1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strategjia për veriun e Kosovës

8 Qershor 2010

Në Kosovë analistët e pavarur shprehen skeptikë, nëse qeveria e Kosovës do të mund ta implementojë strategjinë për veriun e Kosovës pas mbjatjes së zgjedhjeve lokale të organizuara nga Serbia në këtë pjesë.

https://p.dw.com/p/NlSF
Rrugë në MitrovicëFotografi: DW

Mirëpo qeveria e Kosovës dhe zyra civile ndërkombëtare thonë se ata janë duke shënuar përparime dhe shumë shpejt priten hapa konkretë në implementimin e strategjisë. Hapi i parë konkret pritet të jetë krijimi i komunës veriore të Mitrovicës, bazuar në planin e Marti Ahtisarit.

Qeveria e Kosovës dhe zyra civile ndërkombëtare vazhdojnë ta mbështesin strategjinë për integrimin e veriut të Kosovës e hartuar prej tyre dy muaj më parë, e cila për synim ka edhe vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë. Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci, thotë se qeveria e Kosovës dhe zyra civile ndërkombëtare kanë takime të rregullta në përpjekje për të koordinuar planet për implementimin e strategjisë për veriun, edhe pse ai pranon se në këtë linjë ka pengesa.

Hajredin Kuci deputy in the Kosovo Regierung Deutsche Welle
Hajredin KuciFotografi: DW/Bekim Shehu

"Ka pengesa, që dalin përpara dhe këto kanë të bëjnë më shumë nga rrafshi i koordinimit të faktorëve ndërkombëtarë, por unë jam i bindur se do të ketë edhe vullnet politik dhe angazhim konkret në këtë drejtim. Ne dallojmë pak në dinamikë, ne dëshirojmë dinamikë më të përshpejtuar, ndërsa faktori ndërkombëtar është për një kujdes më të shtuar, por besoj se në fund qëndrimet do t'i harmonizojmë mirë", thotë zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuci.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në veri të Kosovës nga analistë të shumtë u cilësua si fundi i strategjisë për intergrimin e veriut, e cila për synim ka edhe shuarjen e strukturave paralele. Zëdhënësi i zyrës civile ndërkombëtare, Andy Mc Gaffy, nuk mendon se qasja për integrimin e veriut të Kosovës ka marrë fund. Ai thotë se ekipi përgatitor komunal për krijimin e komunës veriore të Mitrovicës, bazuar në planin e Marti Ahtisarit, po vazhdon punën e vet dhe po i afrohet fundit të fazës së trajnimit të stafit. Po ashtu ai thotë se edhe qeveria e Kosovës ka plan për të hapur një zyrë, që do të ofrojë shërbime për njerëzit, të cilët jetojnë në veri të Mitrovicës. Këto hapa të deritashëm zëdhënësi Andy Mc Gaffy i cilëson arritje konkrete. Mirëpo sekretari i shtetit në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, në një prononcim të mëhershëm dhënë DW, thotë se komuna veriore e Mitrovicës e krijuar nga Serbia dhe e mbështetur nga serbët lokalë do të jetë funksionale dhe kjo automatikisht hedh poshtë planet e Prishtinës për komunat veriore.

Oliver Ivanovic, Serben-Führer im Kosovo
Oliver IvanovicFotografi: AP

"Kundërshtimin e institucioneve të Kosovës mund ta kuptoj, sepse kjo e dëmton planin e tyre për veriun, sepse njerëzit e zgjedhur në veri dhe pushteti funksional lokal në veri do të pamundësojë çfarëdo plani tjetër, përfshirë edhe planin e institucioneve të Kosovës për Mitrovicën dhe komunat veriore", thotë Oliver Ivanoviq.

Ndërkohë analistët e pavarur thonë se numri i vogël i daljes së serbëve në zgjedhjet në veri e ka bërë të qartë se serbët e veriut nuk i besojnë jo vetëm Prishtinës, por as Beogradit. Analisti i pavarur, Ilir Deda, thotë për programin tonë se tash është koha, që qeveria e Kosovës të veprojë.

"Me vetë faktin që serbët në veri më nuk kanë besim në Beograd, atëherë nuk mund të bisedohet as për ndarje të Kosovës dhe as për autonomi territoriale të Kosovës. Mesazhi i dytë është që duhet të kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare me vendosmëri, që të largohen strukturat paralele serbe të Serbisë nga veriu i Kosovës dhe mesazhi i tretë është që Prishtina mund të ketë ndikim në veri, nëse e ofron një pako ekonomike për investime në këtë pjesë", thotë analisti Ilir Deda.

Qeveria e Kosovës tashmë ka marrë vendim për krijimin e një fondi në kuadër të strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës, mirëpo akoma nuk ka bërë të ditur shifrën. Hapi tjetër dhe i pari, që do të shënonte fillimin e implementimit të strategjisë për veriun, është krijimi i komunës veriore të Mitrovicës në bazë të planit të Marti Ahtisarit. Në krijimin e kësaj komune më gjasë do të ketë vonesa, sepse sipas autoriteteve në Prishtinë që të jetë funksionale kjo komunë duhet përkrahja e gjerë e popullatës lokale.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi:Angjelina Verbica