raportin e parë paraprak te OSBE/ ODIHR-it, vazhdojnë. Në orët e para të mëngjesit të sotëm ka shpërthyer një sasi eksplozivi pranë banesës së kandidatit të PS për një njësi në Tiranë, ndërsa dje një simpatizant i PD ështtë qëlluar me gurë ne Kamëz. Të tilla incidente, që për fat të mirë nuk kanë shkaktuar viktima, dëmtojnë zhvillimin normal të një procesi elektoral, që duhet të çojë në zgjedhje të lira, të ndershme, në përputhje me standartet ndërkombëtare. Vlerësimi me këto karakteristika i zgjedhjeve lokale të 8 Majit është kushti kryesor, që BE i ka vënë Shqipërisë për progres në procesin e integrimit europian dhre konkretisht në mosrefuzimin, si vitin e kaluar, të aplikimit për statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Për Kryetarin e misionit të OSBE/ ODIHR-it Jonathan Stonestreet, ndryshimi për mirë i situatës do të vijë nga zbatimi rigoroz i Kodit Elektoral.

“Kodi Elektoral nuk është i përkryer. Por çelësi është zbatimi i tij, zbatimi i ligjit. Kodi elektoral ka disa boshllëqe dhe paqartësi në lidhje me zgjedhjet lokale, që mund të përmirësohen, mbështetur në frymën e ligjit. Një nga këto mangësi psh është paqartësia në këtë Kod lidhur me pragun minimal të përfaqësimit në këshillat vendore, apo paqartësia lidhur me dispozitat për financimin e fushatës me fonde publike për zgjedhjet vendore. Kodi nuk ka gjithashtu dispozitë për regjistrimin e kandidatëve për bashkinë e Tiranës, pasi ai nuk specifikon një organ kompetent për administrimin e zgjedhjeve. OSBE/ ODHIR ka rekomanduar më herët një numër ndryshimesh të këtij Kodi, që ende presin të zbatohen”, thekson për DW Z. Stonestreet, kryetar i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it.

Përgjëgjësi e partive politike dhe e kandidatëve të tyre

Partitë politike, që marrin pjesë në procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale të 8 Majit, janë të grupuara në dy koalicione: në ”Aleanca për qytetarin” të kryesuar nga PD në pushtet dhe “Aleanca për të ardhmen” të kryesuar nga PS në opozitë. Të dyja forcat, që dominojnë skenën politike të Tiranës, konstaton raporti i OSBE/ ODIHR-it janë “të fokusuara” në garën për kryebashkiakun e Tiranës. Por ato duhet të jenë të përgjegjshme, vëren Jonathan Stonestreet.

“Partitë dhe kandidatët duhet të keni parasysh që kanë përgjegjësi në procesin elektoral dhe gjuha që përdorin, nuk duhet të inkurajojë incidente të dhunshme por përkundrazi”, thotë kryetari i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, Z.Stonestreet.

Partitë – thyerje e Kodit Elektporal për pjesëmarrjen e gruas në politikë

Raporti i parë paraprak i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBER/ODIHR-it ndalet edhe në numrin e kandidateve gra për të garuar dhe patur mundësinë e zgjedhjes në organet drejtuese të bashkive dhe komunave. Vëzhguesit konstatojnë se partitë politike nuk kanë zbatuar Kodin Elektoral, që parashikon një grua në çdo tre kandidatura.

Raporti vëren se edhe në Parlamentin prej 140 deputetësh të Shqipërisë vetëm 16,4% e tij janë gra në vend të 30%, si parashikon Kodi Elektoral.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica