1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strauss-Kahn këshilltar ekonomik i Serbisë

Nemanja Rujevic/Angjelina Verbica20 Shtator 2013

Dominique Strauss-Khan humbi shansin për t'u bërë president i Francës për shkak të skandaleve seksuale. Tani ai do të këshillojë qeverinë serbe për të dalë nga vështirësitë ekonomike, një detyrë shumë e vështirë.

https://p.dw.com/p/19koS
Fotografi: Reuters

Dominique Strauss-Khan, siç tha vetë në Beograd, nuk ka shkop magjik. Edhe sikur të kishte, ai do ta ketë të vështirë të rregullojë ekonominë, që vuan nga deficitet, ku një ndër tre vetë është i papunë, ku ka më shumë pensionistë se të punësuar dhe ata fatlumët, që punojnë, fitojnë mesatarisht 400 euro. Siç shprehet për DW Biljana Stepanoviç, redaktore e gazetës "Ekonomia e re," Strauss-Khan nuk mund të shpikë diçka, që nuk është shpikur akoma në shkencat ekonomike. "Unë nuk di sa mund të ndihmojë Strauss-Khan, por sigurisht që nuk mund të pengojë", thotë Stepanoviç.

Nga këshilltari i ri duhen pritur zgjidhje të njohura, prapa të cilave qëndron autoriteti i tij i lartë dhe lidhjet e tij të forta, mendon profesori i Fakultetit të Ekonomisë, Financave dhe Administratës, Mihailo Crnobrnja. Ai beson se për tre muaj, gjatë të cilëve Strauss-Khan do të punojë falas, ai mund të krijojë përshtypjen e tij dhe të dalë me një plan bazë. Do të jenë zgjidhje, që kanë të bëjnë me zhvillimin, por kryesisht me kursimet, për të cilat ka këshilluar për vite me radhë FMN-ja e që synojnë reduktimin e kostove të panevojshme.

Këshilltari ka mundësi vetëm të këshillojë

"Unë parimisht nuk kam asgjë kundër ekspertëve të huaj. Por te ne nuk është problem mungesa e cilësisë së ekonomistëve, shikoni vetëm këshillin fiskal, ku të gjithë janë ekonomistë të shkëlqyer. Për ne problemi është zbatimi dhe këshilltarët nuk mund të zbatojnë, por vetëm të këshillojnë. Mbetet pyetja, sa do të jetë qeveria e gatshme dhe në gjendje të zbatojë atë, që do të propozonte Strauss-Khan", pyet Crnobrnja.

Njohësit e çështjes Strauss-Kahn shohin kryesisht tri arsye për ardhjen e tij. Thjesht si makiazh për ristrukturimin e qeverisë, ku tani zënë vend edhe drejtori i filarmonisë, edhe vaterpolisti më i mirë i botës, edhe fëmija talent nga universiteti i Yale, ministri i Financave Lazar Krstiç, prandaj edhe ekonomisti me famë botërore Strauss-Khan, "Ai nuk është ndonjë nevojë imediate", thotë Crnobrnja. "Kjo është një lojë politike për të prezantuar qeverinë në dritën më të mirë të mundshme, me qëllim që votuesit të shohin se si qeveria kujdeset për njerëzit, që ata që kemi, nuk janë të mirë sa duhet, dhe se si qeveria jonë kërkon më të mirën."

Mburojë për qeverinë

Të tjerë, si Biljana Stepanoviç, besojnë se ish-shefi i FMN-së është "ombrellë" për masat jopopullore, por të domosdoshme, që do të pasojnë. Ai në një farë mënyre mund të jetë një lloj mburoje, sidomos për ministrin e ri rë Financave, Lazar Krstiç. "Një gjë është, se në qoftë se Krstic thotë se diçka duhet bërë, ai do të refuzohej menjëherë si i ri dhe pa përvojë, e do të sulmohej jo vetëm nga opozita, por edhe nga vetë koalicioni qeverisës. Por kur vjen Dominique Strauss-Khan, që ka qenë kryetar i FMN-së, i cili do të ishte presidenti i Francës, sikur të mos kishte patur aferën private, që e njeh ekonominë në mënyrë të padiskutuesshme, atëherë ai mund ta ndihmojë politikisht Vuçiçin dhe të shërbejë si alibi për masat jopopullore. Vështirë se dikush do të jetë në gjendje të thotë, se as Strauss-Khani nuk e njeh ekonominë”, mendon Stepanoviç.

Strauss-Khan me kryeministrin serb Vucic dhe ministrin e Financave Krstic.
Strauss-Khan me kryeministrin serb Vucic dhe ministrin e Financave Krstic.Fotografi: Reuters

Një interpretim i tretë për Strauss-Khanin është se ai sjell me vete një bllok të trashë telefonik dhe lidhje të forta në botë. Biljana Stepanoviç megjithatë kujton se ai nuk ështe i angazhuar zyrtarisht si lobist i Serbisë, por si këshilltar: "kështu që nuk dihet, sa do të jetë i gatshëm të shfrytëzojë kontaktet e tij." Mihailo Crnobrnja beson se pavarësisht nga funksioni i tij zyrtar Strauss-Khan do të jetë i dobishëm edhe për lidhjen e Serbisë me agjencitë e huaja dhe qeveritë e tjera.

Crnobrnja është i mendimit se reputacioni i Strauss-Kahn nuk është shkatërruar plotësisht nga akuza për një aferë me pastruesen e një hoteli në New York dhe akuzat për organizimin e festave bunga-bunga të llojit të Berluskonit dhe kontraktim të prostitutave. "Ai është shkatërruar si kandidat politik, por kam përshtypjen se imazhi i tij nuk është dëmtuar si ekonomist. Rrëshqitjet e tij seksuale janë ekzagjeruar sidomos nga amerikanët."

Kush do ta paguajë?

Strauss-Khan është angazhuar si këshilltar për disa kompani, prandaj shtrohet pyetja, se sa kohë do t'i kushtojë ai Serbisë. Crnobrnja thotë se do veprohet sipas sistemit, "sa para, aq edhe muzikë" dhe ende është e paqartë se kush do të paguajë për muzikën. E tepruar do të ishte, thotë profesori, sikur këshilltari i qeverisë të fitonte 20.000 euro në muaj nga buxheti, ndërsa ministrat marrin rreth 1.000 euro. "Kjo do të thoshte standarde të dyfishta punësimi, gjë të cilën, ata që e kanë angazhuar, do ta kishin të vështirë ta shpjegonin." Si një mundësi përmenden edhe financuesit privatë.

Pikërisht kjo nuk i pëlqen Biljana Stepanoviçit, e cila thotë se këshilltarët e shtetit duhet t'i paguajë shteti nga buxheti. "Demagogjia është se Serbia nuk ka të holla për Strauss-Khan-in. Më tepër vlen një njeri, që e njeh punën dhe ka kontakte në botë. Atë mund ta paguani edhe 20.000, apo 30.000 euro. Ai është më i vlefshëm se zyrtarët e dhunshëm, makinat e tyre zyrtare, shoferët, sekretaret, agjencitë e ndryshme dhe njerëzit, për të cilët nuk dimë aspak se çfarë bëjnë, por vetëm dimë se na kushtojnë para", thotë Biljana Stepanoviç. Ajo gjithashtu e sheh si një demagogji të pastër edhe deklaratën e vetë Strauss-Khanit se ka ardhur për shkak se e do Serbinë. "Në këtë lloj motivimi nuk besoj", thotë bashkëbiseduesja jonë.