1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sauerland-Gruppe

10 Gusht 2009

Në procesin gjyqësor kundër grupit islamist të Sauerland-it të hënën (10.08) pritet që drejtuesi i grupit, Fritz Gelowicz të japë një dëshmi të detajuar. Të akuzuarit kishin planifikuar sulme me bomba në Gjermani.

https://p.dw.com/p/J6xh
I akuzuari Fritz Gelowicz, (mes) me avokatët e tij në sallën e gjyqit në Dyseldorf, 10.08.09
I akuzuari Fritz Gelowicz, (mes) me avokatët e tij në sallën e gjyqit në Dyseldorf, 10.08.09Fotografi: AP

Synime të atentateve ishin Dortmundi, Dyseldorfi, Frankfurti mbi Majn, Këlni, Shtutgarti apo Mynihu

Të akuzuarit kryesorë në procesin kundër „Grupit të Sauerlandit“ janë dy gjermanë të konvertuar në fenë islame dhe një turk. Ata akuzohen të kenë planifikuar sulme me bomba nëpër lokale, diskoteka dhe aeroporte. Sipas prokurorisë këto sulme kishin për qëllim të preknin kryesisht institucione amerikane, ndër to edhe bazën ushtarake të SHBA-së në Ramshtajn në landin e Rajnpfalcit. Si vende për kryerjen e atentateve ishin fokusuar edhe Dortmundi, Dyseldorfi, Frankfurti mbi Majn, Këlni, Shtutgarti apo Mynihu. Sulmet terroriste do të kryeshin në tetor 2007 në prag të marrjes së vendimit parlamentar për zgjatjen e mandatit për misionin e ushtrisë gjermane në Afganistan.

Lënda shpërthyese mjaftonte për bomba më të fuqishme se ato që shpërthyen në sulmet e Madridit dhe Londrës

Në mënyrë që sulmet të përgatiteshin në qetësi të akuzuarit kishin marrë me qira një shtëpi pushimi në fshatin Medebach-Oberschledorn në Sauerland. Për realizimin e planeve të tyre ata kishin mbledhur pjesë të ndryshme për konstruksione elektrike, saldues, orë, një aparaturë matëse dhe tenxhere metalike. Përveç kësaj të akuzuarve iu sekestruan 33,5 kg miell gruri, që bashkë me një tretës prej gjithsej 730 kg hidrogjen peroksid dhe përbërës të tjerë do të përziheshin për bombat. Lënda shpërthyese, sipas Zyrës së Kriminalistikës, do të ishte e mjaftueshme për të konstruktuar bomba me një forcë shpërthyese më të lartë se ato të përdorura gjatë sulmeve në Madrid dhe në Londër.

Katër të akuzuarit për terrorizëm të "Grupit të Sauerlandit". Ne foto: kater fotografi te kater te akuzuarve
Katër të akuzuarit për terrorizëm të "Grupit të Sauerlandit"Fotografi: AP

Katër islamistët besohet se janë anëtarë të grupit terrorist uzbekistanas „Bashkimi i Xhihadit Islamik“

Detonatorin për bombat e kishte gjetur në Siri i akuzuari i katërt. Ai u arrestua në nëntor 2007 në Turqi dhe në fund të 2008-s u ekstradua në Gjermani.

Katër islamistët duhet të jenë anëtarë të grupit terrorist uzbekistanas „Bashkimi i Xhihadit Islamik“, që mban kontakte të ngushta me rrjetin terrorist Al Qaida.

Në rast se dënohen të akuzuarit duhet të llogarisin me shumë vite burgim. Për anëtarësi në një organizatë terroriste parashikohet dënimi deri në dhjetë vjet heqje lirie. Tentativa për vrasje mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Autor: Olja Ebel/ Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi