1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmi në Bengazi, i planifikuar prej shumë kohësh

Christina Bergmann / Elona Elezi13 Shtator 2012

Katër amerikanë, duke përfshirë edhe ambasadorin në Libi, mbetën të vrarë gjatë pushtimit të konsullatës së SHBA-ve në Bengazi. Ajo që fillimisht u duk si një protestë, ishte një sulm potencialisht i planifikuar.

https://p.dw.com/p/167w3
Fotografi: dapd

Sekretarja e shtetit Hillary Clinton përmblodhi gjendjen shpirtërore të shumë amerikanëve teksa deklaroi të mërkurën (12.09): "Shumë amerikanë po pyesin, në fakt edhe unë po pyes veten, si mundi të ndodhte kjo? Si mundi të ndodhë kjo në një vend që ne e kemi ndihmuar të fitojë lirinë, në një qytet që ne e kemi ndihmuar të shpëtojë nga shkatërrimi? Kjo pyetje reflekton se sa e ndërlikuar, dhe ndonjëherë sa e ngatërruar mund të jetë bota."

Përgjatë së mërkurës dhe së enjtes, gjithsesi ka patur indikacione në rritje se sulmi vdekjeprurës i së martës ishte si rezultat i një operacioni militant, i planifikuar prej një kohe të gjatë dhe i maskuar si një protestë spontane rreth një videoje anti-islame.

Në foto, Hillary Rodham Clinton
Në foto, Hillary Rodham ClintonFotografi: dapd

Zyrtarë në Departamentin Amerikan të Shtetit përshkruan gjatë së mërkurës se si "ekstremistë të panjohur libianë" sulmuan dhe pushtuan konsullatën duke i vënë zjarrin ndërtesës kryesore. Gjatë atij momenti, tre amerikanë ndodheshin në ndërtesë, përfshirë edhe ambasadorin amerikan Christopher Stevens.

Sulm nga një grup i vogël dhe mizor

Se çfarë ndodhi saktësisht brenda ndërtesës gjatë orëve që ajo ishte nën flakë dhe qëllohej nga armë të vogla dhe granata, mbetet ende e paqartë dhe do t´i nënshtrohet një hetimi zyrtar, por informacionet paraprake treguan se tre amerikanët gjendeshin të ndarë në konsullatë. Sean Smith, një specialist i tekonologjisë informatike mbeti i vrarë se bashku me dy amerikanë të tjerë, të cilët nuk janë identifikuar ende.

Katër orë pasi sulmi kish nisur, në 14:00, sipas orës lokale, zyrtarë amerikanë të sigurisë qenë në gjendje të rimarrin nën kontroll konsullatën. Në atë kohë Stevens nuk ishte më në ndërtesë dhe rezultoi se ishte transportuar në spital nga disa libianë. Autoritetet amerikane morrën një telefonatë rreth vdekjes së ambasadorit dhe iu tha se ata mund të tërhiqnin trupin e pajetë të tij në aeroportin e Bengazit.

Pamje nga sulmi ndaj konsullatës amerikane në Bengazi
Pamje nga sulmi ndaj konsullatës amerikane në BengaziFotografi: Reuters

Sulmi shënoi për herë të parë vrasjen e një ambasadori të Shteteve të Bashkuara, që nga viti 1979 kur Adolf Dubs, ambasadori amerikan në Afganistan gjeti vdekjen në një përplasje me armë, gjatë një tentative rrëmbimi. Clinton bëri thirrje për qetësi, duke thënë: "Ky ishte një sulm nga një grup i vogël dhe mizor, jo nga njerëzit ose qeveria e Libisë."

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama tha gjatë një konference për shtyp se sulmi nuk do të prishte lidhjet mes Libisë dhe SHBA-ve. Ai theksoi se forcat libiane të sigurisë asistuan në mbrojtjen e konsullatës dhe në dërgimin e ambasadorit në spital. "Shtetet e Bashkuara dënojnë me të gjithë forcën këtë sulm mizor dhe shokues," tha Obama. "Pa bërë gabime, ne do të punojmë me qeverinë libiane për të vendosur drejtësinë për vrasësit që sulmuan njerëzit tanë."

Videoja që maskoi sulmin

Duke iu referuar një videoje anti-islamike që fillimisht u konsiderua fajtore për sulmin në Bengazi dhe gjithashtu për protestat në ambasadën amerikanë në Kajro, Obama shtoi se Shtetet e Bashkuara refuzojnë "çdo përpjekje për të denigruar bindjet fetare të të tjerëve" dhe tha gjithashtu se "nuk ka absolutisht asnjë lloj justifikimi për këtë lloj dhune të pashoqe. Asnjë!"

Videoja "Pafajësia e myslimanëve" ka qarkulluar në internet që nga muaji korrik por nuk krijoi trazira, derisa një version i dubluar në gjuhën arabe u shfaq përgjatë javës së fundit. Pastori amerikan Terry Jones, kërcënimet e të cilit për djegien e Kuranit çuan në trazirat e dhunshme në Afganistan, tha se filmi nuk kishte si qëllim të fyente komunitetin mysliman. Kryetari i Lidhjes së drejtuesve në Shtabin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, gjeneral Martin Dempsey, i kërkoi pastorit që të mos mbështeste filmin. Isobel Coleman, eksperte i politikës së jashtme në Këshillin e Marrëdhenieve me Jashtë, tha se ngjarjet në Bengazi, ndryshe nga protestat në Kajro, nuk kishin lidhje me videon.

Pamje nga Bengazi
Pamje nga BengaziFotografi: dapd

"Ky është një sulm që duhet të jetë planifikuar prej javësh," u tha ajo gazetarëve, duke shtuar se mund të jetë planifikuar për të rastisur në të njëjtën ditë me përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe filmi ofroi një maskim të përshtatshëm për komplotin.

Zyrtarët thanë se janë ende të pasigurt se kush qëndron prapa këtyre sulmeve, por disa spekulojnë se përgjegjëse është Al Kaida ose njerëz të lidhur me rrjetet terroriste.

"Ushqim" për fushatën elektorale

Sulmi gjithashtu ndikoi në fushatën amerikane për president, ku kandidati i republikanëve Mitt Romney dënoi sulmet dhe kritikoi reagimin e qeverisë ndaj tyre. "Unë gjithashtu besoj se administrata gaboi në deklaratën që mbajti, duke pasur mëshirë për ata të cilët dëmtuan ambasadën tonë në Egjipt, në vend që të dënonin veprimet e tyre," tha Romney, duke iu referuar një deklarate të lëshuar nga ambasada në Kajro e cila ka mohuar "përpjekjet e bëra nga individë të devijuar, të lënduar në ndjesitë e tyre fetare prej myslimani."

Deklarata e Romney-t u botua para se të qartësohej nëse Stevens dhe tre të tjerët mbetën të vrarë në Libi. Stafi elektoral i Obamës tha në një prononcim për shtyp se "u shokuan" nga kandidati republikan i cili lëshoi një sulm të tillë politik në kohën kur vendi "po përballet me vdekjen tragjike të një prej diplomatëve të tij në Libi. Në një intervistë, Obama tha se Romney ka tendencën "që fillimisht qëllon, por merr nishan më vonë."

Në foto, Mitt Romney
Në foto, Mitt RomneyFotografi: Getty Images

Ndërkohë misionet diplomatike amerikane përreth botës janë vënë në gatishmëri të lartë dhe shumica e stafit konsullor është larguar nga Bengazi. Amerikanët e plagosur në Libi do të udhëtojnë drejt një spitali ushtarak amerikan në Gjermani, ndërsa trupat e pajetë të viktimave do të dërgohen fillimisht në bazën ajrore në Ramstein, gjithashtu në Gjermani, para se të vazhdojnë drejt Shteteve të Bashkuara.