1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Surroi: Jemi lodhur me negociata

Anila Shuka1 Nëntor 2007

Kosova - tema e parë në simpoziumin e përvjetshëm të BND-së në Berlin

https://p.dw.com/p/C076
Veton Surroi, lideri i partisë "Ora"Fotografi: picture-alliance / dpa

Shefi i Shërbimit të Fshehtë të Gjermanisë (BND) Ernst Urlau (Uhrlau) tha të enjten në Berlin se BND-ja nuk dëshiron të befasohet pas 10 dhjetorit me Kosovën. Urlau e kishte vendosur Ballkanin në pikën e parë të rendit të ditës në simpoziumin e Berlinit. Historiania Zhanin Mari Kalik (Jannine Marie Calic) drejtoi diskutimin mes liderit të partisë "Ora" Veton Surroi, ish zëvendëskryeministrit serb, Miroljub Labus, dhe ish të ngarkuarit të posaçëm të OKB-së në ish-Jugosllavi, Jasushi Akashi.

Debati kishte si qëllim të shqyrtonte situatën në Kosovë si dhe pasojat që do të shkaktojë çështja e statusit në rajon dhe në politikën globale. Veton Surroi, lideri i partisë reformatore ORA, bëri të qartë se qysh brenda këtij viti, parlamenti i Kosovës do të duhet të marrë një vendim për datën e pavarësisë: "Kjo është shumë e rëndësishme nga ana psikologjike për ne, sepse tashmë jemi lodhur me negocitatat. Kemi gati gjithë jetën që po merremi me to", tha ai por premtoi se edhe më vonë Kosova do të vazhdojë të bashëpunojë me Bashkësinë Ndërkombëtare." Surroi tha se çfarëdo koalicioni që do të dalë nga zgjedhjet e 17 nëntorit, ai do të vërë në zbatim rekomandimet e Ahtisaarit, sidomos në lidhje me të drejtat e pakicave.

Veton Surroi tha se pavarësia nuk do të jetë konsensuale, megjithëse "ne, kemi punuar shumë për konsensusin." Ai vuri në dukje se statusi i Kosovës është një nga pikat e mosmarrëveshjeve mes Shba-ve dhe Rusisë. Duke qenë se pavarësia e Kosovës nuk do të jetë konsensuale ajo do të krijojë dy probleme kryesore për bashkësinë ndërkombëtare, tha politikani kosovar. "Së pari, se si do të integrohet statusi i Kosovës në rendin botëror pa miratimin e Rusisë dhe se si mund të bëhet, që në veri të Kosovës, të mos krijohet një "konflikt i ngrirë në portat e Bashkimit Evropian."

Surroi e përshëndeti idenë e diplomatit gjerman Volfgang Ishinger për të nxitur Serbinë dhe Kosovën për të nënshkruar një marrëveshje të ngjashme me atë mes RFGJ-së dhe RDGJ-së në vitin 1972. Asokohe të dy shtetet patën rënë dakord të krijonin marrëdhënie teknike, megjithëse RFGJ-ja nuk e njihte RDGJ-në si shtet të pavarur. Sipas Surroit, Ishinger do të dalë me këtë propozim të hënën (5.11.), në bisedimet e Vjenës, ku si Kosova ashtu edhe Serbia do të përfaqësohen në nivelin më të lartë.

Së fundi, Surroi theksoi se pavarësia e Kosovës është e rëndësishme jo në aspektin simbolik, por në aspektin funksional. "Kosova mund të funksionojë, vetëm në se ajo është e pavarur dhe vetëm si e pavarur ajo mund të jetë në gjendje të nënshkruajë kontrata me Bashkimin Evropian dhe të vendosë për reformimin e brendshëm të saj", tha lideri i partisë "Ora".

Miroljub Labus, i cili aktualisht është profesor ekonomie në Universitetin e Beogradit, numëroi dy instrumentat kryesore të Bashkimit Evropian në lidhje me Ballkanin: Së pari, manaxhimin e krizës së Kosovës dhe së dyti, zgjerimin. Sipas Labusit Ballkani duhet të hyjë sa më parë në Bashkimin Evropian. Shkaku kryesor i krizave në Ballkan janë kushtet e papërshtatshme ekonomike, tha ai.

Ish i ngarkuari i OKB-së Jasushi Akashi, vuri theksin tek nevoja e përmirësimit të koordinimit në kuadër të OKB-së dhe në strukturën e Këshillit të Sigurimit: "Ne kemi nevojë për një Këshill Sigurimi që nuk e kthen veten në një fabrikë për prodhimin e rezolutave me vlera të larta retorike, por edhe rezolutash që mund të implementohen," tha ai. Ai shtoi se misionet paqeruajtëse në ish Jugosllavi duhet të koodrinohen më mirë me njëra-tjetrën, por edhe me diplomacinë e ShBA-ve.

Konferenca vjetore e BND-së kishte temë sivjet temën "Shkatërrimi i Rendit" duke u fokusuar sidomos në "Sigurinë e Brendshme gjatë Shekullit 21" me shembujt e vatrave të krizës si Iraku, Afganistani e Ballkani perëndimor. Fjalën hapëse paradite e kishte mbajtur Ministri i Brendshëm Federal Volfgang Shojble (Wolfgang Schäuble).