1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkatërrrimi i armëve kimike siriane

Alexander Drechsel / Esat Ahmeti22 Dhjetor 2013

Inspektorët e Armëve Kimike të OPCW-së duan të largojnë nga Siria armët kimike dhe t'i shkatërrojnë në det të hapur. Në këtë operacion janë angazhuar ushtritë amerikane, daneze, norvegjeze, ruse dhe kineze.

https://p.dw.com/p/1AeUy
Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP

Që nga mesi i dhjetorit dy anije mallërash dhe dy fregata kalojnë pranë njëra-tjetrës vetëm pak milje detare larg bregut qipriot. Ato janë duke kryer manovra të përbashkëta dhe trajnuar formacionet e tyre. Anijet luftarake "Esbern Snare" dhe "Helge Ingstad" si dhe anijet e transportit "Taiko" dhe "Ark Futura" e kanë një mision dhe janë duke u përgatitur për të.

Misioni i katër anijeve nga Norvegjia dhe Danimarka është shumë delikat: në javët e ardhshme ato do të ngarkohen me armë kimike në Siri të cilat përmes Detit Mesdhe do të transportohen në Itali, se ku pikërisht është ende sekret. Në portet aktualisht të panjohura armët kimike siriane do të kalohen në anijen speciale amerikane "Cape Ray", për tu shkatërruar më vonë diku në det të hapur.

Anija daneze e transportit "Ark Futura"
Anija daneze e transportit "Ark Futura"Fotografi: picture alliance/AP Photo

Shkatërrimi i armëve në mes të luftës

Megjithatë, për këtë duhet edhe pak kohë. Aktualisht, ushtria siriane po transporton përmes rrugës tokësore për në portin e Latakias rreth 1.300 ton armë kimike nga 12 depotë ushtarake në vend. "Kurrë më parë nuk ka ndodhur çarmatimi i armëve të shkatërrimit në masë në një vend që ndodhet në mes të konfliktit të armatosur," tha zëdhënësi i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), Michael Luhan në një intervistë me DW. Materialet kimike duhet të largohen nga zonat e luftimeve dhe të dërgohen për tu shkatërruar në det. Në fund mbeturinat do të dërgohen për në SHBA dhe do t'i dorëzohen një kompanie industriale që është e specializuar për ruajtjen e mbeturinave industriale. "E gjithë kjo është e re," thotë Luhan.

Fregata norvegjeze "Helge Ingstad"
Fregata norvegjeze "Helge Ingstad"Fotografi: Yiannis Kourtoglou/AFP/Getty Images

Që operacioni të përfundojë me sukses po ndihmojnë edhe shtete të tjera: Rusia gjithashtu ka ndërmend të dërgojë anije luftarake. Përveç kësaj, Moska ka dërguar 50 kamionë dhe 15 automjete të blinduara në vendin e shkatërruar nga lufta, të cilat janë duke u ngarkuar nga ushtarët sirianë për tu transportuar për në Latakia . Shtetet e Bashkuara të Amerikës krahas "Cape Ray" kanë bërë gati disa mijëra kontenjerë vendodhja e të cilëve mund të zbulohet nga sateliti në mënyrë që udhëtimi i armëve kimike të mund të përcillet edhe nga largësia. Kina ka ofruar kamera për mbikqyrje dhe dhjetë autoambulanca. Ajo po ashtu do të dërgojë një luftanije. Në rast se gjatë udhëtimit në det ndodh ndonjë aksident dhe fillon të ketë rrjedhje në ujë atëherë i gatshëm për ndërhyrje është një ekip i veçantë finlandez. Britania e Madhe dëshiron të shkatërrojë 150 produkte kimike të Sirisë, të cilat janë gjithashtu të përshtatshme për prodhimin e armëve kimike. Shumë vende të botës kanë derdhur mjete në dy fondet e veçanta të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW). Bashkimi Evropian ka ndarë 12 milionë euro shtesë ndërsa Gjermania edhe tre milionë të tjerë. "Kjo është një përpjekje tepër e shquar shumëkombëshe", tha zëdhënësi i OPCW-së, Luhan.

Ndërtesa e OPCW-së në Hagë
Ndërtesa e OPCW-së në HagëFotografi: picture-alliance/dpa

Plan i qartë kohor

Megjithatë mbikqyrja kryesore bëhet nga OPCW-ja. Në depotë e ushtrisë siriane, inspektorët e OPCW mbyllin me vulë kontenjerët e ngarkuar me kimikate vdekjeprurëse. Pas transportimit në portin e Latakia-s, ata kontrollojnë sërish vulën si dhe përmbajtjen e ngarkesës. Deri më 31 Dhjetor do të duhej që nëpër anije të ngarkohen rreth 500 ton të substancave të rrezikshme. Deri në 5 Shkurt në anije të ngarkuara duhet të jenë edhe 800 ton të tjerë me paraprodukte të armëve kimike të Sirisë. Deri në fund të marsit, duhet të jenë shkatërruar 500 tonelatat e para ndërsa deri në fund të qershorit 800 tonelatat e tjerë.

Një plan kohor i cili sipas mendimit të ekspertit belg të armëve kimike Jean Pascal Zanders mund të respektohet në tërësi. "Drejtori i Përgjithshëm i OPCW ka lënë edhe vet të kuptohet se ndoshta mund të ketë ndonjë vonesë të vogël prej disa ditësh," tha Zanders për DW. Faktorë të pasigurisë janë rruga për në Latakia ku kryhen luftime dhe shkatërrimi i kimikateve në det të hapur. "Për procesin e neutralizimit të tyre në bordin e anijes amerikane janë planifikuar prej 45 deri në 60 ditë." Kështu, koha e caktuar duket të jetë më se e mjaftueshme, sqaron Zanders. Por impiantet e anijes "Cape Ray", mund të funksionojnë të sigurta vetëm me një dallgëzim valësh me më së shumti lartësi prej 15 centimetrash. "Siguria e personelit është në qendër të vëmendjes" Prandaj për këtë shkak mund të ndryshojë edhe plani kohor.

Në foto, Jean Pascal Zanders
Në foto, Jean Pascal ZandersFotografi: Jean Pascal Zanders